Gjermania ofron përkrahje për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova

Aktuale

Gjermania ofron përkrahje për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 11:46
Dhurata Hoxha, priti në takim Maria Flachsbarth

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti në takim Maria Flachsbarth, Sekretare e Shtetit në Ministrinë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, njëherësh anëtaren e Bundestagut gjerman, me të cilën diskutoi për liberalizimin e vizave si dhe procesin integrues.

Ministrja Hoxha theksoi se kushtet për liberalizimin e vizave sipas udhërrëfyesit të gjitha 95 janë përmbushur, tashmë ka filluar fushata për informimin e qytetarëve për lëvizjen e lirë, duke shpërndarë materiale edhe në gjuhët e komuniteteve në të gjitha lokalitetet e vendit.

Hoxha e falënderoi Flachsbarth, për kontributin e Gjermanisë në zgjidhjen e sfidave të Kosovës.

“Kosovës i duhet përkrahja për përshpejtimin e vendimmarrjes brenda këtij viti – sepse i kemi përmbushur të gjitha 95 kriteret. Vota e Gjermanisë në Këshillin e Ministrave është me rëndësi thelbësore për këtë proces”, theksoi Hoxha.

Sipas ministres, qytetaret e Kosovës nuk do ta keqpërdorin këtë të drejtë.

Siç thuhet në njoftim sekretarja e Shtetit, njëherësh edhe deputete e Bundestagut gjerman, Flachsbarth vlerësoi lart përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e kushteve për liberalizim, duke vënë në pah rëndësinë e fuqizimit të sundimit të ligjit dhe Agjendën Evropiane të Reformave.

Ajo theksoi se Gjermania ka shprehur qëndrimin e vet për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit perëndimor, rëndësinë e paqes në këtë pjesë të Evropës si dhe zhvillimin ekonomik, duke ofruar përkrahje të gjithanshme për proceset aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat