Haradinaj: Isha i njoftuar me dorëheqjen e Gent Begollit

Aktuale

Haradinaj: Isha i njoftuar me dorëheqjen e Gent Begollit

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 17:21
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë para disa ditësh.

Dorëheqjen e tij e ka komentuar sot edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i  cili tha se për këtë ka qenë i njoftuar ditë më parë, duke arsyetuar kështu vendimin e tij.

Haradinaj: Begolli ka komuniku me mua para se të dorëhiqej

“Me Gentin kom komuniku para se me dhon ai dorëheqje. Ka qenë tek unë m’i ka shpjegu sfidat  që ka në marrje të vendimeve. Pra, është jashtëzakonisht vështirë me marr vendime me kompaninë me vështirësitë që ka kompania, e cila është një kompani që ka shumë borxhe dhe shumë probleme financiare. Genti ka thënë që vizioni për me avancu kompaninë është i sigurt në këto rrethana dhe ka kërkuar që të lirohet nga përgjegjësia”, tha Haradinaj.

Mes tjerash ai ka besuar se Begolli mund të ketë suksese në shumë punë tjera.

Haradinaj në një konferencë për media është pyetur edhe se sa janë gjasat që Kosova të anëtarësohet në Interpol, tha se nuk dëshiron të spekulojë  me data.

Haradinaj: Nuk duhet të spekulohet me data sa i përket Interpolit

“Është kryesisht një ditë më shumë rend dhe ligj dhe më shumë luftë kundër-korrupsionit, si e tillë kjo temë trajtohet nga niveli operativ policor... të them të drejtën nuk muj me paragjyku si do të shkoj ky proces, por e dijmë që grupi punues i qeverisë është në veprim edhe mendoj që tash spekulimet në këtë kohë nuk kanë rëndësi, nuk kanë nevojë me i bë” ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj sërish ka folur edhe në lidhje me një konkurs për punësim të qytetarëve të Kosovës në Gjermani ku janë parë shumë të interesuar duke thënë se ndihet keq për këtë gjendje.

Haradinaj: Ne jemi duke punuar me sjell Gjermaninë në Kosovë

“Mu më dhemb, e ndjej këtë gjendje, unë gjatë këtij viti që jam në punë, kemi punuar intenzivisht, pikërisht me sjell Gjermaninë në Kosovë, jo ne me shku në Gjermani, pra me sjell kompani të investimeve. Në Prizren po mendojmë, mu atje ku po ndodh ajo skenë e aplikimeve të përgatisim parkun... që është park biznesi “, tha Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk ka lënë pa përmendur edhe deklaratat se është rritur buxheti i zyrës së kryeministrit. Ai ka mohuar një gjë të tillë. Sipas tij janë bartur disa agjenci me kërkesë të Bashkimit Evropian, ku së bashku me bartjen e tyre është bartur edhe buxheti.

***

Janë bërë dy ditë që prej se Gent Begolli ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit të PTK’së. Por, ende askush nuk po e di se cila është arsyja që e shtyri Begollin të marrë një vendim të tillë. Vet Begolli ende nuk është deklaruar për arsyen e dorëheqjes, ndërkohë sipas Kryeministrit Haradinaj, Begolli u largua për shkak të vështirësive në Telekom.

Ende nuk po dihet arsyeja se pse Gent Begolli dha dorëheqje nga pozita e të parit të Telekomit. Vet Begolli, as pas dy ditësh nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për arsyet e dorëheqjes.

Por, sot Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për largimin e Begollit nga kjo pozitë. Sipas të parit të Qeverisë, Begolli dha dorëheqje për shkak të vështirësive në Telekom.

“Me Gent Begollin kam bisedu pak para se të largohet nga detyra dhe ka shpjeguar sfidat në marrjen e vendimeve. Është e vështirë të merren vendime dhe për probleme të kompanisë Genti ka thënë se vizioni për me zhvillu kompaninë nuk është i sigurt në këto rrethana dhe ka dashur të largohet nga detyra dhe unë besoj se Genti mund të kryejë punë të shumta që të ketë sukses”, tha Haradinaj.

Begolli ishte zgjedhur në krye të Ndërmarrjes Publike, Telekomi i Kosovës, gjatë muajit qershor, dhe ushtroi pozitën e drejtorit për rreth katër muaj.

Ndryshe, Begolli ka qenë drejtor i shërbimeve publike në qeverisjen e kaluar në Prishtinë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ai ishte bartës i listës së AAK-së në zgjedhjet lokale për Komunën e Prishtinës.

Tash e një kohë PTK ndodhet në krizë, madje mediat dhe njohësit e çështjeve ekonomike kanë theksuar se kjo ndërmarrje publike është drejt falimentimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat