Kurti: Na ka mbetur që djali i Thaçit të martohet me vajzën e Vuçiqit

Aktuale

Kurti: Na ka mbetur që djali i Thaçit të martohet me vajzën e Vuçiqit

Më: 5 shtator 2018 Në ora: 10:13
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, tha se kufijtë e Kosovës duhet të konsiderohen të Republikës së Kosovës dhe asnjë person sipas tij nuk ka të drejtë t’i diskutojë në tavolinë.

Takimet e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me homologun serb Aleksandër Vuçiqin sipas Kurtit janë ilegale sepse presidenti ka shkuar pa mandatin e Kuvendit në takime ndërsa sipas tij liderët kanë filluar t’i ngjajnë monarkëve të vjetër që diskutojnë për territore si të ishin personale.

“Na ka mbet vetëm që djali i Thaçit të martohet me vajzën e Vuçiqit dhe të kthehemi si para pesë shekujve”, tha Kurti.

“Është rëndësishme ta përpilojmë listën me kërkesa për Serbinë sepse ajo na ka shumë borxh”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, pozita ka filluar nga fundi, së pari me emrat e njerëzve për ekipin negociator.

“Një herë është njeriu, posti, e më pastaj ndoshta bënë ndonjë gjë”, tha Kurti.

Sipas tij, deklaratat e presidentit Thaçi, për korrigjimin e kufijve dhe se marrëveshja do të jetë e dhimbshme ka tendenca që të kthehemi në vitin 2007 kur nuk e kishim statusin e definuar.

“Këto orvatje të presidentit janë sulm mbi shtetësinë tonë. Ai i cili e kërkon i pari shkëmbimin territorial ai heq dorë nga një pjesë e territorit të vet… Kanë heq dorë nga veriu e Luginën nuk kanë me marr”, tha ai.

Kurti shtoi se dëshira e Serbisë ka qenë që kërkesa për shkëmbim territorial të jetë e Kosovës.

Këto deklarata Kurti i tha në tryezën “Loja me Kufij: Luftë apo Zgjidhje në Ballkan?” ku po diskutohet për qëndrimin e partive politike të Kosovës rreth kësaj ideje, koston e një opsioni të tillë për Kosovën si dhe të ardhmen e aseteve ekonomike e strategjike të Kosovës që gjenden matanë lumit Ibër, raporton kallxo.

Folës në tryezën e moderuar nga Jeta Xharra do të jenë: Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të LDK; Albin Kurti, kryetar i LVV, Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanovcit; Fehmi Beja, kryetar i Komunës së Medvegjës; Nenad Rashiq, kryetar i PDP; Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, si dhe deputetë, ish-deputetë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat