Haxhiu: Haradinaj ka frikë ta ndalë Thaçin

Aktuale

Haxhiu: Haradinaj ka frikë ta ndalë Thaçin

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 18:13
Kryeministri Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë seancës së jashtëzakonshme që po vazhdon në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar nga deputetët që të dalin me një qëndrim të tyre lidhur me dialogun me Serbinë.

Haradinaj: Duhet të arrini një qëndrim të caktuar

“Besoj që kjo ide e kësaj seancë mund të jetë po ai moment, për shembull nuk e di sot a do të mbërrini ta përmbyllni këtë debat me një produkt, se e shoh që ka edhe mungesë të kuorumit, po nëse vazhdon kjo seancë, ju lutem mbërrini te një qëndrim i caktuar, jepni ato konkluzione të qarta, lehtësojani punën atyre që na përfaqësojnë që ta kenë të qartë se për çka të na përfaqësojnë”, ka thënë ai.

Ai po ashtu komentoi edhe deklaratat e deputetëve të cilët kritikuan presidentin Hashim Thaçi, dhe u tha deputetëve që secili dihet ta kryejë përgjegjësinë e vet në vend se t’i kritikojnë të tjerët.

Haradinaj:  Secili ta kryejë punën e vetë

“Atëherë le ta merr secili institucion pjesën e vetë të përgjegjësive, qeveria e merr ekspertizën, pra atë që po e bëjmë, parlamenti është dashur ta votojë edhe demarkacionin edhe platformën për delegacion, dhe tani, e vetmja gjë që parlamenti në njëfarë mënyre mund të thotë po e bën, është, nuk po shkon me dalë në fotografi me Vuçiqin, pra, me i paraqitë ato që i kemi para tij, ne nuk kemi nevojë të bëjmë garë se kush po shkon me dalë në fotografi me Vuçiqin, me cilindo burrështetas të ndonjë vendi, e lëre më me fqinjët tanë, me të cilët kemi kontekste të hapura, tragjedi e të kaluar shumë të dhimbshme, po s’është aty qëllimi”, u shpreh ai.

Kurse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se Haradinaj e ka të qartë punën e dialogut, por sipas saj, ai nuk po guxon ta ndalë presidentin Thaçi. Ajo po ashtu tha se Thaçi po bën shkelje kushtetuese përderisa po përfaqëson Kosovën në dialog me Serbinë dhe njëherësh rikujtoi që gjatë kohës kur ishte Jahjaga presidente, prapë Thaçi e kishte përfaqësuar Kosovën në dialog.

Haxhiu: Haradinaj nuk po guxon ta ndalë Thaçin

“Në momentin kur Haradinaj ka marrë drejtimin e Qeverisë në raport me dialogun ka theksuar se nuk merr vesh prej kësaj pune. Kjo është deklaratë skandaloze kur vjen prej një kryeministrit të vendit, por unë s’besoj që nuk merr vesh prej kësaj pune, sepse nuk ka guxim që ta ndalë Hashim Thaçin”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq pas replikës se deputetes Haxhiu, kryeministri Haradinaj tha se nuk u kthye në seancë për të krijuar polemika me deputetët, por me shpresën që deputetët do ta ‘japin’ provimin.

Haradinaj: Parlamenti duhet ta japë provimin

“Kisha pasur shumë dëshirë që parlamenti ta japë provimin. Mund të dështojë njëri, fatmirësisht jemi disa pushtete, pra është parlamenti, është qeveria, është presidenti është gjyqësori, por po e dha parlamenti provimin, ju siguroj që është me peshë të madhe, ju siguroj që ka ndikim të jashtëzakonshëm te të tjerët”, tha Haradinaj.

Seanca e jashtëzakonshme me kërkesë të LDK-së për rezolutën mbi dialogun me Serbinë është duke vazhduar. /D. Morina/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat