Thaçi dy vite më parë kërkoi zbardhjen e vrasjeve politike, por u harrua...

Aktuale

Thaçi dy vite më parë kërkoi zbardhjen e vrasjeve politike, por u harrua...

Nga: N.A Më: 3 dhjetor 2018 Në ora: 11:35
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dy vite më parë dërgoi katër letra në drejtim të Prokurorisë për të kërkuar nga ata që të fillojnë hetimet rreth krimeve që janë kryer gjatë luftës dhe pas saj, sikurse edhe atentatin ndaj ish presidentit Ibrahim Rugova.

Në letrën e parë, presidenti Thaçi kishte theksuar nevojën për t’u marrë me krimet e luftës të kryera në Kosovë gjatë luftës, konkretisht për zbardhjen e disa prej masakrave më të rënda që kishin ngjarë gjatë luftës.

Në letrën e dytë, ai ka kërkuar që vëmendje t’u kushtohet edhe shumë krimeve serioze të kryera menjëherë paslufte apo në vitet e mëvonshme, siç janë vrasja e vëllezërve Bytyçi në qershor 1999, përpjekja për atentat kundër ish-presidentit Ibrahim Rugova në mars 2005, si dhe vrasja e disa personaliteteve publike dhe disa krime të tjera gjatë kësaj periudhe.

Në letrën e tretë, presidenti Thaçi ka kërkuar që gjithashtu vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe krimeve monstruoze, siç ishte përdhunimi i personave, veçanërisht i grave dhe vajzave gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999.

Kurse, në letrën e katërt, presidenti Thaçi kishte thënë se ka inkurajuar Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, që vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe zbardhjes të së vërtetës për shkatërrimin e trashëgimisë.

E tash dy vite pas, duket se letrat e presidentit Thaçi  mbetën në sirtarët e Prokurorisë së Kosovës dhe ato ngadalë “po i mbulon edhe pluhuri”.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë për gazetën “Bota sot” se vullnet ka munguar dhe është duke munguar si nga organet e sigurisë ashtu edhe ato të ndjekjes.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi dy vite me herët kishte kritikuar qasjen kur Prokurorit të Shtetit duhet ti tregohet apo kërkohet nga institucionet tjera në rastin konkret nga Presidenti i Republikës për të ushtruar kompetencat dhe përgjegjësitë, të cilat burojnë nga Kushtetuta dhe ligji i aplikueshëm. IKD në vazhdimësi ka kërkuar nga sistemi prokurorial por edhe organet e sigurisë përgjegjësi dhe vullnet për të zbuluar kryesit e veprave që ndërlidhen me motive politike. Fatkeqësisht, ky vullnet ka munguar dhe është duke munguar si nga organet e sigurisë ashtu edhe ato të ndjekjes” ka thënë ai.

Miftaraj ka theksuar se trajtimi i rasteve po bëhet përmes deklaratave boshe dhe pas asnjë rezultat konkret.

“Organet e ndjekjes në vend që këto raste ti trajtojnë me prioritet dhe në mënyrë të pavarur, të njëjtat organe janë kthyer në një kopje të keqe të politikës, dhe trajtimin e këtyre rasteve e bëjnë vetëm përmes deklaratave boshe dhe pas asnjë rezultat konkret”, ka përfunduar Ehat Miftaraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat