Transformimi i FSK-se në ushtri merr shumë kohë

Aktuale

Transformimi i FSK-se në ushtri merr shumë kohë

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 12:48
Kuvendi i Kosovës nesër pritet ta votojë në lexim të dytë, e që është edhe përfundimtare, për transformimin e FSK-së në ushtri

Procesi i zgjatur për marrjen e vendimit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri përfundon nesër. Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancë ku do të votohet pako me tre projektligjet që e fusin FSK-në në rrugën e transformimit në ushtri. Të gjitha partitë janë deklaruar se do të mbështesin transformimin, përveç deputetëve të Listës Serbe.

Kuvendi i Kosovës pritet ta votojë në lexim të dytë, e që është edhe përfundimtare, për transformimin e FSK-së në ushtri.

Kështu, FSK-së t’i ndryshohet mandati, por, nuk do të quhet ushtri, por Forcë e Armatosur.

Njohësi i çështjeve kushtuese, profesori Mazllum Baraliu thotë se transformimi i FSK-së është i vonuar dhe për këtë ai fajëson qeveritë që kanë udhëhequr me vendin.

Baraliu: Transformimi është proces i vonuar

“Është proces i vonuar dhe është njëra nga gabimet dhe mos-efikasiteti i duhur i qeverive të njëpasnjëshme. Sepse, ky proces, në vitin 2014 – 2015 FSK i ka plotësuar të gjitha standardet e NATO-s, dhe NATO në një mënyrë e ka certifikuar të barazvlefshme me një ushtri me standardet më të larta, performancën e FSK-së, por nuk është bërë deri tani, mirë është që tani me 14 të përfundojë ky proces, në fakt është fillimi i një procesi, miratohen tre projektligjet në pako, në mënyrë që të mund të fillojë transformimi i FSK-së, dhe të realizohet për aq sa ka mundësi më parë të jetë e mundur, jo 7 vjet, as 5 vjet por do të duhej në mënyrë intensive që edhe të ndahen mjetet në buxhet, edhe të bëhet transformimi i mirëfilltë në aspektin e perfomancës dhe të kemi një ushtri të mirëfilltë të Kosovës”, thotë ai.

Sipas tij, transformimi i Forcës do të duhej të bëhej me ndryshime kushtetuese e jo ligjore, dhe se ushtria do të duhej të kishte emrin.

Siç thotë ai, Forca nuk e ka karakter ofanziv, por është forcë mbrojtëse.

Baraliu: Transformimi do të duhej të bëhej me ndryshime kushtetuese

“Ka një mos-përputhje, ka një inkoseguencë në mes të shkronjës dhe frymës së kushtetutës në të cilën thuhet Forcat e Sigurisë së Kosovës, kështu janë të emërtuara, dhe emërtimit të kësaj force në ligjin për Forcat e Sigurisë, pra për ushtrinë e Kosovës, që quhet Forcat e Armatosura, pra emërtohet në Forcë të Armatosur. Ky transformim është dashtë të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, por sidoqoftë vetëm emërtimi, nëse funksionalisht brendia fillon të transformohet, në kuptim që FSK vërtetë t’i marrë të gjitha veçoritë dhe karakteristikat, elementet, komponentët, e një ushtrie duke filluar nga performanca, ngritja e gatishmërisë, doktrinës, armatimit, kompetencave, kjo në një mënyrë apo tjetër e zvogëlon atë vakum”, thotë ai.

Qeveria e Kosovës dorëzoi në Kuvend pakon me tre projektligje që përfshin projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, projektligjin për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Si pasojë e kundërshtimeve të Listës Serbe për formimin e ushtrisë së Kosovës, qeveria e Kosovës ka zgjedh rrugën përmes ndryshimeve ligjore, që të kryejë transformimin e FSK-së.

Ekzekutivi kishte proceduar në Kuvend pakon që përfshinte projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, projektligjin për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Ato u votuan në lexim të parë nga të gjithë deputetët, përjashtuar këtu Listën Serbe.

Ndërsa leximi i dytë pritet të kalojë në seancën e nesërme.

Formimin e ushtrisë në vazhdimësi e kundërshton Serbia. Por, për këtë është deklaruar edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i cili paralajmëroi Kosovën se do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

Megjithatë, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett deklaroi se transformimi është hap pozitiv, dhe se është e natyrshme që shteti i Kosovës, si vend sovran dhe i pavarur të ketë aftësi vetëmbrojtëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat