Hungaria përkrah Kosovën për vizat dhe dialogun

Aktuale

Hungaria përkrah Kosovën për vizat dhe dialogun

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 15:37
Péter Szijjártó

Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Péter Szijjártó tha se shteti i tij është përkrahës i plotë i Kosovës në përmbylljen e dialogut me Serbinë, dhe se do të pranojnë çdo rezultat që del nga marrëveshja reciproke.

Pasi është pritur në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Kosovë, diplomati hungarez para gazetarëve ka thënë se është e padrejtë sjellja e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës në çështjen e liberalizimit të vizave.

Ndërkohë që është zotuar se do të jenë përkrahës të Kosovës kur të merret vendimi për vizat.

Szijjártó: Jemi përkrahës të plotë që Kosova të jetë e suksesshme në përmbylljen e dialogut me Serbinë

“Ne jemi përkrahës të plotë të juaj që ju të jeni të suksesshëm në përmbylljen e këtij dialogu dhe dua të iu them që rezultatin e dialogut do të respektojmë, nëse është në bazë të marrëveshjes reciproke dhe të së drejtës ndërkombëtare, kjo u përket juve dhe në defitnitivisht do të jemi përkrahës për shkak se ne ndodhemi në afërsi të Ballkanit Perëndimor dhe e kuptojmë mirë nëse ka stabilitet ose jo në rajon..... Jemi mjaft përkrahës për dialogun Kosovë-Serbi, dhe shpresoj të jetë i suksesshëm, i tregova Behgjetit për progresin tonë me Serbinë se si i kemi transferuar marrëdhëniet tona nga kohë të vështira në ato miqësore, dhe ajo që duhet sot e pabesueshme mund të jetë realitet nesër”, tha ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë.

Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, ai tregoi se e konsideron të padrejtë sjelljen e BE-së ndaj Kosovës, sa i përket vonesës së dhënies së liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ai u zotua se në grupin e fundit punues Hungaria do të votojë në favor të Kosovës.

Szijjártó: Është e padrejtë si po sillet Bashkimi Evropian ndaj Kosovës në çështjen e vizave

“Është e padrejtë se si Bashkimi Evropian sillet ndaj Kosovës në çështjen e vizave. Është e padrejtë sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat që i janë dhënë, dhe është e padrejtë tani, ishte rasti me Ukrainën dhe Gjeorgjinë kur i kanë përmbushur të gjitha kriteret, atëherë kanë dalur edhe kushte të tjera që kanë rënë nga qielli. I kanë marrë të dyja shtetet, një vit e gjysmë pas përmbushjes së gjitha kërkesave për të hequr regjimin e vizave. Nuk dëshirojmë që Bashkimi Evropian të lërë Kosovën në pritje në këtë mënyrë”, tha ai.

Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, Péter Szijjártó nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Infrastrukturës për implementimin e projektit të Sistemit Inteligjent të Transportit.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli tha se me implementimin e marrëveshjes së sotme do të ketë autostrada më të sigurta.

Pacolli: Me implementimin e marrëveshjes së sotme do të kemi autostrada më të sigurta

“Me Hungarinë kemi marrëveshje të shumta, siç e patë edhe kjo marrëveshje sot që është nënshkruar mes Ministrisë së Infrastrukturës së Kosovës dhe operatorit hungarez na mundëson që edhe më tutje të kemi bashkëpunim edhe më të frytshëm dhe sigurisht e di se me im0plemenitimi ne kësaj marrëveshje që është më duket mbi 5 milionë, do të kemi autostrada më të sigurta, lëvizje më të sigurt dhe këtu inkurajoj të gjithë operatorët ekonomikë në Kosovë dhe Hungari, dhe projekte të tilla të na sjellin. Ky projekt është financuar nga qeveria e Hungarisë me një kredi të butë dhe kjo kredi përfshin edhe katër kontrata të tjera që janë në implementim e sipër, në takimet me homologun tim më është thënë se me implementimin e kësaj kontrate do të ketë kontrata të tjera të financimit të projekteve të ndryshme”, tha Pacolli.

Ai kërkoi institucionet hungareze që të dërgojnë sa më parë operatorë ekonomik për bashkëpunim në Kosovë.

E ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj sqaroi përfitimet e Kosovës nga kjo marrëveshje.

Lekaj: Me këtë projekt do të bëhet e mundur kontrolli dhe mbikëqyrja e automjeteve në rrugët nacionale

“Si pjesë e këtyre projekteve është identifikuar edhe projekti për sistemin intelegjent të transportit siç njihet ITS, Kosova do të përfitojë kredi nga Hungaria në vlerë prej 5 milionë euro për blerjen e pajisjeve dhe implementimin me sukses të këtij sistemi në rrugët tona. Me këtë projekt do të bëhet e mundur kontrolli dhe mbikëqyrja e automjeteve në rrugët nacionale dhe në autoudhë me qëllim të të dhënave për qarkullimin e automjeteve, njoftimin e shfrytëzuesve të rrugëve ton, për gjendjen në rrugë dhe identifikimin e shkelësve të rregullave të trafikut”, tha ai.

Ai tha se në të ardhmen kur do të vendoset detyrimi i pagesës së tarifave rrugore, ky sistem do të mundësojë procedimin e saktë të të gjitha pagesave dhe monitorimin e shfrytëzuesve të rrugëve.

Në paraqitjen para mediave, diplomati hungarez bëri të ditur se e ka caktuar një diplomat të lartë në Ministrinë e Integrimeve të Kosovës që të ndihmojë çështjet për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, duke theksuar se Hungaria ka 400 trupa të KFOR-it në Kosovë, ai tha se synojnë të rrisin prezencën e tyre këtu dhe vitin e ardhshëm mendojnë të konkurrojnë për pozitën e komandantit të KFOR-it në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat