Rinia e Kosovës më e izoluar, Haradinaj e Veseli bëjnë thirrje që të liberalizohen vizat - Bota Sot
Rinia e Kosovës më e izoluar, Haradinaj e Veseli bëjnë thirrje që të liberalizohen vizat

Aktuale

Rinia e Kosovës më e izoluar, Haradinaj e Veseli bëjnë thirrje që të liberalizohen vizat

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 12:49
Pamje nga takimi

Në ditën kur është promovuar programi nacional dhe ai ndërshtetëror për rininë, është potencuar se pikërisht rinia e Kosovës është më e izoluara në Evropë. Rastin e promovimit të këtyre programeve e kanë shfrytëzuar kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, që të kërkojnë nga BE që të bëjnë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se do të ishte lajm i mirë nëse liberalizimi do të bëhej para festave të fund vitit. Sipas tij, këtë e meritojnë qytetarët dhe posaçërisht rinia kosovare.

Për rininë e Kosovës, Haradinaj ka thënë se qeveria të cilën e drejtor i ka marrë seriozisht përgjegjësitë e veta ndaj siç e ka quajtur ai pasurisë më të madhe që e ka Kosova. Për këtë ai tha se kanë rritur për 12 përqind buxhetin për arsim.

Haradinaj: Do të ishte lajm i mirë para ndërrimit të moteve të bëhej liberalizimi

“Ju siguroj që nuk jemi më pak të zot sesa rinia e vendeve tjera, ose nuk jemi më pak të dobishëm për vendet tjera, rinia jonë mund të ishte veç një nxitje. Është tepër më rëndësi që udhëheqësit e shteteve të BE-së ta shfrytëzojnë mundësinë ta vejnë në agjendë të vendimmarrjes të drejtën e lëvizjes së lirë për Kosovën, para festës që Evropa e feston, që janë Krishtlindjet. Do të ishte një lajm i mirë pra në ndërrimin e moteve edhe për popullin e Kosovës nga qeveritë dhe këto vende”, tha ai.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se rinia kosovare e meriton që të ketë të drejtën për të lëvizur lirshëm.

Veseli ka përsëritur se nëse BE nuk vendos në favor të këtij procesi është racizëm.

Veseli: Rinia jonë është më e izoluara në botë

“Rinia jonë aktualisht është duke u ballafaquar me sfida, të cilat janë të natyrave të ndryshme, qoftë në fushën e edukimit, qoftë në fushën e integrimit në sektorin e tregut të punës. Në të njëjtën kohë ballafaqohet edhe me vështirësi në aspektin regjional dhe evropian, është rinia më e izoluar edhe pse është vendi më i ri në Evropë, por aktualisht është rinia më e izoluar në Bashkimin Evropian. Po presim se si do të reflektojë Bashkimi Evropian ndaj këtij thesari, a do ta konsiderojë ende krenari që do të jetë e izoluar edhe pas 10 viteve, që për neve është turp, është racizëm, apo do t’i jap mundësi që kjo rini të ketë mundësi që të komunikimit, ta shoh botën perëndimore, t’i shoh vendet e zhvilluara si çdo rini tjetër, që është rini perëndimore, rini evropiane”, tha Veseli.

Veseli potencoi se politika i ka mbetur borxh rinisë kosovare, për faktin se duhet të bëhet edhe më shumë në përgatitjen e tyre për tregun e punës. Ai tha se kjo është ajo që nuk kanë arritur ta përmbushin në mënyrë të suksesshme.

Në anën tjetër, koordinatori nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, ka treguar se programi nacional për rininë është ndërtuar mbi parimin e gjithëpërfshirës dhe vijueshmërisë.

Sipas Hotit, me këtë program është formësuar ideja e pjesës praktike të sistemit të nxënies, që u garanton pjesëmarrje të gjithë nxënësve në tri fusha, si në dituri, në kreativitet kulturor dhe mëndim kritik dhe në sport.

Ai ka bërë të ditur se plani nacional për rininë shtrihet ekskluzivisht për nxënësit e shkollave fillore, të mesme të ulëta, të mesme të larta dhe studentët. Sipas tij, ky projekt nuk do të ishte i plotë nëse nuk do ta kishte edhe pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, atyre serbe, turke dhe të gjitha komuniteteve të pranishme në Kosovë.

Hoti: Nxënësit e Kosovës për herë të parë do ta kenë hapësirën e vet

“Nxënësit e Kosovës me këtë projekt për herë të parë do ta kenë hapësirën e vet, pa dallime përkatësisë etnike, dhe përkatësive të tjera për ta marrë nxënien në mënyrë normale dhe për të pasur mundësinë e një gare dhe një konkurrence me bashkëmoshatarët. Projekti në fjalë është hartuar në një konceptim i cili përmbyllet nga fillimi gjer në fund edhe me dokumentacionin përcjellës. Janë gjithsej pos dy dokumenteve bazë që është programi nacional për rininë dhe programi ndërshtetëror për rininë, projekti është i konceptuar edhe për bashkëpunimin rajonal me shtetet fqinje”, tha ai.

Nënkryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Xhafer Gashi, ka thënë se këto dy programe janë shumë të rëndësishme për të rinjtë e komunave të tyre.

Gashi: Do të krijojë mundësi më të mëdha për talentet, për të rinjtë tanë

“Programi nacional për rininë dhe programi ndërshtetëror do të krijojë mundësi më të mëdha për talentet, për të rinjtë tanë. Vazhdimisht si komuna do të mbajmë lidhje me ministritë dhe do t’i mbështesim në ato mundësi që i kemi si komuna”, tha ai.

Kurse, kryetari i Komunës së Graçanicës, Srdjan Popoviq, ka thënë se shpreson që përmes këtij programi t’i ndihmojnë rinisë së tyre.

Popoviq: Përmes këtij programi do t’i ndihmojmë rinisë tonë

“Me realizimin e këtyre dy projekteve për të gjithë njerëzit e rinj të territorit të komunës tonë i kemi krijuar kushte që të merren me sport, aktivitete sportive dhe me hapësirat me standardet më të larta evropiane. Normalisht që përpjekjet janë të mira, sepse suksese si në tenis, karate. Kabineti i komunës gjithmonë është i hapur për të gjithë përfaqësuesit e shoqatave sportive dhe të arsimit dhe në kontekst direkt me ta njihemi direkt me probleme dhe përpjekjet e përgjithshme punojmë që t’i tejkalojmë problemet e tyre. Shpresoj që përmes këtij programi do t’i ndihmojmë rinisë tonë dhe do të kemi sukses që të bashkërendisim qëllimet tona”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniqi, ka kërkuar që për rininë turke institucionet e Kosovës të bëjnë më shumë.

Ai ka paraqitur edhe disa kërkesa për të cilat tha se kanë nevojë të rinjtë e komunës së Mamushës.

Krasniqi: Rinia turke e Kosovës ka nevojë pak më shumë për mbështetjen

“Rinia turke e Kosovës ka nevojë pak më shumë për mbështetjen e institucioneve të Republikës së Kosovës. Mund të them për shembull nga ana e komunës së Mamushës që kjo komunë ende nuk e ka një qendër kulturore, nuk e kemi ende bibliotekën, nuk i kemi ende qendrat sportive që kemi nevojë për të garuar me komunitete të tjera. Kërkojë nga kryeministri, kryetari i Kuvendit mbështetje pak më shumë për komunitetin turk për të arritur sukses pak më shumë. Ne jemi krenar që jemi kosovar, që jetojmë këtu”, tha ai.

Për garat që do të zhvillohen, është bërë një shpërblim për të gjitha ata që fitojnë në vendet e para, ku për çmimet e para ai bëri të ditur se janë 30 mijë e 500 euro.

Mbështetje programit nacional dhe atij ndërshtetëror për rininë i kanë dhënë edhe dy ministritë që në fushë veprimtarinë e tyre kanë edhe rininë. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe ajo e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Zyrtarë të këtyre dy ministrive kanë thënë se do t’i ofrojnë mbështetje koordinatorit për të gjitha çështjet.

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, ka hartuar edhe dokumentacion për implementimin e programit nacional për rininë, ku ka bërë udhëzues për garën në kreativitet kulturor dhe mendim kritik, për garant në sport dhe rregullat e garave në sport.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test