Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka pritur sot në takim Avokatin e Popullit Hilmi Jashari dhe zëvendës-avokaten e Popullit, Edona Hajrullahun me të cilët bisedoi për koordinimin lidhur me çështje të drejtave të njeriut dhe opinionet Amicus Curiae, të cilat Avokati i Popullit ia adreson gjyqësorit në cilësinë e mikut të gjykatës.
Kryetari Peci, ka vlerësuar lart angazhimin e Avokatit të Popullit në mbrojtje të të drejtave të njeriut, duke shprehur njëkohësisht, gatishmërinë për bashkëpunim institucional mes dy institucioneve.
Ndërkaq, Avokati i Popullit ka përmendur disa raste sfiduese, për të cilat, ky institucion ka ndërmarrë hapat e nevojshëm, ka nxjerrë opinione për të ndihmuar Gjykatën Supreme në çështje të caktuara, kur kjo e fundit përcakton qëndrime parimore dhe mendime juridike, në çështjet që kanë rëndësi për zbatimin unik të ligjeve nga gjykatat e Kosovës.
Bashkëbiseduesit u dakorduan që të ndërmarrin hapa konkret në luftimin e diskriminimit, në zbatim të konventave ndërkombëtare për të drejta të njeriut nga gjyqësori dhe në aspekte tjera të ngjashme, të cilat ndikojnë në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.