Rifillon seanca e Kuvendit, propozohet deklaratë në mbështetje të taksës ndaj Serbisë - Bota Sot
Rifillon seanca e Kuvendit, propozohet deklaratë në mbështetje të taksës ndaj Serbisë

Aktuale

Rifillon seanca e Kuvendit, propozohet deklaratë në mbështetje të taksës ndaj Serbisë

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 11:24

(E plotesuar) - Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka propozuar deklaratë të përbashkët me të cilën mbështetej vendimi i Qeverisë për taksën prej 100 % ndaj Serbisë, megjithatë ajo nuk u fut në rend dite, pasi nuk morri votat e nevojshme nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Sherifi: Kuvendi mbështet taksën ndaj Serbisë

“Ajo do të dukej përafërsisht kështu por jemi të hapur që të gjithë së bashku ta përpilojmë. Deklaratë e përbashkët e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Për shkak të minimit vazhdueshëm të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës nga ana e Serbisë, mbështetjes së forcave që cenojnë sigurinë e vendit tonë, mos respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe detyrimeve ndërkombëtare në raport me Kosovën, si dhe agresionin diplomatik të saj për zhbërjen e pavarsisë së Kosovës, Qeveria e Kosovës u detyrua të vë taksen për t’i dhënë fund mos dëshmimit të kësaj politike. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të vendosur taksën prej 100 % për produktet të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës është vendim i drejt dhe gëzon mbështetjen e plot të Kuvendit të Kosovës. Kuvendi i Kosovës konsideron se deri te një vendim i tillë kemi ardhur për shkak edhe të indiferencës të institucioneve ndërkombët are karshi ankesave të përhershme të Kosovës për politikat shkatërruese të Serbisë, prandaj Kuvendi i Kosovës i konsideron të papranueshme presionet e brendshme apo të jashtme”, ka thënë ai, derisa ka lexuar propozimin e deklaratës.

Në deklaratë po ashtu thuhet deputetët ftojnë bizneset dhe qytetarët që së bashku të të dëshmojmë përgjegjësit tona në situatën e krijuar.

Megjithatë, pas votimit nuk është futur në rend dite.

Rifillon seanca e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e re, në të cilën është paraparë shqyrtimi i 18 pikave të rendit të ditës.

Seanca nisi me mocionin procedural për t’i larguar nga rendi i ditës tri pikat e para të rendit të ditës.

Mocioni është mbështetur nga të gjitha grupet parlamentare.

Një mocion procedural ka ngritur edhe shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi me të cilën kuvendi do të lëshonte një deklaratë të përbashkët rreth zhvillimeve të fundit në vend.

Kuvendi i Kosovës po mban seancën e re, e cila ishte paraparë të nis në orën 14:00, por me dakordim është shtyrë deri në orën 18:00.

Komision hetimor për PTK-në, kërkohet edhe për KEDS-in

Subjektet politike në Kuvendin e Kosovës kanë dhënë emrat e anëtarëve të komisionit hetime në Postën dhe Telekomin e Kosovës dhe Vala, por gjithashtu u kërkua komision hetimor për KEDS-in.

Deputeti Mialim zeka si propozues për komisionin hetimor parlamentar për Post Telekomin e Kosovës dhe në Vala, tha se piramida e krimit është pikërisht në këtë institucion.

Zeka: Vala financoi grupe kriminale

“Më mirë ka qenë të shitet Vala për 100 dollarë, në fillim kur ka dal në privatizim, më mirë ka qenë me u shit Vala për 100 dollarë, nuk do të financonte grupe kriminale ky institucion. Mjafton me përmend një rast, 4 milionë euro iu kanë dhënë në formë pagese mediave të nëntokës e mbi tokës, portaleve të ndryshme, grupeve mafioze, vetëm për ta shkatërruar shtetin e Kosovës dhe kjo ka qenë Vala, prandaj mbi bazën e kësaj ne duhet ta hetojmë këtë institucion“, ka thënë Zeka.

Kurse, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj propozojë edhe një komision hetimor për KEDS-in.

Haradinaj: Të krijohet një komision hetimor për KEDS-in

“Unë kisha deshtë që edhe kjo seancë, ndoshta edhe në të ardhmen e afërt të krijohet një komision hetimor edhe për KEDS-in, i cili pothuajse 80 % të Kosovës e ka lënë pa energji, pa i raportuar askujt çka është ka bën, KEK thotë se nuk kemi obligime për energji, KEDS kemi meremet ndërsa implementimin e kontratës nuk e ka as për së afërmi, do të thotë shpresoj që kolegët e mi do ta trajtojnë edhe këtë temë sikurse PTK-në sepse është e pa tolerueshme tash kur temperaturat janë të ulta e ne lexojmë nëpër media, shumica e zonave nuk kanë energji. Do të thotë duhet edhe ne si parlament ta kryejmë detyrën tonë, ta shohim ku është gjendja, ku është problemi dhe pse nuk furnizohet me energji qytetari i Kosovës“, ka thënë ai.

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu tha se e përkrahin iniciativën për PTK në por edhe KEDS-in, që ka mundësi që edhe vet si PSD do ta nisin si kërkesë për hetim.

Sejdiu: Duhet të ketë më shumë komisione hetimore

“Një prej instrumenteve të cilat Kuvendi duhet çdo ditë e më shumë t’i fus në përdorim janë komisionet hetimore, e sidomos duke e pas parasysh orvatjet e dy dekadave të fundit me asete publike dhe pasurime private prej aseteve publike“, ka thënë ai.

Deputeti Muharrem Nitaj tha nuk e mbështet Zekajn kur jep verdiktin e komisionit hetimor kur thotë se piramida e krimit është në PTK.

Ndërkohë, votimi i komisionit hetimor për PTK-në është shtyrë për seancën e radhës.

Borxhi publik mbi 1 miliard euro

Raportet e auditimit për ndërmarrjet publike ishin temë debati me akuza dhe kundër-akuza në mes deputetëve në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Ndërsa, u tha se që nga viti 2014, janë 295 milionë euro kredi të cilat ende nuk janë tërhequr për shkak të vonesave në fillimin dhe realizimin e projekteve.

Debati nisi paradite në momentin kur në pikë të rendit të ditës erdhi raporti për stacionin e autobusëve, ku pati një debat në mes deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanja dhe deputetëve të tjerë. Këta të fundit i thanë se raportet të ndërmarrjeve lokale shqyrtohen në kuvende komunale.

Deputeti Selmanaj tha se Zyra Kombëtare e Auditimit ka nisur vonë t’i auditojë këto ndërmarrje para dy viteve.

Selmanaj: Edhe për profesorë ka vend në burg

“17 vite këto ndërmarrje kanë qenë qerdhe të partive politike për të abuzuar me paranë publike në Kosovë dhe në momentin kur kemi filluar me i hap letrat po fillojnë të shqetësohen këta sepse pjesa dërrmuese e anëtarëve  të bordeve të ndërmarrjeve publike do të dalin të partisë së këtyre....disa profesorë vazhdojnë të abuzojnë me paranë publike në çfarëdo forme dhe nuk shkon kështu, edhe për profesorë kish vend në burg“, ka thënë ai.

Atij iu ka kundërpërgjigjur deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se Driton Selmani e mbajti një demagogji duke folur për rëndësinë e raportimit dhe shqyrtimit të raportit të stacionit të autobusëve, kurse tash ka ikur kur raporton auditori i përgjithshëm.

Haxhiu: Kush janë ushtarët e vërtetë

“Kush janë ushtarët e vërtetë le të na tregon Driton Selmani. Ne që jemi me plagë në trup ndoshta për Driton Selmanin nuk jemi , ushtarë të vërtetë për të janë ata që e kanë dhunuar këtë popull, që e kanë masakruar, ndoshta ata mendon që janë ushtarë të vërtetë, ata që kanë bërë këtu me mijëra krime, ata ndoshta janë ushtarët e vërtetë sipas Driton Selmanit. Kush janë ata profesorë abuzues sipas Driton Selmanit, sepse e ka marrë një shprehi ciu-ciu, disa ata, ata disa ciu ciu, le të tregon kush janë. Unë e kuptoj që sot është dita e vërtet e Driton Selmanit, është e premtja e zezë, prej që mbahet mend në institucionet që ka udhëheq, shoqërinë civile Driton Selmani veç zi ka pa, prandaj ia uroj ditën e premtja e zezë Driton Selmanit“, ka thënë ai.

Kurse, auditori i përgjithshëm, Besnik Osmani, duke prezantuar raportin vjetor të Auditimit për vitin 2017, ka thënë se ka publikuar 118 raporte, të gjitha ofrojnë informata të besueshme për shpenzimet e 2 miliardë eurove të parasë publike dhe disa fondeve të donatorëve.

Osmani bëri të ditur se shkalla e realizimit të pranimeve krahasim me buxhetin fillestar është 91 përqind, realizimi i pagesave kundrejt buxhetit fillestar ka qenë rreth 88 përqind, kjo sipas tij tregon se planifikimi fillestar i buxhetit kërkon analiza më të mira para se i njëjti të miratohet.

Ai tha se Qeveria ka mbajtur nën kontroll deficitin dhe ai është brenda kufijve të lejuar me ligj.

Osmani: Borxhi publik mbi 1 miliard euro

“Sa i përket borxhit publik shuma është mbi 1 miliardë euro, duke llogaritur edhe 44 milionë të garancioneve shtetërore. Niveli i borxhit publik në fund të vitit 2017 ka qenë 16.7 e bruto produktit vendor. Theksi ynë lidhur me këto borxhe është mos efikasiteti i shpenzimeve, pasi që 295 milionë euro kredi që nga viti 2014 ende nuk janë tërhequr për shkak të vonesave në fillimin dhe realizimin e projekteve. Ndërkohë, që shuma të konsiderueshme të shpenzimeve dhe tarifave të tjera janë paguar brenda kësaj periudhe rreth 19 milionë euro të buxhetit të Kosovës”, tha ai.

Ai tha se në bazë të kësaj nuk ekziston ndonjë kërcenim serioz i stabilitetit financiar. Megjithatë, ai ka përmendur tri problemet serioze, që sipas tij e ndikojnë bilancin e buxhetin.

Osmani: Detyrimet e papaguara dhe ato kontingjente

“Detyrimet e papaguara dhe ato kontingjente, detyrimet e papaguara të organizatave buxhetore ndaj operatorëve ekonomik në fund të vitit kanë qenë 200 milionë, 170 milionë të nivelit qendror, 30 milionë të nivelit komunal. Përveç këtyre detyrimeve ekzistojnë edhe disa detyrime kontingjente  apo potenciale të cilat janë rezultat i padive gjyqësore dhe pritet të marrin epilogun, shuma e këtyre detyrimeve të mundshme është 140 milionë euro, 76 në nivelin qendror dhe 66 milionë në nivel lokal. Pra, këto dy lloje të detyrimeve nëse realizohen arrijnë vlerën prej 340 milionë euro që mund t’i bëjnë presion buxhetit të Kosovës”, tha ai.

Ai bëri të ditur se 9 ndërmarrjet publike që janë audituar vitin e kaluar kanë një shumë të kredive prej 95 milionë euro, ai tha se aftësia e tyre likuiduese për kthimin e këtyre kredive është e dobët. 

Nënkryetari i Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike, Mergim Lushtaku, ka prezantuar rekomandimet që i kanë bërë lidhur me raportin e auditimit.

Lushtaku: Të filloj procesi i regjistrimit të të gjitha pasurive të pronës së institucioneve publike

“Brenda tre mujorit të parë të vitit 2019 të fillojë procesin e regjistrimit të të gjitha pasurive të pronës së institucioneve publike të cilat nuk janë në regjistrat e pasurisë dhe ta përfundojë këtë brenda afateve tre vjeçar. Procesi i regjistrimit duhet të bëhet sipas standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit. Nën dy, deri në fund të vitit të hartoj programin e masave dhe të aktiviteteve për zvogëlimin e detyrimeve të papaguara dhe të kontingjenteve dhe ky program të përfshihet në kornizën afatmesme të shpenzimeve publike, në mënyrë që të reflektohet në ligjin vjetor të buxhetit për tri vitet e ardhshme. Masat duhet të rezultojnë me përmirësimin e dukshëm të disiplinës financiare dhe pagesën e detyrimeve brenda afateve, tha ai.

Vazhdon seanca, LDK lëshon sallën

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nis me mospajtime në mes opozitës dhe kryesueses së seancës, Mufera Srbica – Sinike, cila vazhdoi me pikat e mbetura nga vazhdimi i seancës së paradites.

Ndërkohë, në emër të LDK-së, Armend Zemaj Propozojë që seanca e re të fillojë në orën 18:00, ku LDK do të jetë në seancë. Deputetët e LDK-së më pas lëshuan seancën.    

Kurse, Ismail Kushteshi nga VV, kërkoi që pikat e mbetura nga seanca e paradites të mos shqyrtohen dhe të nis seanca e re, ashtu siç ishte paraparë.

Drejtpërdrejt nga seanca e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës po mban seancën e re, në të cilën janë paraparë 18 pika të rendit të ditës.

Përveç shqyrtimit të disa projektligjeve, është paraparë edhe interpelanca e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, sipas kërkesës së deputetit Faton Topalli, mbështetur edhe nga 11 deputetë nga GP i PSD-së, në lidhje me vdekjet dhe lëndimet e punëtorëve në vendin e punës.

Nuk votohet rezoluta që i ndalon Thaçit të dialogojë për kufijtë

Kuvendi nuk ka votuar rezolutën nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi nuk ka votuar rezolutën nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, raporton Ekonomia Online.

Gjithashtu rezoluta e PSD-së për dialogun me Serbinë është hequr sërish nga rendi i ditës për votim me kërkesë të këtij grupi parlamentar.

Dardan Sejdiu nga PSD-ja tha se kërkon të hiqet nga rendi i ditës ky votim për shkak të dakordimit për tekstin e rezolutës me grupet parlamentare.

“Ne si grup parlamentar mendojmë se mundemi me u dakorduar për një tekst të rezolutës dhe si grup parlamentar mund te flasim me shefat e grupeve me u dakorduar dhe kërkoj të hiqet nga rendi i ditës”, tha Sejdiu.

Kuvendi nis seancën me mungesë kuorumi, miratohet vetëm një projektligj

Kuvendi i Kosovës ka nisur vazhdimin e seancës me pikat e papërfunduara të mbajtura më 13 shtator, 18, 31 tetor, 2 dhe 7 nëntor.

Për shkak të kuorumit nuk janë votuar projektligji për transmetuesin publik të Kosovës, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës,  projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Automjete, projektligji për plotësimin edhe ndryshimin e ligjit për Hekurudhat e Kosovës, projektligji për shërbimet postare, projektligji për miniera dhe minerale, raporti vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017, votimi për emërimin e 7 anëtarëve të Këshillit të Kosovës për trashëgimi Kulturore, votimi për shkarkimin e Shqiprim Pula nga pozita e anëtarit të Bordit të Autoritetit Rregullator të komunikimeve elektronike dhe postare, propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e "shkëmbimit të territoreve" apo "korrigjim të kufijve" nà « dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe projektligje e raporte tjera.

Kurse është hequr nga rendi i ditës për shkak se mungonin 11 deputet nga komunitetet, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Trashëgiminë Kulturore, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.

Ndërsa, propozim-rezoluta nga debati parlamentar për dialogun me Serbinë, propozuar nga GP i PSD-së, është hequr nga rendi i ditës me kërkesën e propozuesit.

I vetmi projektligj që është miratuar ishte ai për projektligjit për Noterinë.

Kuvendi i vazhdon punimet me rreth një orë vonesë

Kuvendi i Kosovës me rreth një orë vonesë i ka hapur punimet për vazhdimin e pikave të papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 13 shtator, 18, 31 tetor, 2 dhe 7 nëntor 2018.

Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore si dhe votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës janë evituar nga votimi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se për tu votuar këto dy projektligje duhet në sallë të jenë të paktën 11 deputet të komuniteteve.

“Do të evitohen nga vënia në votim sepse duhen 11 deputet të komuniteteve”, tha Veseli.

Gjithashtu, nuk ka pasur kuorum për votim në disa projektligje:

Votimi në në parim i Projektligjit për transmetuesin publik të Kosovës.

Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-036 për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete.

Ndërsa, me 65 vota për ka kaluar në lexim të dytë i Projektligjit nr. 06/ L-010 për Noterinë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...