Deputeti i AKR-së mbron Pacollin, kujton meritat e tij në diplomaci

Aktuale

Deputeti i AKR-së mbron Pacollin, kujton meritat e tij në diplomaci

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 13:21
Islam Pacolli

Akuzave të deputetëve për dështimin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, në drejtim të ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, iu është përgjigjur bashkë partiaku i tij, Islam Pacolli.

Në seancën e jashtëzakonshme për politikë të jashtme, deputeti i AKR-së ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme nuk është kryekëput përgjegjëse për dështimin e Kosovës në INTERPOL.

Ai u ka kërkuar deputetëve që të kujtojnë meritat e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli në fushën e ekonomisë, si dhe njohjen e Kosovës nga disa shtete si rezultat i lobimit të Pacollit.

Pacolli: Është keq kur njëherë e hamë bukën, e më pas i shkelim troshat

“Behgjet Pacolli a e keni numëru sa njohje i ka pru Republikës të Kosovës? Keni harru apo jo? Është e keqe kjo kur ne e hamë bukën, pastaj i shkelim troshat. Do të thotë është e keqe kjo dhe nuk është parlamenti vetëm për t’u sharë njëri me tjetrin, por është e rëndësishme që ne ta përkrahim njëri tjetrin dhe të dalim me rezultat. Do të thotë nuk është e sotme, sepse po të ishte lehtë ju e kishit kryer më herët, nuk e kishit pritë këtë Qeveri. Ju nuk e keni kryer më herët detyrën e juve, se ju i keni çu njerëzit, pikërisht familjarët, të cilët kanë qenë edhe deputetë, të cilët kanë kushtëzuar për diplomaci. Nuk keni zgjedh kualitet, prandaj kjo është e vonshme me kajtë me lot krokodili”, tha ai.

Sipas Islam Pacollit, nëse Kosova do të anëtarësohej në INTERPOL, atëherë Behgjet Pacolli do të përmendej më së paku, ndërsa tani po akuzohet vetëm ai.

Në seancën e jashtëzakonshme për politikë të jashtme nuk po merr pjesë kreu i diplomacisë, Behgjet Pacolli. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat