Haradinaj: Banorët e Podgorit do ta kenë mbështetjen e Qeverisë - Bota Sot
Haradinaj: Banorët e Podgorit do ta kenë mbështetjen e Qeverisë

Aktuale

Haradinaj: Banorët e Podgorit do ta kenë mbështetjen e Qeverisë

Më: 15 shtator 2018 Në ora: 20:46
Ramush Haradinaj, në vazhdën e aktiviteteve të sotme, zhvilloi një vizitë pune në fshatin Grnçar të rajonit të Podgorit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në vazhdën e aktiviteteve të sotme, zhvilloi një vizitë pune në fshatin Grnçar të rajonit të Podgorit, ku Shoqata Kulturore Artistike “Podgorski Biseri” organizoi një program artistik kulturor me vallet tradicionale të kësaj zone.

Siç njofton Zyra e kryeministrit, me këtë rast para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj kuptoi se përveç papunësisë, nga banorët u njoftua edhe për shqetësimin e tyre rreth mungesës së ujit të pijshëm, duke e konfirmuar atë se Qeveria do ta mbështesë kërkesën e tyre për investim në ujësjellës për t’ua sjellë atyre ujin e pijshëm.

Kryeministri Haradinaj i falënderoi banorët për mikpritje dhe i përgëzoi për ruajtjen e vlerave kulturore tradicionale.

“Ju përgëzoj për ruajtjen e vlerave tuaja tradicionale si dhe pavarësisht sfidave që jeni përballur si komunitet keni vazhduar të qëndroni në vendet e tuaja të lindjes. Qeveria ime do t’i ketë parasysh kërkesat tuaja, sidomos mungesën e ujit të pijshëm me të cilën ju ballafaqoheni, por do ta keni përkrahjen time përmes investitimit për zgjidhje të këtij problemi”, shtoi Kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq, edhe ministri Rasim Demiri, tha se ndihet krenar që është pjesë e qeverisjes Haradinaj, duke vlerësuar se komuniteti boshnjak në asnjë Qeveri më herët nuk ka qenë më shumë  i  përfaqësuar në institucionet qendrore.

Kryetari i fshatit Edis Alilji, i cili tregoi për sfidat e fshatit, veçanërisht në ujësjellës, u shpreh i kënaqur me vizitën e kryeministrit Haradinaj, duke thënë se në këtë fshat dhe në përgjithësi në rajonin e Podgorit janë ruajtur vlerat kulturore dhe tradicionale duke kërkuar mbështetje për investime në ujësjellës për banorët e këtyre fshatrave, pasi sipas tij edhe përkundër vështirësive ata kanë vendosur të qëndrojnë në vendin e tyre të lindjes.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje dhe Bahrim Shabani, zëvendësministra dhe qytetarë të shumtë.

Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj, para të pranishmëve, foli edhe për proceset në të cilat po kalon Kosova, me theks të veçantë dialogun me Serbinë, duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dyja shteteve përveç që do t’i shërbente paqes, do t’i kontribuonte edhe stabilitetit rajonal.

Ai, tha se institucionet e Kosovës, janë duke punuar për rrugën e integrimit sa më të shpejtë në BE, NATO dhe institucione të tjera ndërkombëtare dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës përmes procesit të liberalizmit të vizave.

Në fjalën e tij në këtë vizitë, Kryeministri Haradinaj, i siguroi të gjitha komunitetet në Kosovë se institucionet kosovare janë duke punuar në vazhdimësi për përmirësimin e mirëqenies së tyre.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...