Dardan Sejdiu edhe njëherë sqaron “përplasjen” me Kujtim Shalën

Aktuale

Dardan Sejdiu edhe njëherë sqaron “përplasjen” me Kujtim Shalën

Nga: A.M. Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 15:15
Dardan Sejdiu

Shefi i grupit parlamentarë të PSK-së, Dardan Sejdiu ka sqaruar edhe njëherë “përplasjen” me deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, në mbledhjen e sotme të kryesisë së Kuvendit të Republikës.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ai është befasuar me gjuhën e përdorur nga Shala, pasi që ai nuk ka shprehur asnjë fyerje ose ofendim ndaj tij.

Postimi i plotë:

Ndjej obligim si deputet në Kuvendin e Kosovës, të sqarohem për atë që u raportua sot në media, si “përplasje” midis meje dhe deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Kujtim Shala, në mbledhjen e sotme të kryesisë së Kuvendit të Republikës.

E vërteta është që unë nuk kam shprehur asnjë fyerje ose ofendim ndaj z.Shala.

Pasi ngriti çështje procedurale, z.Shala kulmoi përnjëherë me të fyera dhe ofendime ndaj meje.

Sigurisht që nuk lëshohem në nivel të tillë të të shprehurit. Madje jam shumë i befasuar me gjuhën e z. Shala, që është edhe ligjërues universitar.

Ndonëse nuk e kuptoj ende përpjekjen e z.Shala për t’iu shmangur mekanizmave institucionale, kur partia e tij thirret vazhdimisht në institucionalizëm; sjellja e sotme e z. Shala ka prirje ta kuptimësojë edhe sjelljen e LDK-së, gjatë gjithë kësaj kohe, që çdo ditë e më pak përkon me frymën e parlamentarizmit.

Duke besuar se pluralizmi dhe demokracia janë vlerat që i synojmë si shoqëri dhe si subjekte politike në Kosovë, e duke respektuar të drejtën e çdokujt për ta përzgjedhur gjuhën dhe sjelljen e tij në jetën publike, ftoj z.Shala e çdo kolegë tjetër, për diskutime etike dhe përmbajtësore, për të gjitha çështjet që janë në shërbim të interesit të përgjithshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat