MMPH paralajmëron masa për ndalimin e shitjes së thëngjillit - Bota Sot
MMPH paralajmëron masa për ndalimin e shitjes së thëngjillit

Aktuale

MMPH paralajmëron masa për ndalimin e shitjes së thëngjillit

Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 12:25
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor

(E plotësuar) - Rrugët e kryeqytetit së shpejti do të jenë ‘të pastra’ nga thëngjilli, pasi që përveç ndalimit të përdorimit të tij, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të ndërmarrë aksione edhe për konfiskimin e kësaj lënde djegëse me qëllim të mbrojtjes nga ndotja e ajrit.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, gjatë raportimit  para Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, lidhur me gjendjen e mjedisit në Kosovë, ka bërë të ditur se do të konfiskohet i gjithë thëngjilli që gjendet për shitje në rrugët e kryeqytetit.

Matoshi: Do të konfiskohet i gjithë thëngjilli që gjendet në rrugët e kryeqytetit

“Jemi në plan të përgatitjes së aksioneve të njëpasnjëshme për konfiskimin e thëngjillit kudo nëpër rrugët e Prishtinës. Para se të vij këtu i takova edhe inspektorin dhe kryeinspektorin. Shpeshherë, ka pengesa në punë edhe për shkak të mos-përgjigjes me kohë nga ana e Policisë dhe inspektoratit. Që e dëshmon edhe njëherë kërkesën tonë për të themeluar një departament të policisë mjedisore. Megjithatë, besoj se ditët në vijim do të ketë aksione për konfiskim të thëngjillit kudo që gjendet në rrugët e Prishtinës”, tha ai.

Matoshi bëri të dikur se së shpejti do të aktivizohet edhe ‘Policia e Gjelbër’, pasi që janë identifikuar probleme gjatë zbatimit të detyrave. Sipas tij, gjendja e mjedisit për vitin 2017 tregon për një gjendje jo të mirë përkundër përpjekjeve për mbrojtjen e tij.

Matoshi, tha se në ndotjen e ajrit ka ndihmuar edhe dhënia falas e thëngjillit për punëtorët e KEK-ut.

Ndërsa kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, tha se tejkalimet e ndotjes së ajrit kanë filluar para 3 javësh, ndërsa foli edhe për ditët kur ka pasur tejkalim të normës së lejuar për ndotjen e ajrit.

Morina: Gjatë vitit 2017, kemi pasur tejkalim të ndotjes së ajrit për 41 ditë

“Gjatë vitit 2017, kemi pasur vetëm gjatë janarit, mbi 21 ditë tejkalim. Gjatë shkurtit pesë, gjatë marsit  3 dhe gjatë prillit 4. Gjatë majit, qershorit, korrikut dhe gushtit asnjë ditë tejkalim. Ne e kemi mesataren mujore, dhe ditët maksimale të lejuara me ligjin e Kosovës dhe direktiva evropiane janë 35, që i bie se ne kemi pasur 41 ditë tejkalime. Kemi pastaj të dhënat për Mitrovicën, për Pejën. Prizreni ka qenë qyteti që nuk ka pasur tejkalime dhe Peja”, tha ai.

Morina tregoi edhe faktorët kryesorë të ndotjes së ajrit në vend, ku vëmendje të posaçme i kushtoi përdorimit të ‘peletit’, për të cilin tha se mund të jetë më i rrezikshëm sesa thëngjilli.

Morina: Ndotësit më të mëdhenj  të ajrit mbeten termocentralet e ‘Kosovës A’

“Energjetika  është numër një. Dhe, ndotësi më i madh si burim, jo për Prishtinën por Kosovën, janë termocentralet e ‘Kosovës A’. Pastaj vijnë burimet tjera energjetike, siç janë transporti dhe automjetet, dhe shtëpitë. Kemi ngritje të oksideve të azotit, që do të thotë rrjedhë nga djegia e lëndëve të automjetit, që vijnë nga karburantet jo cilësore dhe vjetërsia e automjetit. Shumica e automjeteve janë shumë të vjetra, nuk kanë katalizatorë ose u janë hequr”, tha ai.

Kryetari i Komisionit, Muharrem Nitaj, u shpreh i pakënaqur që deri në muajin prill nuk do të kenë një raport të detajuar. Ndërsa pati edhe pyetje për ministrin Matoshi.

Nitaj: A do të ndalohet përdorimi i thëngjillit edhe në banesat kolektive

“Ne e kemi problemin që jemi në fillim të dimrit dhe ndotja e ajrit në këtë periudhë është më e rënda, qysh ka qenë edhe vitin e kaluar.  A e keni shqyrtuar që të bëhet ndërprerja e përdorimit të thëngjillit edhe në banesat kolektive”, parashtroi ai.

Në këtë pikë, Matoshi tha se nuk kanë mundur të marrin një vendim të tillë për shkak se thëngjilli është përdorur edhe në institucione publike. Ai theksoi se janë marrë vendime për ndalimin e përdorimit të thëngjillit edhe nga institucione përkatëse, siç është MASHT-i.

Ndërsa u shpreh optimist se ndalimi i dhënies së thëngjillit për punëtorët e KEK-ut, do të ndihmojë në uljen e ndotjes së ajrit në vend, pasi që ky thëngjill shpeshherë sipas tij, pati përfunduar me shitje.

Deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, shprehi pakënaqësitë e tij pasi që tha se shumë pak u fol për raportin, teksa tha se nuk duhet të ketë shtyrje afatgjatë për pyetjet e deputetëve për ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Pas kësaj, mbledhja e sotme u shty për shkak të seancës së jashtëzakonshme, ndërsa paraprakisht, komisioni vendosi që  brenda kësaj jave të caktohet dita për vazhdimin e kësaj mbledhje.

Paralajmërohet konfiskimi i thëngjillit që shitet në rrugët e Prishtinës

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor ka shqyrtuar raportin vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) Fatmir Matoshi raportimin e tij nuk pati mundësi ta përfundoj dhe nuk mori pyetje nga deputetët pasi po mbahej seanca e jashtëzakonshme për pakon e projektligjeve për agjendën evropiane.

Matoshi për gjatë kohës sa pati mundësi të raportoj tha se gjendja e mjedisit në Kosovë këto ditë ka filluar të përkeqësohet për shkak të temperaturave të larta dhe ndotja e ajrit që është krijuar.

“Gjendja e mjedisit në Kosovë sipas raporteve të fundit tregojnë për një gjendje jo të mirë të mjedisit me gjitha përpjekjet e ministrisë së mjedisit. Deri tani jemi angazhuar në përmirësimin e mjedisit duke filluar nga furnizimi i pijshëm, rregullimi i ujërave të zeza, menaxhimi i mbeturinave, mbrojtja e zonave të mbrojtura, planifikim hapësinor”, tha Matoshi.

Matoshi tha se ndërprerja e shitjes së thëngjillit që është bërë kohëve të fundit do të u ndihmoj që të kemi një mjedis më të përmirësuar se sa viteve të kaluara.
Ai tha se këto ditë do të fillojë edhe konfiskimi i shitjes së thëngjillit nëpër rrugët e Prishtinës. Ai tha se në ekonomitë familjarë nuk kanë mundur ta bëjnë ndërprerjen e thëngjillit pasi që ende ka qenë duke u përdorur nëpër institucione publike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test