Qytetarët shprehen të vendosur të protestojnë deri në shkarkimin e Lumezit

Aktuale

Qytetarët shprehen të vendosur të protestojnë deri në shkarkimin e Lumezit

Më: 29 gusht 2018 Në ora: 18:04
Protestë për shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi

(E plotësuar) - Shkarkimi i kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, Veting për sistemin e gjyqësorit dhe pastrim të listave të veteranëve, kanë qenë tri kërkesat e protestuesve.

Edhe në protestën e sotme, protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrimin: “Lumez Ik”, “Pishpirik je vet”, “Veting gjyqësirit”, “Nuk ka shtet pa gjyqësor të pavarur”, e tjera.

Protestuesit me thirrje për Veting e shkarkim të Lumezit, kanë marshuar nga Sheshi “Zahir Pajaziti”, tek ndërtesa e kryeprokurorisë, e më pastaj tek ndërtesa e Qeverisë prej nga kanë dhënë mesazhin se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Publicisti Shkëlzen Gashi theksoi se shkarkimi i Aleksandër Lumezit duhet të bëhet për shumë arsye, por tri janë kryesore.

Ai ka thënë se bisedat telefonike në aferën Pronto mes Kadri Veselit e Adem Gravocit, të cilët diskutojnë se si Lumezi nuk bënë të anëtarësohet në PDK, e me qenë kandidat për kryetar të Prishtinës, tregon se Aleksandër Lumëzi është i korruptuar, e i shantazhuar në kryeprokurori.

Gashi: Kemi tri kërkesa, nuk ndalemi deri në realizimin e tyre

“Arsyeja e parë është se Aleksandër Lumezi është caktuar në pozitën e kryeprokurorit nga politika, në fakt nga parapolitika, nga Prontoja. Arsyeja e dytë është ndërhyrja e kryeprokurorit Lumezi në punën e prokurorit Blakaj, se pse ia ka intervistuar shefin Kadri Veselin. Madje prokurori Blakaj e ka intervistuar shefin e Lumezit vetëm si dëshmitar. Paramendojeni çka kish me ndodh nëse Elez Blakaj do ta intervistonte Kadri Veslein si të akuzuar. Kërkesa jonë e dytë është Veting për sistemin gjyqësor në Kosovë, që do të thotë rishqyrtim të vendimeve të deritanishme të personave kryesor në sistemin gjyqësor dhe verifikim të pasurisë të personave kryesor të sistemit gjyqësor, pra të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kërkesa jonë e tretë është pastrimi i listave prej mijëra veteranëve të rrejshëm e mashtrues, që e dëmtojnë buxhetin e Kosovës me miliona euro”, tha Gashi.

Derisa, ka kërkuar ngritjen e aktakuzës për tërë komisionin për verifikimin e statusit të veteranit.

Akuza të ashpra ka pasur edhe ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj, të cilin e ka quajtur kriminel me tru në muskuj.

Gashi theksoi se janë mbledhur sot për t’iu treguar këtyre politikanëve se nuk do të lejojnë t’ua gërditin edhe me shumë Kosovën.

Gashi: Ramush Haradinaj është kryeministër primitiv e me tru në muskuj

“Çka me prit prej një kryeministri që mendon se vetëm ata që kanë luftuar me armë në dorë janë patriotë, ky është një kryeministër primitiv, një kryeministër me tru në muskuj. Po ashtu çka me prit prej një presidenti që pa u konsultuar me institucionet tjera, me partitë politike, e sidomos me qytetarët, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën e vendit e diskuton tërësinë territoriale të Kosovës. Gjatë viteve 90-ta, na kanë udhëhequr dy personalitete Ibrahim Rugova e Adem Demaçi, për të cilët mund të kemi vërejtje e mospajtime, por ama bota i ka vlerësuar si personalitete të jashtëzakonshme, për çka i ka nderuar me çmimin më prestigjioz në Evropë, Sakharov, për liri të mendimit e të veprimit. E, sot na udhëheqin persona, jo personalitet, por persona që bota i vlerëson si kriminel të jashtëzakonshëm për të cilët edhe e ka krijuar Gjykatën Speciale”, u shpreh Gashi.

Gashi, pos kërkesave që i shtroj më lartë, tha se duhet të kërkojnë edhe dorëheqjen e krerëve institucional dhe zgjedhje të reja.

Ndërsa, aktivistja për të drejtat e grave, Igballe Rogova, tha se do të jenë në rrugë deri në zbatimin e kërkesave të tyre. Ajo i ka quajtur të pafytyrë politikanët, të cilët po dalin publikisht dhe po tregojnë se po i përziejnë punët në drejtësi.

Rogova: Politika e zgjodhi Lumezin që t’ua lajë të palarat

“Para dy viteve zgjodhën njeriun që t’iu lajë të palarat, e ky njeri, për të cilin kemi dalë me kërkesën të shkarkohet, ky njeri në vend se të dëshmojë se drejtësia funksionon në Kosovë, ky njeri kritikon për jo profesionalizëm prokurorin që bëri punën si duhet. Ky kryeministër nuk ndalet me kaq jo, na tregon politika qysh i futë hundët në drejtësi. Kryeministri i thotë hajn, kush more është hajn, hajn po thotë është prokurori që mbron paranë publike. Jo more nuk është hajn. Pastaj ky tjetri që po shitet politikan modern Veseli, e quan prokurorin frikacak, po ky prokuror guxoi të flasë po farë frikacaku”, theksoi Rogova.

Aktivistja për të drejtat e njeriut, duke e quajtur odë burrash Qeverinë e Kosovës, tha se ekzekutivi bëri me shumë se 20 ministri e mbi njëqind zëvendësministra që të rehatojë militantët e vet.

Kritika e akuza pati edhe ndaj, siç e ka quajtur ajo, Sulltanit, Hashim Thaçi, për të cilin theksoi se nuk mjafton vetëm kërkimfalja, por duhet të jep dorëheqje, pasi me gratë e Gjakovës foli përmes Facebook-ut, duke kërkuar tolerancë. Sipas saj, një president i mirëfilltë duhet të shkonte në Gjakovë dhe t’iu kërkonte nënave nëse duhet t’i lejojnë pelegrinët të shkonin në Gjakovë.

Krejt në fund, aktivisti Rron Gjinovci, improvizoi Kuvendin me qytetarët, duke iu kërkuar që ta miratojnë kërkesën që të mërkurën e javës së ardhshme të mbahet protesta tjetër. Me ngritje dore, protestuesit miratuan që edhe javën tjetër të kërkohet dorëheqja e Lumezit dhe Veting për gjyqësorin

Kërkohet dorëheqja e Lumezit

Organizatorja e protestës, Igballe Rugova ka thënë se do të vazhdojnë të protestojnë derisa të zbatohen kërkesat e tyre.

Sipas saj, dy vite më parë është zgjedhur personi që tani po kritikon me joprofesionalizëm prokurorin Elez Blakaj që bëri punën siç duhet.

“Kemi protestu edhe kundër Prontos por ajo po vazhdon pra jemj në rruge dhe do të jemi deri në zbatim të kerkesave tona. Para dy viteve muhabetet i bënin tinëz por uzbuluan bisedat sot politikanët po flasin me telefona të thjeshtë por sot ata të poshter dalin dhe i tregojnë qytetarëve se përzihen në drejtësi. Para dy viteve zgjodhan njeriun që tua lajë të palarat e ky njeri kritikon për joprofesionalizëm prokurorin që e bëri punën sic duhet”, ka thënë ajo gjatë protestës e cila po mbahet për dorëheqjen e Aleksandër Lumezit.

Rugova konsideron se kjo qeveri nuk është, përveçse një odë burrash.

Kjo qeveri nuk është qeveri por odë burrash, marre sepse më shumë se 20 ministri e 100 e dicka zv/ministra ku ka kështu? Vetëm që të rahatohen militantët e koalicionit, kjo odë burrash nuk e morën edhe atë femër që mbeti për hastret, atë të Integrimeve.. por shkuan këta baballarët të dalin në fotografi me Mogherinin. Këta udhëheqës që janë odë burrash po udhëhiqën nga dikush që promovon Kanunin në vend qe të zbatojë ligjin”, ka shtuar tutje ajo.

Kundrejt Thaçit ajo ka drejtuar një kërkesë.

“Sulltani që  u zgjodh president me qyk të zorit, Hashim Thaçi, ju e dini kur ka qenë kryeministër ka bërë shumë skandale, shumë dallavere. E kam një kërkesë për Thaçin, allahile jepja një mirenjohje Vuçiqit që e ki shok.”, ka thënë ajo gjatë fjalimit të saj.

***

Qytetarë të shumtë, shoqëri civile, por edhe aktivistë të partive opozitare janë mbledhur në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në protestën e dytë për të kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe veting për sistemin e drejtësisë.

Edhe sot sikurse javën e kaluar protestuesit po mbajnë në duar pankarta me mbishkrimin, "Lumez Ik","Veting për gjyqësorin","Pishpirik je vetë", e tjera.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kohë më parë ka bërë me dije se nuk do të japë dorëheqje nën presionin e protestave. 

Image

Protestë për shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi (Drejtpërdrejt)

Organizatorët e inicativës #Protestoj, kanë ftuar sërish qytetarët që sot të dalin në protestë, me kërkesën për shkarkim të kryeprokurorit Aleksandër Lumezit, veting gjyqësorit si dhe me kërkesën që listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UCK), të pastrohen dhe dinjiteti i veteranëve të vërtetë të kthehet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat