Dialogu me Serbinë, LB tregon se çfarë platforme i nevojitet Kosovës

Aktuale

Dialogu me Serbinë, LB tregon se çfarë platforme i nevojitet Kosovës

Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 14:14
Foto ilustrim

Ndërkohë që Kuvendi i Kosovës pritet që ta shqyrtojë projekt-rezolutën e propozuar nga PSD, Nisma Socialdemokrate dhe Alternativa mbi dialogun me Serbinë, Lëvizja për Bashkim kërkon që motiv kryesor për zhvillimin e këtyre bisedimeve duhet të jetë funksionalizimi i shtetit të Kosovës përmes forcimit të sovranitetit të saj.

Në një deklaratë për media, Lëvizja për Bashkim thotë se ky sovranitet nuk mund të forcohet pa çlirimin e Kosovës nga gjendja e të qenit peng nga pakica serbe, e cila e ka këtë fuqi në saje të privilegjeve të tyre kushtetuese.

“Ky qëllim nuk mund të arrihet kurrsesi përmes qasjes së kësaj rezolute, pra të ngurtë e kufizuese në mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve reale për problemet reale të vendit”, thuhet në deklaratë.

LB konsideron se shqetësuese se në momentin kur për herë të parë është hapur çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore dhe mundësia që përmes këtyre bisedimeve të trajtohet edhe pozita e tyre dhe mundësia e bashkëngjitjes së tyre me Kosovën, Kuvendi i Kosovës, përmes një rezolute, përpiqet të mbyllë çfarëdo mundësie të tillë, duke i bërë dëm të pallogaritshëm si Kosovës ashtu edhe shqiptarëve në Kosovën Lindore.

“Duke pasur parasysh divergjencat e mëdha midis subjekteve politike sa i përket mënyrës së zgjidhjes së çështjeve të pazgjidhura, kjo platformë nuk do të duhej të vendoste kufizime por duhej të vendoste parime për zgjidhje. E në mesin e tyre, ai që do të duhej të ishte i patejkalueshëm për çdo subjekt politik, është parimi i reciprocitetit të plotë me Serbinë. Çdo qasje tjetër, do të ishte rrugëtim drejtë një “zgjidhjeje” e cila e konservon jofunksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe e ruan të cunguar sovranitetin e saj”, përfundon deklarata e Lëvizjes për Bashkim.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës pritet që ta shqyrtojë projekt-rezolutën e propozuar nga PSD, Nisma Socialdemokrate dhe Alternativa mbi dialogun me Serbinë.

Si produkt i kësaj rezolute do të krijohet edhe ekipi negociator e më vonë do të përpilohet edhe platforma për bisedime si dhe ligji mbi dialogun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat