Votohen të gjitha ligjet për FSK-në - Bota Sot
Votohen të gjitha ligjet për FSK-në

Aktuale

Votohen të gjitha ligjet për FSK-në

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 07:59

(E plotësuar) - Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha tha se në momentin që të krijohen kushtet e favorshme politike dhe vendimmarrëse, do të vazhdohet me procedimin e ndryshimeve kushtetuese për të ndryshuar edhe emri i FSK-së.

Berisha tha se me këtë projektligj parashihet që të ketë kompetenca të reja në mbrojtjen e territorit të Kosovës, e cila do të jetë e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit.

Berisha: Do t’ia ndryshojmë emrin

“Është me rëndësi të theksohet se në momentin kur të krijohen kushtet e favorshme politike, vendimmarrëse ne do të vazhdojmë që edhe t’i procedojmë ndryshimet kushtetuese që të ndryshohet edhe emri i FSK-së“, tha ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikollovci

Mikullovci pati një ankesë rreth numrit të ushtarëve, ku tha se duhet të ketë më shumë rezervistë. Atij i ka thënë Xhavit Haliti, dhashtë Zoti që mos të ketë nevojë për asnjë.

Mikullovci: Të ketë më shumë rezervistë

“Më befason fakti se është paraparë 5000 ushtarë të rregullt e 3000 rezervista, unë kisha prit që rezervista të ketë dy herë më shumë se sa të rregullt, ku është kuptimi me pas më pak rezervista se sa ushtarë të rregullt”, tha ai.

Votohen të gjitha ligjet për FSK-në

Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës është votuar me 96 vota.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar edhe projektligjin për FSK-në me 98 vota dhe atë për Ministrinë e Mbrojtjes për të cilin kanë votuar 101 vota.

Për kanë votuar të gjitha partitë shqiptare dhe ato të minoriteteve përveç deputetëve të Listës Serbe që e kanë bojkotuar seancën.

Ligji për FSK votohet nga 98 deputetë

 Edhe projektligji për Forcat e Sigurisë së Kosovës ka marr 98 votat e deputetëve.

Para këtij është votuar projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes ku për të kanë votuar 101 deputetë.

Deputetët serbë e kanë kundërshtuar këto projektligje dhe kanë bojkotuar seancën. Tash mbetet vetëm që të votohet projektligji për shërbimin në FSK.

Image

Kalon Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes

Kalon Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes101 deputetë kanë votuar për projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Në sallë kanë qenë 102 deputetë ndërsa përkrahje i kanë dhënë të gjitha partitë shqiptare ndërsa deputetët e Listës Serbe e kanë kundërshtuar këtë projektligj dhe e kanë bojkotuar seancën.

Image

Konjufca kërkon që ushtria të ketë “nëndetëse për presidentin”

Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Glauk Konjufca tha se dikur Hashim Thaçi i akuzonte se e pengojnë formimin e ushtrisë.

Ai tha se kryeministri i atëhershëm nuk e ka sjell FSK-në në këtë formë, sepse nëse do të veprohej njëjtë, do të përkrahnin.

"Është moment i rëndësishëm që e kam prit shumë vite, që të qartësohet një mjegull që e pati shpërndarë Hashim Thaqi atëherë kryeministër, tash president. Pas asaj që bëri Lista Serbe këtu, pas koordinimit të saj ke Serbinë. Këto janë veprime të koordinuara nga Vuçiq dhe Beogradi. Thaçi atëherë akuzojke opozitën, na thoshte se ju nuk po dëshironi të formoni ushtrinë. Na kanë hyrë në hak për 4 vjet, keni rrejt e keni mashtru. Kadri Kastrati dje tha qe opozita e atëhershme e ka pengu formimin e ushtrisë. Po të kishte ardh FSK sikur sot, ne do të vepronim sikur sot. Por kryeministri i atëhershëm nuk e sillte FSK-në sikur sot", tha ai.

Konjufca në fjalën e tij madje edhe ka ironizuar duke e pyetur ministrin e FSK-së Rrustem Berisha a kanë menduar që “ushtria të ketë nëndetëse për presidentin pasi që po del me jahta”.

Haradinaj: Të gjithë kanë arsye të ndihen të sigurt

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se me të tri ligjet FSK do ta ketë detyrë mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës, mbrojtjen e qytetarëve dhe komuniteteve, si dhe pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare.

Haradinaj në seancën e Kuvendit, ka siguruar të gjithë qytetarët se do të jenë të sigurt.

Haradinaj: Në një Kosovë të sigurt të gjithë kanë arsye të ndihen të sigurt

“Iu sigurojë që në një Kosovë të sigurt të gjithë kanë arsye të ndihen të sigurt edhe komunitetet, kjo është edhe një punë që bëhet për të gjithë qytetarët e vendit, sa i përket funksioneve të FSK-së, që të tria ligjet kanë një detyrë, është mbrojtja e integritetit territorial të Kosovës, mbrojtja e qytetarëve dhe komuniteteve të Kosovës, mbrojtja ushtarake civile dhe pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare“, ka thënë Haradinaj.

Kurse, Fatmir Xhelili tha se PDK përkrah këtë projektligj dhe do ta japin kontributin e tyre në lexim të dytë.

Xhelili: Lista serbe nuk përfaqëson të gjithë qytetarët e komitetit serb

“Më vije keq që pjesëtarët e listës serbe u larguan nga salla para votimit të projektligjit, por për shkak të korrektësisë lista serbe nuk përfaqëson të gjithë qytetarët e komitetit serb të Kosovës sepse ka shumë qytetarë të komunitetit serb të Kosovës e përkrahin FSK, janë pjesëtar të FSK-së dhe ka shumë kërkesa që ata edhe në të ardhmen të jenë pjesëtar të FSK-së, por fatkeqësisht disa prej tyre janë të kërcënuar dhe me padurim e presin mundësinë që shteti jonë t’i krijojë kushte të evitojë ato kërcënime që ata të bëhen edhe numër më të madh në FSK, për të cilën kanë respekt”, tha ai.

Hoti tregon kush është kundër ushtrisë së Kosovës

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se vetëm ata që janë kundër NATO-s, janë kundër mandatit të ri që duhet të ketë Forca e Sigurisë së Kosovës dhe vetëm ata që janë kundër interesave euro-atlantike në Kosovë dhe rajon, janë kundër që shteti i Kosovës të ketë ushtri.

Hoti në seancën e sotme të Kuvendit, ka thënë se është momenti që të gjithë të bashkohen pasi po merret një vendim për sigurinë e Kosovës dhe rajonit.

Hoti: Ata që janë kundër NATO-s, janë kundër ushtrisë

“Dëgjojmë zëra nga fqinji verior kundër ushtrisë së Kosovës. Është e qartë se vetëm ata që janë kundër NATO-s, janë kundër mandatit të ri që duhet të ketë Forca e Sigurisë së Kosovës, vetëm ata që kanë kundër interesave euro-atlantike në Kosovë dhe rajon, janë kundër që shteti i Kosovës të ketë ushtri, vetëm ata që promovojnë interesa tjera në Ballkan, si ato të federatës ruse apo të ngjashme, janë kundër ushtrisë së Kosovës“, ka thënë ai.

Ai tha se duam ushtri moderne për të promovuar paqen dhe për të ruajtur paqen dhe sigurinë në botë, kudo që të ketë nevojë.

Në emër të PDK-së, Fatmir Xhelili tha se PDK e përkrah mandatin e ri të Ministrisë së Mbrojtjes.

Berisha: Ministria e Mbrojtjes do të funksionojë në përputhje me Kushtetutën

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha ka deklaruar se Ministria e Mbrojtjes do të hartojë dhe zbatojë politikat e përgjithshme shtetërore të mbrojtjes në nivel strategjik, si dhe do të ushtrojë funksionet dhe kompetencat e saj në përputhje me Kushtetutën.

Duke  prezantuar projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, ministri Berisha tha se ky projektligj parasheh që të bëhet riorganizimi i Ministria e Forcës së sigurisë së Kosovës në Ministri të Mbrojtjes me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil, demokratik mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Berisha: Ministria e Mbrojtjes do të ushtrojë funksionet në përputhje me Kushtetutën

“Ky projektligj parasheh që Ministria e Mbrojtjes të ketë strukturën e saj organizative që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saja. Ministria e Mbrojtjes do të hartojë dhe zbatojë politikat e përgjithshme shtetërore të mbrojtjes në nivel strategjik, si dhe do të ushtrojë funksionet dhe kompetencat e saj në përputhje me Kushtetutën, me këtë ligj“, ka thënë Berisha.

Sipas tij, ky projektligj përcakton kompetencat e ministrisë, ministrit dhe sekretarit të përgjithshëm

Osmani deputetëve serbë: Ushtria do t’iu mbroj nga kriminelët në veri

Deputetja e LDK-së Vjosa Osmani tha se seanca e sotme do të kryejë një punë që është vonuar.

"Në fillim të vitit 2016 kam qëndruar në këtë foltore që të procedohet me planin B pra me ndryshime ligjore, meqë nuk bëhej  ndryshe për shkak të bllokimit të serbëve", tha ajo.

Osmani tha se kjo mund të bëhet vetëm nëse kanë  përkrahjen e SHBA-ve dhe  vendeve tjera në NATO.

Deputetja e LDK-së tha se vullneti i 10 deputetëve nuk mund të shkel vullnetin e 100 deputetëve tjerë.

"Ju nuk rrezikoheni nga ushtria, por , ju dhe ne rrezikohemi vetëm nga bandat në veri. Por kjo ushtri do të iu mbroj juve nga ata kriminelë, edhe pse ju dolët nga salla", tha Osmani

Lista Serbe s’e “përballon” Ushtrinë e Kosovës, braktisë seancën

Lista Serbe e ka braktisur seancën e Kuvendit të Kosovës, pak minuta para se të hidhen në votim tri projektligjet për Ushtrinë.

Njëri nga deputetët e Listës Serbe mbajti një fjalim të shkurtër ku shprehi qëndrimin kundërshtues të Listës Serbe, para se ky grup të braktiste seancën.

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë gjatë seancës se ndryshimi i ligjeve për FSK-në është në kundërshtim me aktet ndërkombëtare për Kosovën.

***

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti tha se partia e tij e përkrah formimin e ushtrisë dhe se do e votojë projektligjin që e ka prezantuar ministri i FSK-së Rrustem Berisha.

Hoti tha se ashtu siç ka sjell paqe dhe stabilitet krijimi i shtetit të Kosovës, ashtu do të sjell edhe formimi i ushtrisë.

Në fjalimin e tij Hoti tha se ka pas përpjekje dhe ka, për të akuzuar pa bazë dhe për nxjerrje të përfitimeve personale.

Sipas tij ka pas përpjekje për të marrë meritat për themelimin e ushtrisë.

 "LDK gjatë kohës sa ka udhëhequr Qeverinë ka bërë përpjekje të pandalshme që të ketë ushtri të mirëfilltë. Themelimi i ushtrisë është një arritje edhe e SHBA-ve.  Kjo forcë do të punojë për sigurinë e te gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim. Ju ftoj të mbështesni krijimin e kësaj force. Kjo forcë meriton të jetë pjesë e NATO-s.  Askush nuk duhet t’i druhet themelimit të kësaj force", tha Hoti.

Image
Avdullah Hoti

Berisha kërkon nga deputetët që ta votojnë ligjin për ushtrinë

Ministri i FSK-së Rrustem Berisha ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, duke kërkuar nga deputetet që ta votojnë atë.

Berisha tha se kjo është bërë sipas Kushtetutës.

 "Kjo është bërë në kuadër të Kushtetutës që do të mundësojë riorganizimin e Ministrisë. Ky projektligj parasheh riorganizimin e MFSK-së. Ministria e Mbrojtjes do të jetë e përbërë nga shërbyesit civil dhe personeli ushtarak", tha Berisha.

 Ai tha se të gjitha ndryshimet do të bëhen sipas rishikimit të sektorit të sigurisë që janë të dhe që janë të parashikuara në planin e tranzicionit.

Image
Rrustem Berisha

Nis shqyrtimi i ligjeve për ushtrinë

Kuvendi i Kosovës nis shqyrtimin e tri projektligjeve të propozuara nga Qeveria për FSK-në.

Krejt kjo pas mocionit të shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, që këto tri projektligje të hynë menjëherë në rend dite.

Mocioni nuk kaloi në votimin e parë. Aty reagoi kryeministri duke kërkuar që edhe një herë të votohet mocioni, i cili morri shumicën e votave të deputetëve.

***

Kryeministri i Kosovës dhe nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti janë përplasur gjatë seancës së Kuvendit teksa po votohej mocioni që ligjet për FSK-në të hyjnë në rend ditë të parat.

Pasi që për herë të parë nuk kaloi mocioni ishte kryeministri Haradinaj i cili i tha Halitit që po kryeson seancën “ Përsërite votimin, a je në gjumë a çka”?

Por reagimi i Halitit ndaj kryeministrit Haradinaj ishte i ashpër duke i thënë “Kqyri punët tua”.

“S’ka nevojë kryeministri të më tregojë punët e Kuvendit, unë nuk jam argat i askujt e as i Qeverisë”, i tha Haradinajt Haliti.

***

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar se Fabrika e përpunimit të nën produkteve të kafshëve, do të përfundojë në fund të vitit 2019.

Haradinaj gjatë seancës së Kuvendit, duke iu përgjigjur deputetit Driton Çaushi, tha se për shkak të procedurave në nisje ka pas vonesa për ndërtimin në këtë fabrikë.

Haradinaj: Fabrika e përpunimit të nënprodukteve të kafshëve në vitin tjetër

“Në vitin që vjen jo në pjesën e parë, por në vitin që vjen përmbyllen të gjitha procedurat për këtë fabrikë, aktualisht nuk mund ta konfirmojmë se do të kryhet kjo në pjesën e parë të vitit 2019 por brenda vitit po, atëherë rezulton se fabrika do të jetë operuese e tëra, diku në pjesën e dytë të vitit 2019 “, ka thënë ai.

Çaushi tha se kjo fabrika ishte paraparë të përfundojë në vitin 2017, dhe këto mbetje përfundojnë në deponi të qyteteve, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.

Kjo fabrikë do të kushtojë 7.7 milionë euro, ku 5.5 milionë euro do të jenë investim nga BE

***

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka kritikuar qeverisjen Haradinaj, duke thënë se ka shumë ambicie, lakmi, pangopësi, interesa të ngushta, zhvatje dhe gabime dhe fare pak interesa shtetërore dhe mbrojtje të të drejtave njerëzore.

Ai tha se nuk njeh asnjë person që në Kosovë do të bëhet më mirë, pasi në këtë pushtet ka shumë zhvatje dhe keqpërdorime.

Konjufca: Regjimi po shtrydh drejtësinë dhe gjyqësorin

“Ata që po marrin vendime nuk e kanë gjetur çelësin e zhvillimit ekonomik, drejtësia dhe gjyqësia janë shtrënguar pa mëshirë nga grushti i hekurt i regjimit dhe po shtrydhen deri në pikën e fundit, dhe a e dini kush po ë bën këtë, ata që rrahin gjoks dhe e përmendin çdo ditë Adem Jasharin, bash këta na kanë sjellë në këtë gjendje”, tha ai.

Ai foli edhe për dialogun me Serbinë.

Konjufca: Me ekipin negociator Thaçi dëshiron të jetë prokurori dhe gjyqtari

“Kemi parë një përpjekje të vazhdueshme të ekzekutivit për t’ia zgjedhuar ekipin negociator Hashim Thaçit, një ekip në të cilin vet ai do të ishte edhe prokurori edhe gjyqtari”, tha ai.

Konjufca shtoi se nga kjo krizë nuk mund të dalim, përveç që sovranit t’i ofrohet të zgjedhë.

Kurse, deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi propozojë që edhe projektligji për shtesat e fëmijëve të hyjë në rend dite. 

Vetëvendosje nuk po merr pjesë në seancë, LDK bojkoton pyetjet parlamentare 

Seanca e Kuvendit në të cilën në rend dite janë edhe projektligjet për FSK-në po vazhdon por pa prezencën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ata kanë dal nga salla menjëherë pas fjalimit të shefit të deputetëve Glauk Konjufca, i cili ka kritikuar Qeverinë për mos punë.

Në seancë po merr pjesë LDK por pa e shfrytëzuar të drejtën e pyetjeve parlamentare pikë kjo që është duke u mbajtur aktualisht.

Ministrat e Qeverisë janë duke u përgjigjur në pyetjet që kryesisht po bëjnë deputetët e PSD-së.

Musliu: Dikush është i interesuar që kullat e Jasharajve të harrohen

Seanca ka nis me shqetësimin për gjendjen e kullave të Jasharajve në Prekaz, ku u tha se janë disa të interesuar që ato kulla dhe historia më e re të harrohet.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu foli për ligjin për memorialin Adem Jashari.

Ajo tha se vendit i duhen pushtetarë që nuk mund të dalin para vetës dhe para partisë.

Musliu: Dikush është i interesuar që kullat e Jasharajve të harrohen

Video

"Duke parë sjelljet e disa partive politike lë për të kuptuar që dikush është i interesuar që kullat e Jasharajve dhe historia më e re të harrohet sepse ligji në fjalë nuk përmban asgjë tjetër përveç ruajtjes së trashëgimisë tonë historike dhe vlerave tona shpirtërore e kombëtare, konservimin e kullave të cilat e dini të gjithë tashmë janë në një gjendje të rënd dhe nga dita në ditë rrezikojnë të shemben dhe të shkatërrohen”, tha ajo.

Sipas saj, vendi tonë nuk i duhen ata pushtetarë që nuk mund të dalin mbi vete dhe partinë dhe qw nuk mund të vijnë në Kuvend të votojnë ligjin për memorialin Adem Jashari.

“Ne nuk mund të besonin që një parti që çdo ditë flet për bashkim kombëtar e nuk vjen në seancë për ligjin për kompleksin Adem Jashari”, tha ajo.

Ajo po ashtu tha se PDK ka bërë thirrje që të bashkohen për të votuar këtë ligj. 

***

Seanca ka nis me shqetësimin për gjendjen e kullave të Jasharajve në Prekaz, ku u tha se janë disa të interesuar që ato kulla dhe historia më e re të harrohet.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu foli për ligjin për memorialin Adem Jashari.

Ajo tha se vendit i duhen pushtetarë që nuk mund të dalin para vetës dhe para partisë.

"Vendi tonë nuk i duhen ata pushtetarë që nuk mund të dalin mbi vete dhe partinë. Qe nuk mund të vijnë në kuvend të votojnë ligjin për memorialin Adem Jashari. Ne nuk mund të besonin që një parti që çdo ditë flet për bashkim kombëtar e nuk vjen në seancë për ligjin për kompleksin Adem Jashari. Duke parë sjelljet e disa partive politike lë për te kuptuar që dikush donë t’i sheh tw rrënuara kullat e Jasharajve.", tha ajo

 Kuvendi shqyrton projektligjin për FSK-në 

Me fillim nga ora 10:00 Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare.

Nga gjithsej 46 pika të rendit të ditës që figurojnë për këtë seancë, pritet edhe debati në lidhje me ndryshimin e mandatit të FSK-së.

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, do të debatohen sot nga deputetët.

Projektligjet për FSK-në sot në Kuvend

Kuvendi i Kosovës nga ora 10:00 mban sot seancën plenare, ku në rend dite do të jenë në shqyrtim edhe projektligjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kuvendi i Kosovës mban sot seancën plenare, ku në rend dite do të jetë në shqyrtim edhe 3 projektligjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas njoftimit të Kuvendit, përveç shqyrtimit të Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes; Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës; dhe atij për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në rend dite janë dhe 43 pika të tjera.

Mbetet të shihet nëse Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje do të marrin pjesë në seancën e sotme plenare ku do të shqyrtohen pikat tjera të rendit të ditës.

Bojkotimi i seancave të rregullta plenare nga këto dy parti, ka bërë që edhe në mbledhjen e fundit të mos votohen disa nga projektligjet për mungesë kuorumi.

Këto janë pikat e rendit të ditës:

R e n d i  i  d i t ë

 1.      Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

2.      Koha për pyetje parlamentare,

3.      Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

4.      Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Sigurime Sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës,

5.      Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Sigurime Sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës,

6.      Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktatit që themelon komunitetin e transportit,

7.      Shqyrtimi i Projektligjit nr. 06/L-078 për Ratifikimin e “Marrëveshjes Bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut në kuadër të Projektit të bashkëpunimit zhvillimor, KSV/019: asistencë teknike në kontekstet e integrimit evropian”,

8.      Shqyrtimi i Projektligjit nr. 06/L-103 për Ratifikimin e ndryshimit dhe plotësimit nr. 1 të Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian,

9.      Shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës,

10.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes,

11.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës,

12.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës,

13.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave,

14.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për tatimin në të ardhurat personale,

15.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-176 për Hetim Parlamentar,

16.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Inspektoratin e punës,

17.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja,

18.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rregullimin e shërbimeve të ujit,

19.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së,

20.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për pagat në sektorin publik,

21.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të agjencive të pavarura,

22.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për zyrtarët publik,

23.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për transmetuesin publik të Kosovës,

24.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-075 për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive,

25.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 2004/22 për Kinematografinë,
26.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-065 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,

27.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-097 për bibliotekat,

28.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore,

29.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L -090 për Sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit,

30.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.06/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 2003/24 Ligji i Sportit ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-075 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/24 për Sport,

31.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për peticione,

32.  Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-049 për inovacion shkencor dhe transfer të dijes dhe teknologjisë,

33.  Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-036 për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës,

34.  Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ndërmarrjet Sociale,

35.  Shqyrtimi i Raportit vjetor të Qeverisë për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të  financave publike në sektorin publik të Kosovës për vitin 2017,

36.  Shqyrtimi i Raportit të Auditimit të Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit Prishtina Sh. A për vitin 2017,

37.  Shqyrtimi i Raportit vjetor mbi gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2017,

38.  Shqyrtimi i Raportit vjetor i punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2017,

39.  Emërimi i kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës,

40.  Emërimi i kryetarit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik,

41.  Emërimi i 7 (shtatë) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për trashëgimi Kulturore,

42.  Shkarkimi i z. Shqiprim Pula nga pozita e anëtarit të Bordit të Autoritetit Rregullator të komunikimeve elektronike dhe postare,

43.  Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur për Media nga radha e komunitetit jo-shumicë,

44.  Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radha e komunitetit serb,

45.  Propozimi i grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare dhe në atë hetimor,

46.  Emërimi i një (1) anëtari në Komisionin Hetimor Parlamentar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test