Pikat e PDK-së për rezolutën nuk e kufizojnë Thaçin, thonë se për territorin vendos Kuvendi

Aktuale

Pikat e PDK-së për rezolutën nuk e kufizojnë Thaçin, thonë se për territorin vendos Kuvendi

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 11:44
Hashim Thaçi

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka propozuar pika shtesë për Rezolutën për Dialogun. Ai tha se refuzimi ndaj dialogut, është dëmtim i Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ndaj miqve të vet.

Krasniqi ka paraqitur në emër të koalicionit qeverisës, gjashtë pikat që mund të përfshihen në Rezolutën për Dialogun.

 1. Kuvendi i Republikës së Kosovës i jep mbështetje vazhdimit të Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si mënyra më e mirë për arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare obligative ndërmjet të dy shteteve, që do të rezultonte me njohjen e ndërsjellë shtetërore të të dy palëve dhe me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB, si dhe me përshpejtimin e integrimit të Republikës së Kosovë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës do të angazhohet për arritjen e konsensusit të brendshëm politik për Dialogun Kosovë – Serbi, duke përfshirë Platformën e përbashkët për Dialogun, që do të përmbajë parimet themeltare dhe pozicionet shtetërore të Republikës së Kosovës për të gjitha çështjet që ndërlidhen me këtë proces.

3. Kuvendi i Republikës së Kosovës themelon një Komision të veçantë, me përgjegjësi për ta monitoruar nga afër procesin e Dialogut dhe punën e delegacionit të Republikës së Kosovës. Ky Komision do të përbëhet nga Kryetarët e Grupeve Parlamentare dhe do të udhëhiqet nga një përfaqësues i opozitës.

4. Delegacioni i emëruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, i plotësuar edhe me përfaqësues të partive opozitare, që do të përfaqësojë Republikën e Kosovës në Dialog, do t'i raportojë rregullisht Komisionit të veçantë për monitorimin e Dialogut mbi ecurinë e këtij procesi dhe zhvillimet e tij.

5. Kuvendi i Republikës së Kosovës ka rol qendror dhe vendimtar në Dialogun Kosovë – Serbi. Marrëveshja eventuale që mund të arrihet nga faza përfundimtare e Dialogut Kosovë – Serbi mund të jetë e vlefshme vetëm pas ratifikimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve ose nëse merr mbështetjen e shumicës së qytetarëve përmes referendumit.

6. Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme dhe vetëm Kuvendi i Republikës së Kosovës ka autoritet dhe kompetencë për të vendosur për këto çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat