28 Nëntori të jetë festë zyrtare, disa festa në kalendar janë të panevojshme

Aktuale

28 Nëntori të jetë festë zyrtare, disa festa në kalendar janë të panevojshme

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 13:20
Prishtina

28 Nëntori nuk bën pjesë në kalendarin e festave zyrtare të Kosovës, ani pse kjo ditë festohet çdo herë dhe e njëjta shpallet ditë pushimi për të gjitha institucionet shtetërore. Historianë, edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës po kërkojnë që kjo festë të jetë pjesë e kalendarit të festave zyrtare.

 Sipas tyre, në këtë formë po cenohen vlerat kombëtare. 

Dita e Flamurit, 28 Nëntori, shënohet pothuajse kudo që flitet shqip. Me flamuj kuq e zi shihet i zbukuruar edhe shteti gati 11 vjeçar, ku 95 përqind e popullatës janë shqiptarë.
Kjo datë në të cilin në vitin 1912 është shpallur pavarësia e shtetit shqiptar në katër vilajetet shqiptare, përbën edhe histori të tjera për shqiptarët.

Me 28 Nëntor është ditëlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari  dhe data kur UÇK doli për herë të parë publikisht, në vitin 1997 në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë të Drenicës.

Krejt këto bëjnë që emocionet e shqiptarëve në Kosovë në këto ditë nëntori të jenë të mëdha, dhe pothuajse çdo gjë merr ngjyrën e festës.

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008, u vendos që festà « zyrtare të jetë 17 Shkurti, dhe 28 Nëntori mbeti vetëm tek festat memoriale. Kjo doli nga pakoja e Ahtisarit, përmes së cilës edhe u shpall pavarësia.

Por, historiani Frashër Demaj po thotë se është bërë gabim i madh kur është hequr festa e 28 Nëntorit nga kalendari i festave zyrtare.

Demaj: Po i cenojmë vlerat tona kombëtare kulturore

“Është për shkak të presionit të bashkësisë ndërkombëtare që mos të ngatërrohet me Shqipërinë, është rezultat edhe i presionit të Serbisë dhe serbëve të Kosovës dhe është edhe ndoshta rezultat i mosgatishmërisë dhe sikur politikanët tanë gjithmonë ndjehen inferiorë në raport me kërkesat e të tjerëve, sepse unë nuk besoj që do të insistonte Evropa aq shumë po t’i thuhej njëherë jo, sepse nëse e heqim nga kalendari i festave në Kosovë 28 Nëntorin atëherë i cenojmë vlerat tona kombëtare kulturore dhe e cenojmë ndjesinë e shqiptarëve të Kosovës”, thotë Demaj.

Ai thotë se 28 Nëntori nuk është festë vetëm e Shqipërisë, por e të gjithë shqiptarëve.
Demaj tregon se në vazhdimësi kanë kërkuar nga institucionet e shtetit që të kthehet kjo festë në kalendar.

Demaj: Parlamenti duhet ta kthejë 28 Nëntorin festë zyrtare

“Gati çdo vit komuniteti i historianëve ka apeluar te institucionet e shtetit që të kthehet 28 Nëntori në kalendarin e festave të shtetit të Kosovës, meqë që është festë kombëtare dhe jo festë e Shqipërisë, dhe është jo korrekte t’i privosh njerëzit nga ndjesia për të festuar, për një festë kombëtare e cila është shumë e rëndësishme për ta. Andaj unë them që edhe sot e kësaj dite kjo kërkesë vlen, dhe duet qeveria e Kosovës, nëse jo qeveria atëherë Parlamenti, me një votim të veçantë ta kthejë pavarësinë e shqiptarëve si festë shtetërore dhe kombëtare”, thotë Demaj.

Ligji për Festat Zyrtare është miratuar në vitin 2008, e qysh atëherë jashtë listës së festave ka mbetur 28 Nëntori.

Nait Hasani, kryetar i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, në Kuvendin e Kosovës, thotë se 28 Nëntori nuk e ka vendin tek festat memoriale.

Hasani:  28 Nëntori duhet të jetë festë zyrtare

“28 Nëntori është lënë në festat memoriale, e cila nuk e ka vendin aty, duhet të jetë festë zyrtare, duhet të jetë një festë shtetërore për shkak se është një numër shumë i madh i banorëve 95 përqind shqiptarë, e ne kemi festë memoriale. Nuk është e drejtë, nuk është e barabartë, andaj ka mbetë në këtë formë për hir të një marrëveshje ndërkombëtare. Kjo marrëveshje ndërkombëtare duhet të ndryshohet dhe 28 Nëntori duhet të bëhet festë zyrtare shtetërore”, thotë Hasani.

Ai shton se kjo është politikë e bashkësisë ndërkombëtare në raport me Pakon e Ahtisarit, andaj është e vështirë të ndryshohet.

Ndërsa Rasim Alija, nga D4D, thotë se në çështjen e festës së 28 Nëntorit ka implikime për shkak se Kosova e ka festën e 17 Shkurtit, dhe për shkak të pakicave që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Alija: Duhet të përcaktohet qartë festimi i 28 Nëntori

“28 Nëntori për shkak të shenjëzimit që e ka si ditë në memorien tonë kolektive, ish dashur me u ulë si shoqëri dhe të  përcaktohet se a duam ta festojmë si festë zyrtare, çka ndërlidhet ajo me pjesën e shtetit të Kosovës, cilat janë shenjëzimet apo pjesa emocionale e shoqërisë kosovare me 28 Nëntorin dhe në bazë të kësaj ish dashur  me u përcaktu a do të jetë festë zyrtare e Republikës së Kosovës ose jo. Këtu ka mjaft komplikime sepse e kemi 17 shkurtin e cila është festë e sh tetit të Kosovës, sidomos edhe implikime të tjera me pakicat që i kemi në Kosovë”, thotë Alija.

Derisa 28 Nëntori nuk bënë pjesë në kalendarin zyrtar të festave në Kosovë, aty ka data të tjera që shënohen me festë dhe ditë pushimi, por që konsiderohen si të panevojshme.

Aktualisht shteti i Kosovës ka 11 festa zyrtare: Vitin e Ri, Krishtlindjet Ortodokse, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Pashkët Katolike, Pashkët Ortodokse, Ditën e Kushtetutës, Ditën Ndërkombëtare të Punës, Ditën e Evropës, Bajramin e Madh, Bajramin e Vogël, dhe Krishtlindjet Katolike.

Festat si Dita e Kushtetutës, Dita e Evropës, apo 1 Maji, po konsiderohen të panevojshme në Kosovë, që të jenë festa zyrtare dhe në të njëjtat të jenë ditë pushimi.

Dje, Ministria e Administratës Publike ka njoftuar se të gjitha institucionet e Kosovës, për nder të festës së 28 Nëntorit sot do ta kenë ditë pushimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat