Shtyhet votimi i Projektbuxheti për vitin 2019

Aktuale

Shtyhet votimi i Projektbuxheti për vitin 2019

Nga: Bota sot Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 07:18

(E plotësuar) - Edhe pas debatit dy ditor, projektbuxheti për vitin 2019, nuk është votuar. Sipas nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, kjo të bëhet në një datë tjetër.

“Votimi duhet të bëhet pas vendimit të ri të Kryesisë për datën kur votohet dhe deputetët do të njoftohen”, ka thënë Haliti.

Ndërkaq, seanca ka vazhduar të mbahet, duke shqyrtuar kështu pikat tjera të rendit të ditës.

Gaxherri kritikon pagat e “çmendura” që marrin këshilltarët Kuvendit!

Deputetja e Lidhjes Demokratike tëKosovës, Besa Gaxherri ka kritikuar ashpër cilësimet për pagat e këshilltarëvetë Kuvendit të Republikës.

Ajo ka përmendur një rast kur Sekretarit i Parlamentit s’ia kishte dhënë veturën zyrtare për të shkuar nëvizitë tek Kompleksi i Shtëpisë së Adem Jasharit në Prekaz.

“Unë s’kam pas automjet. Kam bë kërkesë te sekretari i Kuvendit. Më kanë thënë se s’mundemi”, është shprehur ajo.

Gaxherri ka dhënë një paralele me shumë vend rreth pagave dhe shfrytëzimit të veturave nga ana e këshilltarëve të cilët janë pjesë e legjislativit.

“Ndërsa këtu këshilltarët e Kuvendit jo vetëm që kanë alamet paga, por të njëjtit kanë mëditje dhe me qindra mijëra euro udhëtime…”, është shprehur ajo.

LDK kundër buxhetit 2019, Selmanaj shpjegon pse ka karakter elektoral

Vërejtje ndaj buxhetit të paraparë për vitin 2019, pati edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.

Ai  gjatë vazhdimit të seancës për projektbuxhetin e vitit 2019, ka kërkuar të dijë  se si është rritur ky buxhet,  ku ka kërkuar edhe një raport.

Haliti: Unë kam vërejtjet e mia ndaj këtij buxheti

“Unë kam vërejtjet e mia, për shembull, se nuk ka një raport se cila është gjendja reale  në raport shtet- taksapagues dhe shtet -tatimpagues. Pse po e them këtë? Vazhdimisht kemi vërejtjet për komuna të cilat nuk arrijnë që t’i mbledhin taksat dhe tatimet dhe pastaj buxheti i shtetit duhet të ndërhyjë për t’i plotësuar nevojat e shtetit, e qyteteve dhe komunave, respektivisht. Do të doja ta dija se cila është ndërhyrja shtetërore  ose ndërhyrja e Agjencionit të Tatimeve, taksave, çka është ajo ATK-ja në raport me këta që nuk paguajnë taksat për shtetin. Sa kemi të dënuar sa kemi në akuzë dhe pse nuk i pagujnë. Ps nuk merr konkretisht masa, shteti ndaj atyre që abuzojnë, me detyrimet që kanë ndaj shtetit dhe ndaj qytetarëve”, ka thënë Haliti.

Tutje, Haliti ka folur edhe autostradën Prishtinë-Pejë. Sipas tij, nuk ka aspak siguri, sepse autostrada është shumë pranë shtëpive.  

Haliti: Autostrada Prishtinë-Pejë, nuk ka fare siguri

 “Unë nuk e di që ka kësi lloj autostrade diku në botë. Shiheni mundësinë që të paktën pjesa  tjetër e autostradës të kalojë, siç kalojnë autostradat e krejt botës, larg zonave të banuara. Sepse edhe ato autostrada që kalojnë në zonat e banuara  në të shumtën e rasteve, ose janë të detyruar të shmangin, të bëjnë një autostradë tjetër ose  bëjnë tunele, për të mos e penguar komunikacionin dhe për të mos e ndotur ajrin dhe për të mos u penguar me këmbësorë”, tha Haliti.

Në lidhje me këtë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se do të mundohen që t’u ikin vendbanime, në mënyrë që të mos kenë pengesa qytetarët. Lekaj ka thënë se tanimë është në finalizim, traseja Kijevë-Zahaq, me gjatësi 32 kilometra që së shpejti do t’i bashkohet autostradës, projekt për të cilën janë dhënë 38 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Lekaj: Gjendja e tanishme është jo e mirë

“Gjendja e tanishme është jo e mirë, dhe pajtohemi të gjithë  dhe ky projekt është stërzgjatur me vite të tëra, por do të fillojë në vitin 2019  dhe do të përfundojë në vitin 2020”, ka përfunduar Lekaj.

***

Seanca ku po diskutohet për buxhetin 2019 është ndërprerë për një pauzë.

Kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti ka thënë të shkohet në pauzën e drekës, pasi edhe disa deputetët nuk ishin pjesëmarrës.

Seanca është shtyer për në ora 15:00.

**

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se buxheti i paraparë nuk është aspak në përputhje me nevojat e qytetarëve.

Sipas tij, në vitin 2019, 82 përqind e shpenzimeve mbulohen nga të hyrat buxhetore dhe kjo nënkupton varshmëri të buxhetit nga të hyrat jo të rregullta.

Hoti: Një pjesë shumë e vogël e shpenzimeve shkojnë për varfëri

Image

“Rritet risku fiskal, sepse ju e dini se këto të hyra nga marrëveshjet që janë të ratifikuara në Kuvend, këto të AKP-së janë, subjekt i vendimeve që i ka dhoma e veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës...Tash po del që një pjesë shumë e vogël e shpenzimeve që shkon në skemën sociale lidhen me varfërinë. Qëllimi i skemave sociale është varfëria, normalisht edhe pensionet e moshës, por edhe në masë të madhe për varfërinë”, tha ai.

Ai ka shtuar se ndarja e buxhetit për komuna shkon në baza  partiake. Duke përmendur kështu që AAK shpenzon më së shumti në komunat, ku udhëhiqen nga kryetarët që vijnë nga kjo parti.

Ka përmendur edhe punësimin e personave në zyrën e kryeministrit, ku sipas tij nuk është e ditur se çfarë do të bëjnë ata 32 persona të cilët do të punësohen.

Matoshi: 1.2 milionë euro janë grante për komunat e jo për “Ta pastrojmë Kosovën”

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i është kundërpërgjigjur deputetit të LDK-s, Driton Selmanajt, për akuzat lidhur me ndarjen e vlerës prej 1 milion e 200 mijë euro për organizatën “Let’s do it Kosovo”.

Ai tha se 1 milion e 200 mijë euro do të përdoren për investime kapitale, si: rregullim të parqeve, rregullim të  hapësirave gjelbëruese, mbjellje të drunjve etj.

Matoshi: 1.2 milionë euro janë grante të ndara për 5 komunat më të suksesshme

“1.2 milionë euro janë grante të ndara për 5 komunat më të suksesshme në aktivitetin që jemi duke e zhvilluar aktualisht, në fushatën ‘Ta pastrojmë Kosovën’. Ky premtim dhe ky grant është shpallur më 15 shtator, është paraparë në buxhetin e Ministrisë së Mjedisit dhe kemi aprovuar kriteret me të cilat do të shpërblehen 5 komunat. Këto 1.2 milionë euro do t’iu jepen komunave drejtpërdrejt në fushën e mjedisit”,  tha Matoshi.

Ndërsa deputeti Driton Selmanaj tha se fakti se ky projekt gjendet tek projektet kapitale lë hapësirë për dilema.

Sipas tij, aty kanë munguar sqarime të nevojshme.

 

Selmanaj: Prapë i kam dilemat e mia

“Unë prapë kam dilemat e mia. Pse ju këtë projekt e keni vendosur tek projektet kapitale, jo te grantet dhe subvencionet”, tha Selmanaj.

Këto debate janë duke u bërë në seancën  në të cilën është duke u shqyrtuar projektbuxheti i vitit 2019.

A u është ndarë buxhet veteranëve për 2019, tregon ministri i Financave

Ministri i Financave, Bedri Hamza, teksa ka diskutuar në seancën e Kuvendit për ndarjen e buxhetit për 2019, ka folur edhe për pensionet e veteranëve.

Ai ka thënë se buxheti është ndarë edhe për të gjithë veteranët edhe atyre që prokuroria i cilësoi “mashtrues” dhe do t’i marrin këto mjeti deri sa të bëhet ri-kategorizimi.

“Ministria e Financave do të ndaj mjetet për veteranët deri kur të ndodhë ri-kategorizimi, deri kur të bëhet mbyllja e listave”, ka thënë ministri.

Nagavci: Buxheti nuk parasheh shpenzimet për shtesat e fëmijëve

Image

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, buxhetin e paraparë për vitin 2019, e ka vlerësuar si aspak të konsoliduar dhe jo transparent.

Ajo në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se një buxhet i tillë akomodon lukse të shumta.

Nagavci: Buxheti nuk parasheh ndarje për ligje të reja

“Buxheti nuk parasheh ndarje për ligje të reja, përveç për ligjin për kryeqytetin, pra nuk janë paraparë shpenzimet për ligjin për pagat, për pakon e ligjeve të FSK-së, për përfitimet për lehonat, rezolutat për shtesat e fëmijëve, projektligjin për punëtorët e arsimit të viteve të 90-ta, e as për ligjin e punës. Shihet pra se kjo Qeveri merr iniciativa sa për të thënë dhe sigurohet që të njëjtat, dështon ende pa filluar implementimi”, ka thënë ajo.

Nagavci ka shtuar se projektbuxheti nuk ka parasysh as perspektiven gjinore. Ndërsa, arsimi është sektori  ku më paku shpenzohet në të.

***

Ndryshe nga kolegët e tij të LDK-së, deputeti Driton Selmanaj e ka quajtur “buxhet elektoral”, buxhetin për vitin 2019.

Ndërsa u tregua kritik për ndarjen e mjeteve prej 1 milionë e 200 mijë euro për OJQ-n “Ta pastrojmë Kosovën”, ndërkohë që janë ndarë vetëm 900 mijë euro për kontejnerët për komuna.

Në fjalën e tij gjatë seancës plenare e cila po vazhdon sot, deputeti i LDK-së, tha se buxheti nuk ka fare të bëjë me zhvillim ekonomik, dhe as me trajtimin e kategorive të personave të cilët në Kosovë konsiderohen të varfër.

Ndërsa ka dhënë shpjegime për atë se çka e bënë buxhetin që të ketë karakter elektoral, pasi që jep mundësi që ky i fundit të përkthehet në votë.

Selmanaj: Ky buxhet ka karakter elektoral

“Nëse e shikojmë vetëm pjesën që ka të bëjë me kategoritë sociale, kap shifrën 465.8 milionë euro. Nga ana tjetër subvencione dhe transfere krahasuar me vitin 2017, kemi vlerë në rritje 103 milionë euro më shumë. Mallra dhe shërbime 111 milionë euro më shumë. Dhe, nëse e marrim edhe një shembull tjetër, se si Qeveria gjatë vitit 2018 ka marrë vendime lidhur me shpenzimet e paparashikuara, kapin shifrën prej 8.387 milionë euro. Në total, krejt këto dalin 687 milionë euro, 1/3 e buxhetit mund të jetë në funksion të votave, ose të asaj se si mund të fitohen zgjedhjet. Dhe prandaj nëse 1/3 është në këtë funksion atëherë s’mund t’i japim karakter tjetër këtij buxheti, përpos për t’i thënë që ky buxhet është i karakterit elektoral”, u shpreh ai.

Ai tha se rritja e buxhetit me 6 përqind nuk sjell  përmirësime në fushën e drejtësisë.

Ndërsa ministri i Financave, Bedri Hamza, u shpreh se këto mjete e bëjnë impaktin e vet në zhvillim ekonomik, qofshin në konsum ose investime.

Hamza: Rritja e buxhetit ndikon në rritjen ekonomike

“A dalin këto pare në konsum, a dalin në investime, kudo që të dalin e bëjnë impaktin e vet në zhvillim ekonomik. Ka dallim nëse investimet janë më të mëdha flasim për investime ekonomike më të qëndrueshme, ndërsa nëse janë konsum rritja ekonomike vjen më shpejt, por për qëndrueshmërinë mund të bisedojmë. Është total e paqëndrueshme, rritja e buxhetit nuk ka ndikim në rritjen ekonomike. E dëgjova me vëmendje diskutimin e juaj”, tha ministri i Financave.

Ndërsa këtu pati replikë nga Selmani, i cili u ndal posaçërisht tek mjedisi.

Selmanaj: Paradoks i madh në fushën e mjedisit në ndarjen e buxhetit për OJQ dhe komunat

“Mos harroni, një organizate joqeveritare ‘Ta pastrojmë Kosovën’, të cilën e kanë moto qe disa vite, ia keni vendosur 1 milionë e 200 mijë euro. Mënyra se si shpërndahen për OJQ-të  paratë, ka kritere, ka rregullore, që është aprovuar nga z. Hoti kur ka qenë ministër... Dhe nëse kjo, 1 milion e 200 mijë për një organizatë për pastrim të Kosovës, nuk e kuptoj pse 1 milionë e 900 mijë e komunave për kontejnerë 900 mijë në tërësi, këtu është paradoksi i madh”, tha Selmanaj.

Ndërsa ministri Hamza, u shpreh se komunat duhet të ndajnë edhe vet buxhet për çështje të ambientit.

Hamza: Kurrkush nuk i ndalon me nda mjete prej buxheteve të veta për ambientin

“Komunat kurrkush nuk i ndalon me nda pak mjete më shumë prej buxheteve të veta. Edhe ata kanë obligim me e bë një prioritizim të prioriteteve të tyre”, tha Hamza.

Sejdiu: Kosova rast “sui generis” në botë për buxhetin

Image

Deputeti i pavarur, Korab Sejdiu gjatë vazhdimit të sotëm të seancës ka përsëritur se nuk përkrah buxhetin e paraparë për vitin 2019, duke e cilësuar atë si më shumë shpenzues se sa që krijon mirëqenie për qytetarët.

Ai ka shtuar edhe se investimet nuk prodhojnë të mira për vendin.

Sejdiu: Sektori i drejtësisë po lëngon

“Nuk ka takim, nuk ka seancë që ne nuk flasim për drejtësinë si prioritet për nevojën e këtij vendi që të kemi sundim të së drejtës, e kështu me radhë . Në fakt edhe dje ministri  me ambasadorin e ri e theksoi rëndësinë e këtij sektori. Ta shohim a është bërë me këtë projektbuxhet prioritet i kësaj Qeverie. Kemi përafërsisht diku 75 milionë alokim të shpenzimeve për drejtësi, prej tyre diku rreth 23 milionë për Ministrinë e Drejtësisë, 23 milionë e gjysmë që në fakt 17 milionë janë të planifikuara për sistemin korrektues. A mjafton kjo për të shtyrë përpara një sektor që të gjithë ne po pajtohemi, pavarësisht pozitë apo opozitë që është prioritet”, tha Sejdiu.

Sejdiu u shpreh se ky buxhet nuk parasheh aspak zhvillim, ani pse është rritur. 

Mungon kabineti qeveritar

Ka filluar seanca plenare, në të cilën po vazhdon debati rreth Projektbuxhetit për vitin 2019.

Deputeti i LDK-së, Korab Sejdiu, ka kritikuar mungesën e kabinetit qeveritar, i cili nuk është prezent në sallë. Ka thënë se është e palogjikshme të kërkohet nga Qeveria miratimi i tij kur mungon në Kuvend.

Sejdiu është ndalur te buxheti, i cili është paraparë për sistemin e drejtësisë.

"Nuk mund të thuhet se drejtësia është prioritet, kur buxheti vazhdon të jetë i njëjtë. Kur nuk është bërë asnjë ndryshim në të", ka thënë ai.

***

 Deputeti që vepron në kuadër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Korab Sejdiu, ka kritikuar koalicionin qeverisës për mungesë në seancën e sotme.

Ai në fjalën e tij në Kuvend, ka thënë se në pak vende ndodh në botë që në seancën ku debatohet buxheti, të mungojë kabineti qeverisës, përcjell Bota sot.

Sipas tij, në vazhdimin e seancës për Buxhetin 2019, është dashur së paku të ishte i pranishëm Ministri i Financave Bedri Hamza.

****

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën e papërfunduar dje.

Pas një debati të gjatë për projektligjin e buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019, seanca e Kuvendit është ndërprerë dje pa u hedhur në votim buxheti.

***

Kuvendi i Kosovës sot nga ora 11:00 pritet të vazhdojë seancën e papërfunduar dje.

Pas një debati të gjatë për projektligjin e buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019, seanca e Kuvendit është ndërprerë pa u hedhur në votim buxheti.

Këto janë pikat e sotme të rendit të ditës, të papërfunduara dje:

3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social,

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për produktet biocide,

6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Odën e Arkitekteve dhe Odën e Inxhinierëve në fushën e ndërtimit,

7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës,

8. Shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2017,

9. Shqyrtimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017,

10. Emërimi i një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

11. Zgjedhja e një (1) anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.

12. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kredi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria Ag për Projektin e sistemit për largimin e ujërave të zeza për Komunën e Podujevës. 

Kuvendi vazhdon seancën për buxhetin 2019

Kuvendi i Kosovës sot nga oa 11:00 pritet të vazhdojë se.ancën e papërfunduar dje.

Pas një debati të gjatë për projektligjin e buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019, seanca e Kuvendit është ndërprerë pa u hedhur në votim buxheti.

Opozita kritikoi këtë buxhet duke thënë se është i përqendruar në kabinetin qeveritar dhe në asfalte, mirëpo jo në zhvillimin ekonomik në interes të qytetarëve. Por, pushteti pohoi se Kosova për herrë të parë ka një ngritje kaq të shpejt të buxhetit. Pozita tha se janë shtuar investimet në të gjitha sektorët, posaçërisht në shëndetësi, infrastrukturë, kulturë, arsim dhe sektorë të tjerë.

Në seancë kanë mbetur edhe nëntë pika të rendit të ditës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat