Thaçi: Mua nuk më ka lodhur politika, unë e kam lodhur atë

Aktuale

Thaçi: Mua nuk më ka lodhur politika, unë e kam lodhur atë

Nga: D.RR Më: 21 tetor 2018 Në ora: 11:29
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për media kroate është pyetur se, a mendon tërheqjen nga politika.

Presidenti Thaçi është shprehur se do vazhdojë të qëndrojë në politikë përderisa qytetarët e vendit i japin besimin. Madje, ai ka thënë se nuk është lodhur nga politika, por politika është lodhur nga ai, përcjell “Bota sot”.

“Nuk jam lodhur nga politika, politika është lodhur nga unë. Tashmë dy dekada jam në politikë, por jam në vjetët më të mira. Dhe derisa qytetarët e vendit tim më japin besimin, do të qëndroj në politikë. Besimi i qytetarëve më jap energji konstante. Mund të them se i kam jetësuar dy qëllime jetësore që janë edhe qëllime historike të Kosovës dhe të kosovarëve, e ato janë çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Qëllimi im i tretëështë anëtarësimi në NATO dhe BE, qëllim ky shumë më i lehtë, por që kërkon që të tregojmë mençuri dhe durim. Konsideroj se përvoja ime politike është e rëndësishme për shoqërinë kosovare”, ka thënë Thaçi.

Mirëpo, ai ka bërë të ditur se nuk do të kthehet në Kuvend e as në parti politike, po do të kandidojë vetëm si president.

“Por, ajo që mund të ua them dhe të ua pranoj është se nuk do të kthehem më në Kuvend, siç nuk do të kthehem as në parti politike. Nëse ndryshon mënyra e përzgjedhjes së presidentit, dhe që në vend ta votojë Kuvendi ta votojnë qytetarët, atëherë do të kandidojë dhe me siguri do ta fitojë besimin e qytetarëve. Nuk dua të jem më pjesë e lojërave politike. Dua të udhëheq shtetin me përkrahjen që ma japin qytetarët, e jo partitë politike përmes kalkulimeve matematikore në Kuvend. Deri më tani nuk ka kurrfarë indiciesh që do të ketë zgjedhje të parakohshme, sepse koalicioni është stabil dhe besoj se qeveria do ta kryejë mandatin e saj deri në fund. Në të gjitha shtetet demokratike ka raste të pikëpamjeve të ndryshme ndërmjet presidentit dhe kryeministrit dhe kjo është krejtësisht normale”, ka deklaruar Thaçi për mediat kroate, transmeton “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat