Kurz kërkon nga qytetarët e Kosovës që të mbështesin dialogun Kosovë -Serbi

Aktuale

Kurz kërkon nga qytetarët e Kosovës që të mbështesin dialogun Kosovë -Serbi

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 12:57
Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz dhe Ramush Haradinaj

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të mbështesin dialogun Kosovë-Serbi, meqë sipas tij, ai është baza për perspektivën evropiane të popullit të Kosovës.

Pas takimit që mbajti me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, kancelari austriak tha se kanë synim të mbështesin shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt perspektivës evropiane.

Kancelari austriak theksoi edhe një herë mbështetjen e Austrisë për Kosovën, që siç tha ai janë ndër kontribuuesit më të mëdhenj përmes KFOR-it, si dhe ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë përmes prezencës së Agjencisë Austriake për Zhvillim.

Por ai pati edhe një kërkesë për qytetarët e Kosovës, për të cilat tha se duhet të mbështesin bisedimet Prishtinë-Beograd, meqë në këtë mënyrë mund të shkojnë drejt perspektivës evropiane.

Kurz: Mbështeteni dialogun me Serbinë sepse është bazë për perspektiven evropiane  (Video)

“Siç e dini, ne e kemi presidencën  e Bashkimit Evropian dhe njëra ndër synimet tona kryesore është që të mbështesim shtetet e Ballkanit Perëndimor, perspektivën tuaj evropiane në këtë regjion. Prandaj do doja që të kërkoja nga populli i Kosovës që  ta mbështesin dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës sepse një rezultat i suksesshëm nga ky dialog është baza për perspektivën tuaj evropiane si dhe është një mundësi për të jetuar së bashku në paqe dhe stabilitet këtu në këtë rajon”,  tha Kurz.

Ndërsa shefi i ekzekutivit, e falënderoi atë për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i jep Kosovës.

Haradinaj: Me kancelarin austriak biseduam për marrëdhëniet bilaterale 

“Biseduam për marrëdhëniet bilaterale, shumë të mira, Kosovë-Austri, dhe njëkohësisht për perspektivën regjionale, për perspektivën evropiane të Kosovës dhe rajonit. E falënderoj shumë për përkrahjen që i ka dhënë Austria Kosovës”, tha ai.

Para takimit me kryeministrin, kancelari Kurz ka takuar edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin,  ku nga konferenca që mbajtën bashkë, kancelari austriak tha se Austria do të mbështesë çfarëdo marrëveshje që arrihet në mes Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse aty përfshihen shkëmbimi i territorit apo korrigjimi i kufirit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat