Carl Bildt: NATO të dërgojë më shumë trupa në Kosovë

Aktuale

Carl Bildt: NATO të dërgojë më shumë trupa në Kosovë

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 12:28
Carl Bildt

Ish-kryeministri suedez, Carl Bildt, i cili përgjatë viteve të 90-ta, ka qenë i angazhuar ekskluzivisht në ngjarjet politike dhe në konfliktet në Ballkan, ka thënë se NATO-ja duhet ta rrisë praninë e saj ushtarake në Republikën e Kosovës dhe në Bosnje për shkak të diskutimeve që po bëhen për lëvizje të kufijve.

“Rekomandimi im për NATO-n dhe BE-në është që të rrisin praninë e forcave ushtarake në Kosovë dhe Bosnje, për shkak të paqëndrueshmërisë që ky diskutim mund të shkaktojë”, ka shkruar në Twitter Bildt, teksa ka komentuar idenë për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shqetësimin e Bildt e kanë pasur edhe shumë ish-diplomatë të BE-së, të cilët kanë thënë se ideja për lëvizje të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të shndërrohet në precedent edhe për shtetet tjera të rajonit duke përfshirë këtu Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila sfidohet vazhdimisht nga “Republika Srpska”.

Bildt ka shërbyer si i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian në ish-Jugosllavi nga qershori 1995, ka marrë pjesë në Konferencën e Paqes në Dejton, në nëntor 1995 dhe ka qenë Përfaqësues i Lartë për Bosnje dhe Hercegovinën nga dhjetori 1995 deri në qershor 1997, menjëherë pas Luftës së Bosnjës.

Nga viti 1999 deri në vitin 2001, ai shërbeu si i dërguar i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Ballkanin.

Ditë më parë, mediumi kredibil amerikan, “Wall Street Journal” publikoi një artikull në të cilin fliste për një memorandum të hartuar nga liderë të BE-së dhe nga SHBA-ja që mbështet idenë e korrigjimit të kufijve, por që në të nuk ishte e përfshirë Gjermania, kancelarja e të cilit vend ka dalë haptas kundër kësaj ideje.

Edhe në Bosnje e Hercegovinë, situata politike është e paqëndrueshme si pasojë e Republikës Serbe, e cila sfidon vazhdimisht shtetin boshnjak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat