Ibishi: Idetë e Thaçit për kufijtë, provokim për luftë

Aktuale

Ibishi: Idetë e Thaçit për kufijtë, provokim për luftë

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 21:21
Nuredin Ibishi

Eksperti i sigurisë dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK, Nuredin Ibishi ka thënë se është shenjë e mirë për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, refuzimi i kërkesës serbe për largim nga rendi i ditës votimi i anëtarësimit të Kosovës.

Ibishi në “Dossier D” ka thënë se nëse shkohet me votim të fshehtë, si alternativë e votimit elektronik, Kosova do të kishte më të vështirë anëtarësimin në INTERPOL.

“Ekziston mundësia që të shkohet edhe me votim të fshehtë, pasi ekziston edhe kjo alternativë përpos votimit elektronik. Ky sistem i votimit ndoshta është më i disfavorshëm për Kosovën, pasi disa shtete që na kanë premtuar neve apo miqve tanë strategjikë se do të votojnë në favor të anëtarësimit në INTERPOL,  mund të ndryshojnë qëndrim”, deklaroi Ibishi, përcjell Telegrafi.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së ka thënë se krahasuar me vitet e kaluara Kosova tashmë ka disa avantazhe më shumë që i shtojnë gjasat për anëtarësim në INTERPOL.

“Policia e Kosovës ka treguar besueshmëri, integritet dhe ka pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm me ndërkombëtarët. Kjo i ka dhënë shtimin e përkrahjes dhe besimit nga ndërkombëtarët edhe për anëtarësim në INTERPOL. Por, edhe partnerët strategjikë na kanë përkrahur në këtë proces”, potencoi Ibishi.

Ibishi thotë se idetë e presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve, në mentalitetin ballkanik, janë provokim për luftë.

“Në kushtet ballkanike [këto ide] janë provokim për luftë. Ndryshimi apo korrigjimi i kufijve është tendencë e autoriteteve serbe për të na futur në lojë”.

“Assesi nuk duhet të hyhet në këso biseda, sepse janë shumë të rrezikshme sidomos për një mentalitet ballkanik, ku për tema të tilla nuk ka ujdi”, deklaroi Ibishi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat