Veseli për pronat e AKP-së: Do të respektohet vendimi i kushtetueses

Aktuale

Veseli për pronat e AKP-së: Do të respektohet vendimi i kushtetueses

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 14:09
Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se Serbia po jep para të mëdha për t’i bindur vendet e caktuar për të votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol, megjithatë është shprehur optimist që kësaj radhe Kosova do të pranohet në këtë institucion të sigurisë.

Veseli këto komente i bëri pas mbledhjes së kryesisë, ku tha se gjatë kësaj jave do të mbahen dy seanca parlamentare.

Veseli: Të enjten vazhdimi i seancës për çështjen e politikës së jashtme

“Kemi seancë parlamentare ditën e enjte, do të jetë një vazhdim i seancës së jashtëzakonshme të kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, për çështjen e politikës së jashtme të Kosovës dhe në të njëjtën kohë do të kemi ditën e premte vazhdimin  me pikat e mbetura, një seancë të re plenare nga ora 14:00, në të cilën janë të përfshira të gjitha ligjet, përkatësisht draftligjet të cilat janë aktualisht në listën e pritjes për agjendën e reformave evropiane”, tha ai.

Sipas tij, komisionet parlamentare janë duke punuar mirë dhe se gjatë këtij viti janë miratuar 65 projektligje.

Veseli duke komentuar mundësinë që nesër Kosova të anëarësohet në Interpol, është shprehur optimist se një gjë e tillë do të ndodh. Megjithatë ka deklaruar se Serbia, është duke tentuar në vazhdimësi për të penguar një gjë të tillë.

Veseli: Jam shumë optimist që Kosova do të anëtarësohet në Interpol

“Institucionet tona e kanë bërë një punë të mirë, por nuk dua të flas, pa u kryer puna. Jemi optimist në qoftë se më pyet, jam shumë optimist, por nuk duhet të flasim pa u kry puna. Pra për vet faktin se Serbia është duke luajtur një rol destruktiv dhe duke futur para të mëdha në procesin e bindjeve të vendeve të caktuara, të cilat kanë nevojë për aq bashkëpunim dhe pështjellim, po ja, shkakton vështirësi, duke tentuar t’i bëjë vështirësi Kosovës, por nuk ka me mujt”, ka shtuar Veseli.

Ai madje është shprehur i bindur se do të ndodh transformimi i FSK-së në ushtri, megjithatë nuk ka dhënë datë të caktuar. Sipas tij, kjo do të ndodh shumë shpejt dhe në partneritet me bashkësinë evropiane.

Në lidhje me pronat e AKP-së që i janë dhënë në shfrytëzim komunave serbe, ai tha se nëse ka pasur gabime, ligji do të merret me këtë çështje.

Veseli: Nëse ka pasur ndonjë gabim do ta vërtetojë Gjykata Kushtetuese

“Koalicioni do të qëndron për aq sa interesi dhe nevoja e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe ne do ta vazhdojmë që të mbrojmë interesat e vendit, anëkënd Kosovës. Në të njëjtën kohë ta integrojmë dhe avancojmë pozitën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran tek vendet e Bashkimit Evropian dhe tek vendet e NATO-s. Ligji do të respektohet në përpikëri. Në qoftë se ka probleme të cilat ndërlidhen drejtpërdrejt me mos zbatimin e ligjit, mund të siguroj si lider i këtij koalicioni se do të ketë respektim një qind për qind të asaj të cilën e nxjerr vendim Gjykata Kushtetuese dhe ligjet në fuqi. Në qoftë se ka pasur gabime e konstaton Gjykata Kushtetuese, do të kemi edhe rikthim të çështjeve të cilat janë në vendin e duhur”, tha Veseli.

Kadri Veseli madje është shprehur i bindur se do të ndodh edhe liberalizimi i vizave gjatë muajit dhjetor të këtij viti. Ai ka thënë se janë përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, duke shtuar se kjo çështje është teknike dhe jo politike dhe se nuk ka arsyeje që të ndodh e kundërta. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat