‘Nuk han kashtë gjykatësi, han pare’

Aktuale

‘Nuk han kashtë gjykatësi, han pare’

Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 13:32
Foto nga konferenca

Në tryezën “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në pushtetin legjislativ, u tha se përveç shumë zyrtarëve të shumë institucioneve të Kosovës, të cilët mbajnë më shumë se një pozitë të punës, është edhe një rektor, i cili jep mësim në shkollë të mesme.

Blend Zyrapi nga KIPRED, ka thënë se në përgjithësi janë analizuar të dhënat për 656 zyrtarë publikë, prej tyre 60 zyrtarë kanë nga dy pozita, 10 zyrtarë kanë nga tri pozita si dhe 5 zyrtarë kanë nga katër pozita. Një zyrtar në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka katër pozita pune, ndërsa edhe në BQK një zyrtar ka katër pozita pune. Ndërsa, në Kuvendin e Kosovës shtatë zyrtarë kanë nga tri pozita pune.  Po ashtu, në AKP një zyrtar ka tri pozita pune.

Zyrapi: Ka rektor që punon profesor në UP, jep mësim në shkollë të mesme dhe fillore

“Kemi rektor që paguhet si rektor, po ashtu është profesor i UP-së, jep mësim në shkollë të mesme, pastaj të njëjtin e kemi të njëjtë, jep mësim në shkollë fillore. Ndërkaq, dokumentet e MASH-it nuk na i kanë dërguar dhe kemi pasur problem me identifikuar”, tha Zyrapi.

Edhe Leonida Molliqaj nga Çohu, nga 34 institucione vetëm 12 prej tyre janë përgjigjur pozitivisht kërkesës tonë për qasje në paga dhe për shtesa të zyrtarëve publik.

Ajo tha se është shqetësuese që në mesin e këtyre institucioneve, Kuvendi i Kosovës është njëri prej tyre, i cili nuk ka kthyer përgjigje lidhur me shtesat dhe për pagat e deputetëve e të gjithë punëtorëve të tjerë.

Molliqaj: Kuvendi jo transparent për të hyrat e deputetëve

“Ky proces i deklarimit të pasurisë në Kosovë, është duke u përballur me probleme të shumta të cilat ende nuk janë trajtuar. P.sh. ka qenë shumë vështirë me u pa shpesh, që deputetët e Kuvendit të Kosovës a kanë marrë mëditje dhe pagesa ekstra për punë që e kanë bërë. Disa prej tyre kanë zgjedhur me u deklaruar vetëm një të hyrë nga Kuvendi i Kosovës, ku ndoshta i kanë mbledhur edhe mëditjet, por për neve si hulumtues ka qenë shumë e vështirë me nda, a është pagë bazë apo janë mëditje shtesë. Në anën tjetër ka zyrtarë që kanë deklaruar vetëm të hyra, pa treguar burime nga i kanë marrë ato të hyra”, tha Molliqaj.

Deputeti i Vetëvendosjes  Sami Kurteshi ka thënë se nuk pajohet me konstatimin e BE se korrupsioni është sëmundje endemike, pasi kjo sipas tij, nuk është në gjene, por sistemi i ndërtuar është i korruptuar dhe i kriminalizuar.

Kurteshi: Dënime jo meritore

“Fatkeqësia është se ky sistem i joni, i ndërtuar i tillë, shkon i dënon njerëzit që i marrin nga 5 dhe 10 euro, me gjasë ata s’mund të japin as pare me dal prej burgut, por nuk i merr ata që i marrin nga  1 milionë e 2 milionë, 5 milionë euro, sepse ata paguajnë. Edhe ajo thënia e hajnave në burg: ‘Nuk han kashtë gjykatësi, han pare’. Bash është tipike për Republikën e Kosovës. Kështu edhe shkon, ne kemi gjyqtarin, një kryetar të gjykatës, që për shumën rreth 60 milionë euro është dënuar dy vjet e gjysmë me kusht, ndërsa njeri që ka vjedh pesë metra dru është dënuar me gashtë muaj burg efektiv. Ky është sistemi i drejtësisë në Kosovë”, theksoi Kurteshi.

Dardan Sejdiu, deputet nga PSD, ka thënë se vetingu është pa alternativë dhe duhet gjithsesi të bëhet.

Sejdiu: Vetingu, është hapi i radhës

“Pas Blendit po  e shoh një baner , ku thotë ‘Vetingu pa alternativë’. Mendoj që ky është hapi i radhës. Pra, një pako e ligjeve që ka kaluar në kuvend të Kosovës, është një hap i mirë, por është i pa mjaftueshëm që të sigurohemi që ka një trajtim adekuat”, tha Sejdiu.

Ndërsa, Billall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, ka thënë se kjo që është bërë nga organizatat jo qeveritare, shpreson që brenda një kohe shumë të shkurtër, të gjithë personat përgjegjës të japin përgjigje dhe të lëshojnë ato vende të punës, dhe të mbajnë ato që dëshirojnë - vetëm një.

Sherifi: AKK mund ta zgjidhë këtë problem

“Krejt çka duhet të bëhet është që autoriteti kompetent, që është Agjencia Kundër Korrupsionit, pra dërgoja një letër, edhe t’iu thotë “ju duhet të zgjidhni, se cilën duan ta mbani dhe cilinë pozitë doni ta lëshoni’”. Kjo duket shumë e lehtë”, ka thënë Sherifi.

Ahmet isufi nga AAK, konsideron se shoqëria civile ka një ndikim të madh në korrigjimin dhe ndryshimin e gjendjes nëse adresohen çështjet drejtpërdrejt, ashtu siç duhet.

Isufi: Nevojitet adresim i drejtpërdrejt i korrupsionit

“Nuk ka nevojë shumë për shifra sa ka nevojë për angazhim të drejtpërdrejt në adresat ku vërtet ekzistojnë elementet e tilla, të konfliktit të interesit, të korrupsionit dhe që adresohen drejtpërdrejt”, tha Isufi.

Ndërsa, ajo që e ka befasuar për të keq deputeten e LDK-së Hykmete Bajarami gjatë këtyre aktiviteteve kundër korrupsionit, janë se ‘persona shumë të korruptuar, që e kanë kap shtetin janë çuar në këtë “Javë” dhe po trumbetojnë kundër korrupsionit’.

Ajo duke përfshirë edhe veten, ka thënë se disa deputetë të Kuvendit të Kosovës janë ligjërues edhe në UP.

Bajrami: Një pjesë e madhe e deputetëve, duke më përfshirë edhe mua, jemi edhe ligjërues

“Me sa unë e di, në ligjet të cilat janë të aplikueshme në këtë fushë, ne të gjithë kemi të drejtë të kemi një punë si punë primare dhe punën e dytë si punë sekondare. Një pjesë e madhe e deputetëve, duke më përfshirë edhe mua, duke qenë e sinqertë me ju, jemi edhe ligjërues në universitetet publike, mirëpo konsideroj se nuk mund të jemi të tillë siç e keni quajtur supremen që të mbajmë nga pesë ose gjashtë pozita. Por, është tepër e çuditshme si nëpër institucione qeveritare dhe institucione të tjera, sot personat mbajnë pesë pozita. Kjo është thirrje dhe është përgjegjësi për superioret e tyre dhe është dhe është thirrje për prokurorinë e Kosovës që të merret me këto, duke marrë parasysh edhe papunësinë e madhe që e kemi në vend”, deklaroi Bajrami.

Ndryshe, “Java Kundër Korrupsionit” do të vazhdojë deri më 14 dhjetor përmes debateve dhe aktiviteteve të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat