Përfundon seanca maratonike, votimi i rezolutës së LDK-së dhe VV-së shtyhet për të enjten

Aktuale

Përfundon seanca maratonike, votimi i rezolutës së LDK-së dhe VV-së shtyhet për të enjten

Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 16:27
Glauk Konjufca

(E plotësuar) - Ka mbaruar debati nga seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës e thirrur nga LDK-ja e VV-ja për mos liberalizim të vizave.

Pas disa orësh konsultim me deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Glauk Konjufca bëri të ditur se votimi për rezulutën të shtyhet për të enjtën.

“Propozojmë me LDK-në që seanca e ditës së votimit të jetë të enjtën sepse nuk ka kuorum për të vazhduar drejt votimit”, tha Konjufca.

Konjufca konsultohet me LDK-në, s’ka kuorum për votim të rezolutës 

Po vazhdon akoma seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Mirëpo, për këtë seancë pritet të hidhet në votim rezoluta e propozuar nga LDK-ja me tri pika.

Tani që u bënë disa orë, Glauk Konjufca i VV-së është parë duke u konsultuar me deputetët e LDK-së, pasi në sallë janë pak deputetë dhe nuk ka kuorum të mjaftueshëm për ta hedhur në votim rezolutën.

Kujtojmë se rezoluta e propozuar sot ka këto tri pika:

Forcat politike parlamentare të ulen në tryezën e bisedimeve për të dakorduar agjendën për krijimin e institucioneve të reja përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Pas këtij dakordimi, Qeveria e Kosovës të dorëhiqet dhe Kuvendi të shpërbëhet për t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja.

Forcat politike të dakordohen që gjatë kësaj periudhe të mos dëmtohen proceset e rëndësisë nacionale, duke u siguruar që të adresohen çështjet më urgjente para se të shpërbëhet Kuvendit, para së gjithash votimi i pakos së ligjeve për ushtrinë.

Bajrami e quan skandaloze ndarjen e mjeteve për familjarët e rastit “Kumanova”

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami e ka quajtur skandal vendimin e Qeverisë Haradinaj për ndarjen e mjeteve për familjet e  të dënuarve dhe të vrarëve në përleshjen e Kumanovës.

Ajo vendimin për të përkrahur familjet e rastit ‘Kumanova’ e quan skandaloze, derisa përmend edhe dërgimin e veteranëve në pushime.

“Korrrupsion ka pothuajse çdo ditë, ju e keni pa, janë mbi 50 vendime të Qeverisë, nga ma skandalozet,  ku ndahen para për të quar veteran në deti, qoftë kur ndahen familjeve të te akuzuarve për terrorizëm në rastin  Kumanova dhe plotë vendime tjera. Çka nuk ka, ndahen taksat  taksat e shtetit, për kësi lloje qëllime” , ka thënë Bajrami para deputetëve.

Ajo ka përmendur edhe rritjen e numrit të këshilltarëve, ministrive e kordinatorët, të cilat sipas saj po i kushtojnë lartë buxhetit të shtetit.

Kurti: Qytetari i Kosovës më shumë i ka gjasat të fitojë azilin politik, se sa heqjen e vizave

Arsyeja kryesore për vonesën e liberalizimit të vizave është dështimi total për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, është shprehur kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë seancës së sotme të jashtëzakonshme të thirrur nga opozita.

Sipas tij, qytetari i Kosovës më shumë i ka gjasat të fitojë azilin politik, se sa heqjen e vizave.

Konjufca: Asnjë gram s’jemi pendu kur kemi gjuajtur gaz në Kuvend

Deputeti i VV-së, Glauk Konjkufca i ka reaguar deputetës së AAK-së, Teuta Haxhiut lidhur me gjuajtjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Konjufca i ka thënë Haxhiut se as ai dhe as kolegët e tij, nuk pendohen për asnjë veprim që e kanë bërë brenda Kuvendit.

Pasi sipas tij, të gjitha janë bërë për të ndalur Zajadnicën dhe demarkacionin.

Ndërsa, Konjufca ka thënë se është turp për deputetët që bëjnë protesta që të mos votohet demarkacioni, e në fund e votuan demarkacionin sipas planit të Murat Mehës.

Kurti: Qytetari i Kosovës më shumë i ka gjasat të fitoj azil politik

“Në anën tjetër KDI dhe Transparence International Kosovën e kanë përdorur tokë-fjalëshin, kapje e shtetit. Situata thonë nuk është vetëm korrupsion, sepse është kapje e shtetit. Kjo do të thotë se në Kosovë  nuk mund të flitet  korrupsion dhe krim të organizuar, sepse krimi është i istitucionacionalizuar, krimi i organizuar megjithatë ndodh  jashtë strukturave shtetërore, ndërkaq në shtetin e kapur  nuk ka më as krim të organizuar, as korrupsion, sepse ka krim të institucionalizuar”, tha ai

Ai po ashtu ka thënë se liberalizimi i vizave nuk është prioritet i qytetarëve, por më shumë i qeveritarëve dhe ka kërkuar  dorëheqjen e qeveritarëve, që sipas tij tani më janë tërhequr.

Kurti: Kërkojmë dorëheqjen e Qeverisë  

“Ne po kërkojmë dorëheqjen e qeverisë, e cila tash më është tërhequr, këtu janë 22 ulëse, nuk është as një ministër, i kemi pesë zëvndëskryeministra, kryeministrin dhe 23 ministra që bëjnë gjithsej 29. Prej 29 qeveritarëve asnjëri prej tyre nuk ndodhet në këtë seancë. Pra kemi një qeveri që tash më është tërhequr. Ne po kërkojmë dorëheqjen e një qeverie, të tërhequr, se Qeveria nuk është këtu”, ka përfunduar Kurti.

***

Derisa, seanca e jashtëzakonshme për dështimin e liberalizimit të vizave, e thirrur nga opozita, ka mbi dy orë që ka filluar, akuzat dhe kundërakuzat fyerjet për këtë, mes deputetëve, nuk kanë të ndalur.

Vonesat për liberalizimin e vizave, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca po ua hedh edhe disa deputetëve. Kësaj radhe, ai fajëson Milaim Zekën, duke ia përmendur kështu falsifikimin me vizat.

Konjufca: Njerëzit që falsifikojnë me viza, bëhen deputetë në Kuvendine  Kosovës

“Unë mendoj që ne nuk kemi edhe liberalizim të vizave, ndër të tjera edhe për disa arsye. Për shkak që njerëzit që falsifikojnë vizat në Kosovë, jo që shëtitën të lirë  prej drejtësisë, por bile bëhen edhe deputetë në Kuvend të Republikës së Kosovës. Kjo e dëmton pa masë liberalizimin e vizave, ashtu si e ka dëmtuar edhe vjedhja e pasaportave, 5, 3 milionë euro korrupsioni. Gjitha këto, deputetët që falsifikojnë vizat  ata i lexojnë i shikojnë dhe  kjo është e patolerushme për Bashkimin Evropian. Unë e kuptoj se çfarë tha deputeti paraprak, sepse tash aq është në zor prej drejtësisë, sa që  me shpëtuar, mendon që  kjo zgjidhet duke ia bërë qejfin atyre prokurorëve  të presidentit, e duke e sha opozitën”, ka thënë ai.

Tutje, ka thënë se krimet e Zekës janë shumë të mëdha. Duke shtuar se ato nuk mund t’i zgjidh as me korrupsion, ndaj gjyqtarëve, siç tha ai. 

Reagimi i Konjufcës erdhi, pasi deputeti Milaim Zeka pohoi se “kurrë nuk kishte besuar që Vetëvendosja do të bëhej bashkë me LDK-në, në veçanti pas asaj që VV ishte kundër miratimit të demarkacionit me Malin e Zi, ku Kosova humb 8-mijë hektarë tokë”.

Hoti kërkon nga Kuçi të mbajë fjalën, të jap dorëheqje

 Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë për Kosovën, Blerim Kuçi ka kërkuar të di se çfarë do të ndodh me nënshkrimet e falsifikuara të deputetëve të opozitës, duke pyetur shtuar nëse një gjë e tillë a është vepër penale.

Këto komente ai i bëri në këtë seancën e thirrur nga opozita, pas mos liberalizimit të vizave për vendit tonë këtë vit.

Kuçi: Çfarë do të ndodh me nënshkrimet e falsifikuara?

“Sepse kështu nëse ne nuk japim përgjigje, liberalizimi i vizave do të shtyhet edhe për 2022, probleme kemi. Edhe qytetarët edhe ne kemi nevojë me pas sqarime se çfarë u bë  me nënshkrimet e falsifikuara, kur subjektet politike nënshkruajnë në formë të falsifikuar ose prezantojnë falsifikatë për të thirr seancë të jashtëzakonshme. Atëherë dihet që dikujt po i ngutet. Pikëpyetje është a po ju ngutet që me prish çështjen e dialogut, e patëm një rezolutë për dialogun, a ka të bëjë më çështjen e ushtrisë, nuk e di saktë, por dikujt po i ngutet”, tha ai.

E menjëhershme ishte  kundër-replika, e shefit të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Ai ka kërkuar nga Kuçi, që të mbaj fjalën, që të jap dorëheqje ashtu siç kishte premtuar, që nëse nuk liberalizohen vizat gjatë këtij viti, ai do të jepte dorëheqje.

Hoti: Pres nga Kuçi ta mbajë fjalën

“Unë prita nga zotëri Kuçi që ta mbajë fjalën, i ka shti fjalët fort për liberalizimin e vizave. Pavarësisht se çfarë ndodh unë pres që ai me mbajt fjalën”, ka thënë ai.

Kurse Kuçi u përgjigj se sa i përket dorëheqjes, tha se do të diskutohet dorëheqja e tij dhe e Hotit, pasi të votohet Ligji  për ushtri.

Isufi e quan jo serioze seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi , e ka quajtur jo serioze seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, duke iu referuar kështu nënshkrimeve të mëhershme, të cilat sipas tij ishin të manipuluara, e po ashtu edhe rezolutës, ku tha se përmenden zgjedhjet.

Ai këto komente i bëri në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur nga opozita, pas mos liberalizimit të vizave për vendit tonë këtë vit.

Isufi kërkoi të mos përmenden data në lidhje me liberalizimin e vizave, duke thënë se krejt kjo varet nga BE-ja dhe jo nga Kosova. 

Isufi: Hahn nuk tha se nuk do të ketë liberalizim të vizave

“Bashkimi Evropian përmes komisionarit Hahn  në Prishtinë dje deklaron se Kosova i ka përmbush kriteret, 95 për qind, do të thotë e ka kryer punën e vet, dhe nuk e tha ndryshe, por tha që në BE ekzistojnë procedura të cilat duhet të vazhdojnë  në mënyrë që të bëhet liberalizimi i vizave”, tha ai.

Ndryshe, komisionari evropian për Zgjerim Johaness Hahn gjatë vizitës së djeshme në Kosovë tha se heqja e regjimit të vizave nuk do të ndodhë deri në vitin 2020, madje i porositi kosovarët të mos mbahen peng i datave, duke aluduar se ky proces mund të merr kohë edhe më shumë./

Isufi e quan jo serioze seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi , e ka quajtur jo serioze seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, duke iu referuar kështu nënshkrimeve të mëhershme, të cilat sipas tij ishin të manipuluara, e po ashtu edhe rezolutës, ku tha se përmenden zgjedhjet.

Ai këto komente i bëri në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur nga opozita, pas mos liberalizimit të vizave për vendit tonë këtë vit.

Isufi kërkoi të mos përmenden data në lidhje me liberalizimin e vizave, duke thënë se krejt kjo varet nga BE-ja dhe jo nga Kosova. 

Isufi: Hahn nuk tha se nuk do të ketë liberalizim të vizave

“Bashkimi Evropian përmes komisionarit Hahn  në Prishtinë dje deklaron se Kosova i ka përmbush kriteret, 95 për qind, do të thotë e ka kryer punën e vet, dhe nuk e tha ndryshe, por tha që në BE ekzistojnë procedura të cilat duhet të vazhdojnë  në mënyrë që të bëhet liberalizimi i vizave”, tha ai.

Ndryshe, komisionari evropian për Zgjerim Johaness Hahn gjatë vizitës së djeshme në Kosovë tha se heqja e regjimit të vizave nuk do të ndodhë deri në vitin 2020, madje i porositi qytetarët të mos mbahen peng i datave, duke aluduar se ky proces mund të merr kohë edhe më shumë.

Sejdiu: Fajin për mosliberalizim e kanë të gjitha qeveritë e vendit

Shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu ka theksuar se liberalizimi i vizave është premtim elektoral tash e 10 vjet, i të gjitha qeverive pa përjashtim.

Ai po ashtu pohoi se asnjë qeveri nuk ka qenë as e drejtë dhe as korrekte në trajtimin e çështjes së liberalizimit të vizave, duke pohuar se Kosova nuk është një çështje e ndërlikuar dhe e pa përballuar për vendet e BE-së sepse Kosova është një vend i vogël, ai tha se Kosova ka 1.8 milionë banorë, kurse vetëm Parisi ka 2.5 milionë banorë. Po ashtu ai tha se shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor e kanë të drejtën e  lëvizjes së lirë që nga viti 2010.

Sejdiu: Për sa i përket Qeverisë së Kosovës

“Për sa i përket Qeverisë së Kosovës, një pjesë e kritikës u dha edhe nga iniciuesi, por unë po e përmend edhe një. Keqpërdorimi i bashkësisë ndërkombëtare për shtyrje të agjendave të këqija për Republikën e Kosovës, është njëra prej adutëve që këto qeveri e kanë përdor tash e 18 vite. Por besoj që duhet të presim një lloj kredibiliteti nga ato shumë shtete, që kanë shpenzuar qindra miliona euro, për me pas institucione të tyre në Kosovë. Këtu po përmendi p.sh. EULEX-in, parat e taksapaguesve të qytetarëve evropian, janë shpenzuar në Kosovë me të madhe, në mënyrë që me pas një mision i cili e skanon, e mirëmban dhe e ndërton sistemin e drejtësisë në Kosovë”, tha Sejdiu.

Konjufca: Pse po i mashtroni qytetarët për viza, dilni jepni përgjegjësi para tyre

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka kërkuar përgjegjësi nga pozita për shkak të mos liberalizimit të vizave, duke thënë se me premtimet e mëhershme të tyre ata vetëm sa i kanë mashtruar qytetarët e vendit dhe se për këtë duhet të japin përgjegjësi.

Ai ka përkujtuar se presidenti i Kosovës  Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kishin premtuar se demarkacionit  do të jetë kushti i fundit për liberalizim, por kjo nuk doli të jetë ashtu.

Konjufca: Deklarata e komisionarit Hahn, tregon jo seriozitetin e kësaj qeverie

“Komisionari Hahn na tregoi se nuk do të ketë liberalizim të vizave deri në vitin 2020. Kjo tregon jo seriozitetin e kësaj qeverie dhe premtimet e këtyre politikanëve. Edhe vetë Qeveria e kaluar kur u rrëzua koalicioni PAN, e rrëzoi me arsyetimin shumë të mirënjohur , që këta nuk po dinë të marrin vendime për liberalizim të vizave, kështu që po e rrëzojmë, sepse  e dimë se qysh me i marrë  vendimet e mëdha. Tash qytetarët kanë të drejtë të pyesin pse i keni mashtruar ata, pse nuk keni treguar drejt. Më në fund, në këtë vend duhet që politikanët të mësohen të japin përgjegjësi”, tha ai.

Ndryshe, komisionari evropian për Zgjerim Johaness Hahn gjatë vizitës së djeshme në Kosovë tha se heqja e regjimit të vizave nuk do të ndodhë deri në vitin 2020, madje i porositi qytetarët të mos mbahen peng i datave, duke aluduar se ky proces mund të merr kohë edhe më shumë.

Zemaj: Në kushte normale do duhet të jepnim mesazhin e afrimit me BE-në

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se sot në kushte dhe rrethane normale, me një qeveri kredibile, do të duhej të kishim një seancë solemne për të dhënë mesazhe dhe inkurajim qytetarët e Kosovës, se vendi ynë është afruar me botën perëndimore, janë shkurtuar hapat e anëtarësimit në Bashkësinë Evropiane, është siguruar lëvizja e lirë.

“Por fatkeqësisht qytetarët e Republikës duhet të numërojnë dështimet, skandalet, dëmet dhe pasojat që kjo qeveri dhe këta krerë të institucioneve po ia bëjnë shtetin tonë dhe popullit të Kosovës. Dje morëm përgjigje të prerë, shumë të shkurtë dhe pas asnjë mëdyshje se nuk ka lëvizje të lirë për qytetarët e Republikës Kosovës”, tha Zemaj.

Ai në seancën e jashtëzakonshme që është duke u mbajtur, tha se sot kemi nevojë për unitet dhe duhet t’i thirrim mendjes dhe mos të mendoni vetëm për karrigen e pushtetit.

“Të reflektoni duke thirr në përgjegjësi dhe të kërkoni dorëheqjen e kësaj qeverie duke i mundësuar vendit kthimin e dinjitetit dhe rrugës demokratike të zhvillimit të saj”, shtoi Zemaj.

***

Deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, duke përfshirë demarkacionin dhe luftën kundër korrupsionit, dhe është pritur të merren sinjale pozitive, por shtyrja e këtij procesi është lajmi më i keq për qytetarët në këtë fundvit.

Ajo këto komente i bëri në seancën e jashtëzakonshmet të Kuvendit të Kosovës, e cila po mbahet me kërkesë të opozitës për liberalizimin e vizave, pas me deklaratës së djeshme të komisionarit evropian për Zgjerim Johaness Hahn se nuk do të ketë heqje të regjimit të vizave deri në vitin 2020.

Deliu-Kodra: Njëri prej lajmeve më të këqija që kemi marrë këtë fund vit

“Ishte deklaratë dekurajuese për qytetarët e Kosovës. Para kësaj deklarate duhet të kthejë vëmendjen që kemi pasur me Avdullah Hotin dhe Glauk Konjufcën në Bruksel, në një takim në PE, ku përfaqësues të PE-së i adresuan shqetësimet që Kosovës po i bëhet e padrejtë sa i përket mos dhënies së vizave. Edhe në këtë takim u tha qartë se procesi po shndërrohet në diçka politike. Këtë e kanë thënë vetë zyrtarë të BE-së dhe është njëri prej lajmeve më të këqija që kemi marrë për këtë fund vit”, ka thënë ajo.

Deliu-Kodra kritikoi opozitën rreth reagimit të saj për liberalizimin e vizave, duke thënë se Kosova do të vazhdojë me punën e saj në forcimin e institucioneve, për të përafruar vendin në rrugëtimin e saj euroatlantik, ndërsa shtoi se BE duhet të trajtojë Kosovën njëjtë sikur vendet tjera të rajonit, të cilat kanë përfituar më herët nga ky proces.

Për më tepër, deputetja Deliu-Kodra tha se qytetarët janë me të drejtë të dekurajuar me deklaratën e komisionarit evropian për Zgjerim Johaness Hahn se nuk do të ketë heqje të regjimit të vizave deri në vitin 2020.

Ajo theksoi se është lajm i keq që Kosova nuk është pjesë e agjendës për heqjen e vizave këtë vit, pasi  liberalizimi i vozave do të sillte Kosovën më afër BE-së dhe do të lehtësonte udhëtimin e qytetarëve drejt vendeve të Zonës Shëngen.

Deliu-Kodra: S’ka rrezik për migrim masiv

“Ka një numër i shteteve se Kosova do të jetë vatër e migrimit dhe qytetarët do të lëvizin në një pjesë të këtyre shteteve. Kosova ka bërë progres sipas raportit të Eurostatit dhe nuk figurojmë në mesin e 30 vendeve që paraqesin rrezik për migrim dhe ua kemi bërë të qartë miqve tanë”, tha Deliu-Kodra.

Konjufca – Dedës dhe Kusarit: Po të ishit opozitarë, nuk ish dashtë me ba gjithë atë zhurmë për nënshkrime

 Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, ka thënë se beson që do të kenë kuorum për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për dështimin e liberalizimit të vizave, raporton Periskopi.

Ai ka kritikuar deputetët e Alternativës, Ilir Dedën dhe Mimoza Kusarin për ‘zhurmën’ që bën për çështjen e nënshkrimeve të tyre.

“Kuorumi i duhet kësaj seance, por në mbledhjen e Kryesisë të gjitha grupet parlamentare thanë se do të jenë në seancë.  Po të kishin qenë opozitarë të vërtet ish dashtë me dalë e me thanë që ne jemi për mbajtjen e asaj seance. Unë i kuptoj procedurat teknike, por është edhe vullneti i deputetëve. A duan të mbajnë seancë për dështimet e seancës, apo jo”, ka thënë ai.

Opozita kërkon shpërbërjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të miratojë një rezolutë, ku kërkohet shpërbërja e Kuvendit, dorëheqja e Qeverisë, po që paraprakisht të miratohet pakoja ligjore për formimin e ushtrisë.

Hoti këtë kërkesë e bëri sonte gjatë mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur me kërkesë të opozitës.

Hoti ka thënë se fajin për mos liberalizimin e vizave, e ka pikërisht kjo qeverisje njëvjeçare, pasi kjo qeverisje është një manual se si të zhbëhet shteti brenda një viti.

Hoti: Fajin për mos liberalizimin e vizave e ka kjo qeverisje

“Këta persona dështimin e liberalizimit të vizave  dhe anëtarësimin në Interpol,  po e plasojnë para qytetarëve si dështim të Evropës  me rastin e liberalizimit të vizave  dhe të sigurisë globale, në rastin e Interpol-it. Ndërkaq vet kanë dështuar totalisht të përmbushin agjendën e reformave evropiane dhe zbatimit të MSA-së, pavarësisht se opozita jo që ka hedhur gaz e ka përdorur dhunë, por i ka mbështetur të gjitha ligjet dhe reformat  për integrim evropian pa  asnjë kusht dhe pengesë. Këta zhgënjyen Brukselin dhe qytetarët tanë”, ka shtuar deputeti Hoti.

Tutje ai ka thënë se demokracia shkelet nëse komunat e qeverisura nga AAK, përfitojnë tre herë më shumë se komunat tjera. Sipas tij, kulmi i dështimeve, është mos anëtarësimi në Interpol dhe mos liberalizimi i vizave.

“Nga një analizë e thjeshtë e qeverisjes njëvjeçare të koalicionit PAN, mund të nxirret një manual se si të zhbëhet shteti brenda një viti. Shteti, rendi kushtetues, dhe ligji cenohen nëse kryeministri urdhëron ministrat të marrin vendime jo ligjore, siç është rasti me shkarkimin e bordit të Agjencisë së Akreditimit. Ose nëse qeveria merr vendime jo kushtetuese, siç është rasti me pronat e AKP-së në komunat serbe, ose me rritjen e pagës së vet. Paraja publike keqpërdoret nëse emërohen 80 zëvendës ministra e plotë koordinat nacional  për të njëjtat detyra”, ka thënë Avdullahu.

Hoti ka kërkuar nga deputetët që në fund të debatit të miratohet një rezolutë, e cila përmban tre pika.

Hoti: Qeveria e Kosovës të dorëhiqet

“Prandaj në fund të këtij debate, ne ftojmë deputetët që të miratojmë së bashku një rezolutë që ka tre pika:

Që forcat politike parlamentare të ulën në tryezën e bisedimeve për t’u dakorduar për agjendën për krijimin e institucioneve të reja përmes zgjedhjeve të reja dhe demokratike.

E dyta, pas këtij dakordimi, Qeveria e Kosovës të dorëhiqet dhe Kuvendi të shpërbehet, për t’i hap rrugë formimit të institucioneve të reja.

Dhe e tretë, që forcat politike të dakordohen që gjatë kësaj periudhe, të mos dëmtohen proceset e rëndësisë nacionale,  duke u siguruar që të adresohen çështjet më urgjente para se të shpërbëhet Kuvendi, para se gjithash, votimi i pakos së ligjeve për ushtrinë”, tha Hoti,

Hoti: Koalicioni qeverisës fajtor për të gjitha dështimet e Kosovës, duhet të dorëhiqet

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, parti kjo iniciues e seancës, ka thënë disa kritika për koalicionin qeverisës.

Hoti ka akuzuar kryeministrin me partnerët e koalicionit se janë fajtor për të gjitha dështimet që Kosova po i pëson.

Më poshtë pjesë nga fjalimi i Hotit:

Kryeministri me partnerin e koalicionit që dikur pengonin me dhunë intrigat, sot po fajësojnë BE-në për dështimin me viza.

Ata dështimin me viza dhe Interpol po e bëjnë si dështim të ndërkombëtarëve, derisa vet kanë dështuar në MSA.

Këta zhgënjyen Brukselin dhe qytetarët tanë, prandaj fajin për viza e ka viti i mbrapshtë i kësaj qeverisje.

Kosova po humb miq në perëndim, e po kërkoni miq të rinj në lindje.

Të gjitha zhvillimet, jo vetëm ato në veri, po shkojnë në drejtim të Serbisë.

Nuk po na njohin shtetet e reja, ato që na kanë njohur kanë filluar të tërheqin njohjet.

Në vend që të korrigjoni gabimet e juaja, ju po shikoni ti korrigjoni kufijtë e Kosovës.

Kjo situatë nuk mund të vazhdoj tutje, qytetarët kanë nevojë për normalitet dhe perspektivë të qartë.

Presim që koalicioni i punëve të mëdha të hap rrugë për formimin e institucioneve të reja.

Në fund të debatit ne ftojmë deputetët të miratojmë së bashku një rezolutë që ka tri pika.

Që forcat politike parlamentare të ulen e të dakordojnë agjendën për institucione të reja.

Pas këtij dakorimi qeveria të dorëhiqet dhe kuvendi të shpërbëhet.

Që forcat politike të pajtohen që mos të pengohen këto procese.

Hoti sqaron çështjen e nënshkrimeve të Dedës e Kusarit, nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit

Me disa minuta vonesë, ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës.

Kjo seancë e cila po mbahet me kërkese të Lidhjes Demokratike të Kosovës dështoi edhe më parë.

Pas dështimi, kryesia u mblodh dhe vendosi që seanca të nis në ora 20:00. 

Hoti sqaron çështjen e nënshkrimeve të Dedës e Kusarit, dorëzohet kërkesa e re për seancë

Për të tretën herë gjatë mbrëmjes së sotme është mbledhur Kryesia e Kuvendit të Kosovës.

Deri sa pritej të fillojë seanca e Kuvendit të Kosovës, në sallë ndodheshin vetëm 51 deputetë, pasi opozita pas nënshkrimit, lëshoi sallën, dhe për këtë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se nuk janë kushtet që të mbahet seanca.

“Nuk ka kushte momentalisht për mbajtën e seancës,  janë vetëm 51 deputetë, do ta vazhdojmë këtë seancë në një moment. Për sonte e mbyllim, për t’ju thirrur në një moment të caktuar. Kryetarët e grupeve parlamentare dhe Kryesia, menjëherë takim”, ka thënë Veseli.

Ndryshe, ka dështuar edhe seanca e jashtëzakonshme e thirrur  nga opozita për dështimin e liberalizimit të vizave

Hoti dorëzon kërkesën e re për seancë

 Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka njoftuar se është dorëzua kërkesa e re për seancë sonte në orën 20.

Këtë lajm Hoti e ka bërë të ditur përmes Facebookit.

Postimi i plotë:

Pas pengimit te mbajtjes se seances se kerkuar nga opozita, u dorezua kerkesa e re per seance sonte ne oren 20.

***

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka sqaron çështjen e nënshkrimeve të deputetëve të Alternavtives,  Mimoza Kusari Lila e Ilir Dedes

"Gabimisht asaj kërkese i janë bashkëngjitur nënshkrimet e dy deputetëve të Alternativës. Në kërkesë kanë qenë 40 nënshkrime.

Për pesë minuta do të jetë e gatshme kërkesa tjetër. Tash do t`i kemi edhe më shumë nënshkrime.

Gabimet teknike ndodhin dhe jemi sqaruar me deputetët e Alternativës", ka thënë Hoti.

Deda dhe Kusari tërheqin nënshkrimet për seancë, Osmani dhe Maloku “nënshkruajnë” nga Amerika

 Deputetja e Alternatives, Mimoza Kusari Lila ka thënë se nënshkrimi i saj dhe i deputetit, Ilir Deda për thirrje të seancës së jashtëzakonshme është manipuluar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Deputetja Kusari për media ka thënë se nuk është në Kosovë aktualisht, dhe se nuk e ka nënshkruar listën.

“Prej dje jam në Podgoricë, pra nuk gjendem në Kosovë dhe as nuk kam nënshkruar asnjë thirrje për seancë, e as nuk kam marrë thirrje nga ndonjë për nënshkrim. Sot e kam marr një mesazh nga Avdullah Hoti që ai pret koordinim nga ne për seancë, por jo unë nuk kam nënshkruar sot. Ai nënshkrim ka qenë kopje e ndonjë nënshkrimi tjetër”, ka thënë Kusari Lila.

Ajo ka shtuar se në Podgoricë do të qendroj deri nesër pasdite.

Ndërsa, edhe Deda i ka shkruar Kryesisë së Kuvendit duke kërkuar sqarime lidhur me nënshkrimin e tij.

Ndryshe, seanca pak minuta para se të nis, u ndërpre, pasi Veseli tha se në listën e nënshkrimeve gjenden edhe emrat e dy deputete të LDK-së që janë në Amerikë, Vjosa Osmani dhe Doruntina Maloku.

***

Deputetët e PDK-së, AAK-së dhe Nismës kanë bojkotuar seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga LDK-ja dhe LVV për dështimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kjo seancë e cila ishte e paraparë të filloi në ora 16:00.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në mbledhjen e kryesisë tha se duhet të mbahet edhe një mbledhje tjetër e Kryesisë.

 “Vetëm Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë  fare në Kryesi, kisha kërkuar  nga kryesia dhe grupet parlamentare, që të mbahet edhe një mbledhje. Ju kisha lut deputetët të qëndrojnë. Në mënyrën më legjitime ka mundur edhe të dështoj në këtë rast”, ka thënë Veseli pa filluar seanca.

***

Deputeti Ilir Deda dhe deputetja Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa i kanë tërhequr nënshkrimet për seancën e jashtëzakonshme të thirrur opozita.

Vetëm pak minuta pasi ka nisur seanca e jashtëzakonshme, ajo është ndërprerë nga kryetari Kadri Veseli, pasi ka thënë se në listën e nënshkrimet gjenden edhe emrat e dy deputete të LDK-së që gjenden në Amerikë.

Ato janë Vjosa Osmani dhe Doruntina Maloku.

Veseli ka thirrur sërish mbledhjen e kryesisë për të sqaruar këtë çështje dhe për të parë nëse ajo do të vazhdohet sonte ose jo.

Sërish mblidhet Kryesia e Kuvendit

Ende pa filluar seanca e jashtëzakonshme e cila ishte caktuar orën 16 nga Kryesia e Kuvendit, kryetari Kadri Veseli tha se duhet të mbahet edhe një mbledhje tjetër e Kryesisë.

Sipas tij, në mbledhjen e mbajtur para një ore ka kërkuar sqarim për këtë seancë të thirrur, por që nuk e ka pasur një sqarim ashtu siç duhet.

“Vetëm Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë  fare në Kryesi, kisha kërkuar  nga kryesia dhe grupet parlamentare, që të mbahet edhe një mbledhje. Ju kisha lut deputetët të qëndrojnë. Në mënyrën më legjitime ka mundur edhe të dështoj në këtë rast”, ka thënë Veseli pa filluar seanca./

Seancë e jashtëzakonshme në orën 16:00

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të mbajë seancën e jashtëzakonshme thirrur nga 42 deputetë nënshkrues lidhur me "dështimet e koalicionit qeverisës", të cilat sipas tyre kulmuan me mosliberalizim të vizave. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Seanca është thirrur nga VV dhe LDK pas deklaratave të djeshme të komisionarit Johaness Hahn që i dha në Prishtinë.

"Kuvendi po punon, kjo është pozitive. Besoj do të ketë edhe vendimmarrje", tha  Veseli. Për sot ishte paraparë që të mbahet seanca me pikat e mbetura nga seancat e kaluara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat