SHBA përkrah Thaçin e Vuçiqin dhe "mbështetet në zgjuarësinë" e Mogherinit - Bota Sot
SHBA përkrah Thaçin e Vuçiqin dhe "mbështetet në zgjuarësinë" e Mogherinit

Aktuale

E hënë, 15 tetor 2018

SHBA përkrah Thaçin e Vuçiqin dhe "mbështetet në zgjuarësinë" e Mogherinit

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 19:06
Kyle Scott

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Kyle Scott, tha se presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, e kanë ndihmën e Amerikës në kërkim të një zgjidhjeje paqësore të mosmarrëveshjeve, porse SHBA mbështetet në zgjuarësinë e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Mogherini është ndërmjetësuese e dialogut midis Thaçit dhe Vuçiqit.

Scott, në një konferencë në Beograd për sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, tha se ekzistojnë "tri çështje kritike në rajon": dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës, kontesti i emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe mbajtja e Bosnje dhe Hecegovinës shtet.

"Lajm i mirë është se këto probleme nuk janë të pazgjidhshme. Shohim guxim te liderët e Maqedonisë dhe Greqisë. Përparimi në Bosnje nuk është aq i shpejtë. Në Beograd shohim lëvizje të reja sa i përket marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve (me Kosovën). Shpresojmë se zgjidhja e pranueshme dhe e qëndrueshme do të gjendet shpejt", tha Scott, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Thaçi dhe Vuçiq kanë shpalosur së voni idenë e ndryshimit të kufijve, si zgjidhje e mundshme e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve. Mogherini ka thënë se çdo zgjidhje është e pranueshme përderisa është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare./Rel/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test