Një mesazh nga Putini për dyshen Thaçi-Pacolli

Aktuale

Një mesazh nga Putini për dyshen Thaçi-Pacolli

Nga: Dr. Islam Lauka Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 16:18
Vladimir Putin dhe Hashim Thaçi

Politika e paltimit me Rusinë, e ndjekur nga dyshja Thaçi-Pacolli, po jep “frytet” e veta, sidomos pas takimit të Presidentit të Kosovës me Presidentin Putin, para pak ditësh, në Paris. Dëshmi për këtë është komenti zyrtar i sapobotuar, i Departamentit  te Shtypit dhe Informacionit të  Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, lidhur me vendimin e qeverisë së Kosovës për taksimin 100% të mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

Pas leximit të këtij komenti zyrtar, uroj që dyshja Thaçi- Pacolli të këndellet dhe të kuptojë qëndrimin e vërtetë dhe të pandryshuar të Rusisë-kundër lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Apo ata e kuptojnë dhe, duke bashkëpunuar me Moskën, bëjnë lojën e tjetërkujt, kundër interesave të Kosovës?

Ja teksti i plotë i komentit zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Rusisë:

“Me 22 nëntor, “qeveria” e Kosovës, duke shkelur detyrimet që rrjedhin nga CEFTA për tregëtinë e lirë, shpalli vendimin për taksimin 100% të mallrave nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Faktikisht, bëhet fjalë për fillimin, nga ana e Prishtinës, të “luftës tregtare” në kuadrin e politikës së spastrimeve etnike, sepse popullsia serbe e Krahinës, në masë të madhe, varet prej furnizimit që merr nga Serbia Qëndrore. Për më tepër, në Prishtinë nuk e fshehin që ky veprim bëhet për hakmarrje ndaj dështimit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit për t`u anëtarësuar në këtë organizatë.

Ky provokim i Prishtinës përbën dëshminë e radhës, krejtësisht të qartë, mbi dështimin e “shtetësisë kosovare”. Tashmë, dhjetë vende janë tërhequr nga njohja që i patën bërë Kosovës.

Konstatojmë reagimin e përmbajtur dhe të matur të Beogradit ndaj kësaj mase dhe përpjekjen e tij për të ulur tensionin.

Bashkimi Europian, si ndërmjetësues në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës është i detyruar të ndikojë mbi autoritetet e Kosovës dhe të kërkojë heqjen e menjëhershme të këtij vendimi antiligjor, të mbarsur me acarimin serioz të situatës në Ballkan".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat