Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reagoar pas bojktotit nga takimi i sotëm i thirrur nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, në të cilin është diskutuar draft-rezoluta e hartuar ditë më parë nga Qeveria për dialogun me Serbinë në Bruksel.
Në një postim në Facebook, shefi i Grupi parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, ka thënë se LDK-ja kishte propozuar një rezolutë në të cilën çështja e territoreve nuk duhej të ishte pjesë e dialogut.
Ai ka theksuar se “ata që sot po përpiqen të kontrabandojnë veten në këtë dialog, kanë qenë penguesit kryesor të përpjekjes për ta mbrojtur shtetin”.
Sipas Hotit, vetëm zgjedhjet e reja, i japin frymë institucioneve në vend.
Reagimi i plotë i Hotit:
Si Lidhje Demokratike e Kosovës, për ta mbrojtur integritetin territorial të Republikës së Kosovës, kemi propozuar Rezolutën me të cilën do të vendosnim vijën kryesore të kuqe në dialogun Kosovë-Serbi – territori i Kosovës të mos jetë pjesë e dialogut.
Ata që sot po përpiqen të kontrabandojnë veten në këtë dialog, kanë qenë penguesit kryesor të përpjekjes tonë për ta mbrojtur shtetin.
Të tillët kanë dëshmuar tash e sa kohë se kurdo që ju nevojitet, e vejnë në pikëpyetje shtetësinë, pozitën ndërkombëtare dhe territorin e vendit. E kane filluar më 22 dhjetor të vitit të kaluar, e po vazhdojnë sot e gjithë ditën.
Të tillëve, jo që nuk duhet votuar rezolutën, por një orë e para duhet larguar nga pushteti.
Vetëm zgjedhjet i japin frymë demokracisë dhe institucioneve në vend. Çdo vonesë e bënë edhe më të paqartë të ardhmen tonë.