Thaçi: Kategorikisht e refuzoj shkëmbimin e territoreve, s’i kam dëgjuar ende kërkesat e Serbisë

Aktuale

Thaçi: Kategorikisht e refuzoj shkëmbimin e territoreve, s’i kam dëgjuar ende kërkesat e Serbisë

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 15:03
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se e refuzon ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve.

Sipas Thaçit, ajo çka duhet të bëhet është demarkimi i kufirit me Serbinë. Nga Brukseli, presidenti ka ftuar partitë politike për dialog, mirëkuptim dhe siç tha ai një qasje të përbashkët karshi dialogut me Serbinë.

Presidenti i Kosovës, që u takua sot vetëm me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinin, por jo edhe homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq, tha se Kosova është unike për dialog dhe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Këto deklarata presidenti i ka bërë para gazetarëve sot pasdite në Bruksel.

Thaçi: Kategorikisht e refuzoj shkëmbimin e territoreve

“Kategorisht e refuzoj ndarjen, kategorisht e refuzoj shkëmbimin e territoreve, dhe të njëjtën kohë pretendimin për krijimin e ndonjë ‘Republika Sprska’ . Duhet të përmbyllet korrigjimi, demarkimi i kufirit prej 430 kilometra me Serbinë, në mënyrë që të njihen të dy vendet tona. Atë se çka kërkon Serbia unë nuk jam nga ata që pretendoj të di, mund të imagjinoj, por është me rëndësi unë prezantoj atë çka dua unë, atë çka duan populli i Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës, është në interes që të arrihet marrëveshje në interesin e të dy vendeve dhe dy popujve tanë”, tha ai.

Thaçi tha se nuk mund të jap ndonjë datë kur do të mbahet takimi i radhës në Bruksel, veçse tha se Kosova nuk ka asnjë arsye të refuzojë dialogun dhe negociatat.

Presidenti i Kosovës duke thënë se përfaqëson unitetin politik dhe qytetar të Republikës së Kosovës, ftoi partitë politike në Kosovë për mirëkuptim dhe dialog.

Thaçi: I ftoj të gjitha partitë për dialog

“Nuk anoj as kah pozicion i pozitës  e as i opozitës, përfaqësoj unitetin politik dhe qytetar të Republikës së Kosovës, i ftoj për dialog, për mirëkuptim dhe një qasje të përbashkët karshi dialogut me Serbinë, të gjithë jemi ballafaquar me Serbinë, të gjithë duam dialog, të gjithë e duam Kosovën në NATO dhe Bashkim Evropian, të gjithë e dimë se pa një marrëveshje të fqinjësisë së mirë në mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka lëvizje drejt së ardhmes evropiane”, tha ai.

I pyetur për kërkesat e palës serbe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, Thaçi tha se ende nuk ka dëgjuar asgjë zyrtare.

Thaçi: Nuk i kam dëgjuar ende kërkesat e Serbisë

“Unë ende nuk i kam dëgjuar kërkesat e Serbisë, kam lexuar opinione të ndryshme por diçka e tillë zyrtare institucionale nuk ka ndodhur”, tha ai.

Edhe një herë, lidhur me vizitën e mundshme të Aleksandër Vuçiq në Kosovë, presidenti Thaçi tha se institucionet e Kosovës kanë treguar vullnetin e mirë dhe do të jenë të përgjegjshëm në këtë drejtim.

***

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi po mban konferencë për media në Bruksel.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat