Thaçi: Kriminelët dhe vrasësit, kurrë s'do mund të kthehen në Kosovë

Aktuale

Thaçi: Kriminelët dhe vrasësit, kurrë s'do mund të kthehen në Kosovë

Më: 28 gusht 2018 Në ora: 10:26
Presidenti Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi ka siguruar nënat kosovare se kriminelët dhe vrasësit që kanë kryer krime, kurrë nuk do të mund të kthehen në Kosovë, dhe se kudo që ata janë, nuk do të mund të jenë të qetë, derisa të japin llogari para drejtësisë, përcjell KosovaPress.

Thaçi përmes një reagimi të publikuar në rrjetin social Facebook, ka kërkuar po ashtu tolerancë dhe mirëkuptim.

Kjo deklaratë e Presidentit vjen pas protestave që po mbahen në Gjakovë kundër ardhjes së pelegrinëve serbë, kurse pak ditë më parë, themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, e kishte ftuar Presidentin Thaçi, që t’ua mundësojë serbëve të Gjakovës që sivjet ta vizitojnë kishën.

Reagimi i plotë i Presidentit Thaçi:

Me nënat gjakovare dhe të gjitha nënat kosovare e ndjej dhe ndaj dhembjen për humbjen e me të dashurave të tyre. I siguroj ato dhe gjithë nënat kosovare, si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës se kriminelët dhe vrasësit që kanë kryer krime, kurrë nuk do të mund të kthehen në Kosovë. Kudo që janë, ata nuk do të jenë të qetë, derisa të japin llogari përpara drejtësisë. Ne nuk do të harrojmë kurrë çfarë kemi përjetuar. Me respektin më të madh ju thërras për tolerancë dhe mirëkuptim. Por, edhe në rast se ju veproni ndryshe, unë përsëri ju kuptoj dhe respektoj njësoj. Një nënë është nënë kudo në botë, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare. Ajo ka nevojë të derdhë lotë dhe të vendosë lule pranë varrit të djalit, vajzës, burrit, motrës, mbesës apo nipit. Të njëjtën të drejtë e ka edhe një baba, një vëlla apo një motër. Secili ka të drejtë ta shuajë mallin dhe të shprehë dhembjen për më të dashurit e tij. /KosovaPress/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat