Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka qenë për ngushëllime në familjen e ish oficerit të TMK-së, Skënder Smajl Krasniqit.
“Baca Skendë ishte i vendosur në luftë dhe veprimtar në paqe, gjithnjë për çlirim të popullit e bashkim të kombit. Jo vetëm në punë e aktivitet por edhe në biseda e ndeja mbetet i paharrueshëm. Po, shpesh i zemëruar me gjendjen tonë shoqërore, me situatën politike, apo goditjet që pësonte në familje nga pushtetet, mirëpo asnjëherë i pikëlluar, i dëshpëruar apo i mërzitur”, këto ishin fjalët e Kurtit të shkruara në librin përkujtimor, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë:
Oda në Carrallukë ishte e mbushur përplot me njerëz. Kishin ardhur për ngushëllime për vdekjen e Skënder Smajl Krasniqit. Ish luftëtarë të UÇK-së, ish të burgosur politikë, të gjithë veprimtarë të çështjes kombëtare. Njerëz që janë bashkë në idealin e lirisë e barazisë, por që kishin ardhur ndaras nga komuna anembanë Kosovës e vise të ndryshme shqiptare, ja ku u bënë bashkë në nderim të Skënderit. Para se të përshëndetem me djemtë e tij Albanin, Arbenin, Dardanin, Shkumbinin e Hazirin (e ku mungonte Muhameti që mbahet në burg në Idrizovë për rastin e montuar të Kumanovës), shkrova këto fjalë në librin përkujtimor:
Baca Skendë ishte i vendosur në luftë dhe veprimtar në paqe, gjithnjë për çlirim të popullit e bashkim të kombit. Jo vetëm në punë e aktivitet por edhe në biseda e ndeja mbetet i paharrueshëm. Po, shpesh i zemëruar me gjendjen tonë shoqërore, me situatën politike, apo goditjet që pësonte në familje nga pushtetet, mirëpo asnjëherë i pikëlluar, i dëshpëruar apo i mërzitur.
Lavdi veprës e jetës së këtij luftëtari të UÇK-së e oficeri të TMK-së!
Albin Kurti
30 shtator 2018