Tension në Bruksel, zbulohet arsyeja pse BE-ja ia anuloi konferencën Haradinajt - Bota Sot
Tension në Bruksel, zbulohet arsyeja pse BE-ja ia anuloi konferencën Haradinajt

Aktuale

Tension në Bruksel, zbulohet arsyeja pse BE-ja ia anuloi konferencën Haradinajt

Më: 17 dhjetor 2018 Në ora: 14:19
Delegacioni i Kosovës dhe i BE-së gjatë takimit në Bruksel

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, në takimin që delegacioni i Qeverisë së Kosovës mbajti sot me zyrtarë të BE-së në kuadër të Këshillit të MSA-së.

Media ka siguruar fjalimin e plotë të kryeministrit Haradinaj, i cili në mbledhjen e Këshillit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në Bruksel u shpreh se qytetarët e Kosovës pavarësisht se janë të izoluar dhe nuk mund të bëjnë tregti të lirë, “po arrijnë suksese në botë”.

Fjala e plotë e Kryeministri Haradinaj në takimin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit:

E nderuar Përfaqësuese e Lartë Mogherini,

I nderuar z. Danielsson, Të nderuar përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së Republika e Kosovës mirëpret Këshillin e Tretë të Stabilizim Asociimit, me qëllim të rishikimit të progresit dhe sfidave në rrugën tonë europiane. Përkundër neglizhencës dhe mungesës së qartësisë për perspektivën tonë europiane nga ana e BE-së, Republika e Kosovës është fuqimisht e vendosur për anëtarësimin në BE si prioritet i lartë i saj, gjersa vazhdon të punojë pandërprerë për të arritur zbatimin e plotë të MSA-së, dhe të respektojë angazhimet e bëra në këtë kontratë të përbashkët. Qëndroj këtu sot si kryeministër i një shteti sovran.

Unë përfaqësoj popullin tim që ka vuajtur për besimin e tij në liri – dhe vazhdon të vuajë edhe sot. Me bindje të plotë mund të them se nuk ka vend në Europë më të përkushtuar ndaj idealeve të Bashkimit Europian se sa Kosova.

Vlerat tona janë vlerat tuaja, shpresat tona për fëmijët tanë janë të njëjta me shpresat tuaja për fëmijë tuaj. Kosova është shoqëri dinamike, që ka rini shumë aktive. Ata nuk i gëzojnë liritë që për ju janë normale. Ata nuk mund të udhëtojnë lirshëm, nuk mund të tregtojnë lirshëm, nuk mund të luajnë lirshëm dhe nuk mund të marrin pjesë plotësisht në komunitetin e kombeve të lira. Përkundër këtij fakti fatkeq, ata thyejnë barriera, edhe pa pasur viza, duke arritur rezultate të klasit botëror në sport, muzikë, arsim, inovacion.

Dhe kjo shumë lehtë mund të jetë arritje edhe e Europës. Edhe pse Kosova zbatoi të gjitha 95 kriteret e paracaktuara siç është konfirmuar nga Komisioni në maj, reflektimi që marrim nga BE, është i thyer dhe i pashpresë. Edhe përkundër angazhimit të plotë në Agjendën e Reformës Europiane(ERA), dhe reformave të fuqishme të ndërmarra për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe institucionet e tij, ne ndihemi të tradhtuar dhe të zhgënjyer nga BE.

Njerëzit tanë sprovohen përtej të arsyeshmes ose të drejtës. Koha nuk është miku ynë. Duhet të shohim progres. Të nderuara shtete anëtare të BE-së, kjo është thirrja ime për ju: Duhet të përshpejtojmë proceset e integrimit. Caku përfundimtar i rrugëtimit është i qartë – por ende, nuk është brenda mundësive.

Kemi nevojë për një sinjal të qartë nga ju se i respektoni arritjet tona dhe se kemi mbështetjen tuaj, në mënyrë aktive, veçanërisht në regjimin pa viza. Qeveria dhe unë, asnjëherë, nuk e kemi vënë në pikëpyetje rëndësinë e dialogut. Kjo është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë, që të bëhemi anëtarë të barabartë të familjes europiane.

Megjithatë, njëzet vjet pas luftës, dhjetë vjet pas pavarësinë, dhe pesë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit, realiteti është se, përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë minimal, dhe në fakt tani ka dalur krejtësisht nga binarët, veçanërisht me diskutimin publik mbi idenë fatale të korrigjimit të kufirit dhe shkëmbimit të territorit; Ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e ndërmjetësuesit, dhe ka dëmtuar arritjet që kemi bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për më shumë se 7 vjet.

Më lejoni të theksoj edhe një herë, unë si Kryeministër dhe Qeveria e Kosovës, kundërshtojmë fuqishëm dhe e refuzojmë këtë ide, e cila do të sjellë vetëm luftëra dhe tragjedi të reja në Ballkan. Kushdo që flet për kufijtë, territoret, apo ndonjë korrigjim tjetër të vendit tim, është armiku ynë. Si Kryeministër, ndodhem këtu për t’iu ballafaquar me të vërtetën, realitetin dhe orientimin e vendit tim, jo çfarë doni të dëgjoni, ose për çka keni qenë të njoftuar nga dikush tjetër. Realiteti është se ne jemi shtet sovran, demokratik dhe multi-etnik, dhe bazuar në këtë të vërtetë të padiskutueshme, ne duam të arrijmë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Prandaj, si Kryeministër, unë kam ecur përpara dhe kam paraqitur një draft Marrëveshje Gjithëpërfshirëse që e keni parë, si hap fillestar drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë dhe të ecim përpara.

Përveç kësaj, më 15 dhjetor Parlamenti i Kosovës votoi delegacionin e Kosovës për dialog. Delegacioni do të bashkëkryesohet nga Zëvendëskryeministri Limaj dhe kreu i Partisë Social Demokratike të partisë opozitare Shpend Ahmeti. Është delegacion gjithëpërfshirës me synimin që të përfshihen edhe palë të tjera.

Ky është hap madhor në demokracinë tonë dhe i përgëzoj të gjithë deputetët e Kosovës që votuan delegacionin. Marrëveshja përfundimtare synon të sjellë paqe afatgjatë dhe të sigurojë të ardhme prosperuese europiane për të dy kombet.

Përfshirja e Shteteve të Bashkuara në udhëheqjen e dialogut është kyç, përderisa BE-ja ofron garanci, për të mbushur hendekun e mundshëm midis dy vendeve. Le të jemi seriozë, të sinqertë dhe të drejtpërdrejt përballë këtij misioni. Të nderuara shtete anëtare, Jemi shumë mirënjohës për ndihmën tuaj përgjatë dekadav.

***

Në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini ka pasur përpalsje të ashpër.

Kjo ishte edhe arsyeja që u anulua konferenca për media e kryeministrit Ramush Haradinaj me zyrtarët e lartë të BE-së, shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe Komisioneri Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn.

Këtë e ka konfirmuar edhe këshilltari i Ramush Haradinajt, Avni Arifi, i cili po qëndron në Bruksel bashkë me delegacionin e Qeverisë.

Ai ka shtuar se kryeministri Haradinaj nuk ka lëshuar pe për heqjen e taksës 100 % ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Sipas tij, Haradinaj ka shfaqur edhe pakënaqësitë për mosliberalizimin e vizave për kosovarët dhe moszbatimin e marrvëshjeve të Brukselit, nga ana e Serbisë.

Image

***

Kryeministri Ramush Haradinaj ka patur një përplasje të ashpër me shefen e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherinin.

Burime brenda takimit në mes delegacionit nga Kosova dhe përfaqësuesve të BE-së në Bruksel i kanë thënë medias se Haradinaj nuk ka pranuar në asnjë mënyrë heqjen e taksës 100 % ndaj Serbisë, kërkesë kjo që në vazhdimësi është thënë nga BE.

Haradinaj në këtë takim sipas burimit fuqishëm ka insistuar se taksa ndaj Serbisë do të mbetet edhe më tutje.

Kryeministri i Kosovës i ka shfaqur brengën serioze në adresë të BE-së, kur i ka thënë Mogherinit në sy se Serbia është shfaqur destruktive në vazhdimësi, duke mos i respektuar marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit.

Kësi soji Mogherini është deturuar ta anullojë konferencën për medie, e cila ishte planifikuar të ndodhte pas takimit kokë më kokë.

***

Zyrtarët e BE dhe Kosovës kanë mbajtur sot mbledhjen e tretë të Këshillit për Stabilizim-Asociim në Bruksel.

Delegacioni i Kosovës është kryesuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa ai i BE-së është udhëhequr nga Federica Mogherini.

Ndonëse ishte paraparë të mbahej një konferencë për media, kjo nuk ka ndodhur pas takimit pasi që ajo është anuluar.

Temë e konferencës ka qenë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë pas vënies së taksës nga Kosova 100 % për mallrat e Serbisë.

Para takimit, Mogherini dhe Hahn i dërguan një letër kryeministrit Haradinajt, duke shpjeguar qëndrimin e BE-së rreth tarifave ndaj mallrave serbe dhe duke përsëritur thirrjen për heqjen e tyre.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka përsëritur disa herë deri më tash, se masa 100 për qind ndaj mallrave serbe do të hiqet vetëm atëherë kur Serbia të marrë vendimin për njohjen e shtetit tonë.

Image

***

Në Bruksel ka përfunduar takimi i delegacionit të Kosovës i kryesuar nga kryeministri Ramush Haradinaj me delegacionin e Bashkimit Evropian të udhëhequr nga Federica Mogherini.

Pas takimit, është anuluar mbajtja e paralajmëruar e konferencës për shtyp nga kryesuesit e dy delegacioneve.

Temë e konferencës ka qenë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë pas vënies së taksës nga Kosova 100 % për mallrat e Serbisë.

Mogherini i kishte dërguar një letër Haradinajt me të cilën kishte propozuar zgjidhje, sipas saj, për heqjen e taksës.

Qeveria e Kosovës e ka refuzuar propozim e saj.

***

Zyra e shtypit e Bashkimit Evropian e ka anuluar konferencën e përbashkët me kryeministrin Ramush Haradinaj, pas takimin në Këshillin e MSA-së.

Siç raportojnë gazetarët Në Bruksel, kjo ka ardhur për shkak të tendosjes së atmosferës në takimin e MSA’së, e ku temë ishte edhe taksa ndaj Serbisë.

Deri tani nuk ka asnjë sqarim lidhur me anulimin e konferencës, mirëpo po raportohet në vazhdimësi për një takim të tensionuar në BE.

Xheraqina Tufina, e ka konfirmuar anulimin e konferencës së përbashkët të Haradinajt me Mogherinin e Hahn-in.

Sidoqoftë, kjo është hera e dytë që ndaj Kosovës BE’ja vepron njëlloj pas takimit të Këshillit të MSA-së. Edhe vitin e kaluar ishte anuluar konferenca, pikërisht në një kohë kur BE’ja i bënte trysni Kosovës për Demarkacion.

Ndryshe, Haradinaj udhëtoi sot për në Bruksel me informacionin që në agjendë është edhe diskutimi i taksës, për të cilën BE’ja dha dje një kompromis, por që nuk e gjeti gjuhën e përbashkët me Qeverinë e cila po kërkon vetëm njohjen e shtetit si kusht për largim të taksës.

***

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj bashkë me delegacionin e tij kanë shkuar në Bruksel për t’u takuar me zyrtarët e lartë të BE-së.

Takimi është duke filluar dhe aty do të diskutohet për kriteret politike, ekonomike, bashkëpunimin dhe zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim,.

Nga delegacioni kosovar kanë shkuar bashkë me Haradinaj, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj së bashku me ministrat Behgjet Pacolli dhe Dhurata Hoxha.

Fillon takimi në Bruksel, Haradinaj përballë BE-së për taksën

Ka nisur takimi i Kosovës me BE’në në kuadër të Këshillit të Stabilizim Asociimit(MSA), i cili po mbahet në Bruksel nga ora 13:00.

Haradinaj do ta kryesojë këtë takim ku, ndër të tjera, pritet të diskutohet edhe tema jashtë rendit të zakonshëm të këtij Këshilli.

Se takimi nis në orën 13:00 e pati konfirmuar mbrëmë, zëdhënësja Donjeta Gashi, e cila nuk ka folur lidhur me temat e tjera që priten të jenë temë diskutimi.

E, siç raportuan mediat, Haradinaj do të përballet me BE’në edhe për taksën e vendosur ndaj Serbisë. Aty është raportuar të jenë zyrtarja e Lartë e BE’së, Federica Mogherini si dhe komisionari Johannes Hahn.

Pikërisht këta dy përfaqësues të BE’së edhe dje kishin hedhur firmën në një letër për Haradinajn, ku kërkohej heqja e taksës ndaj Serbisë, në këmbim të largimit të emërimit “UNMIK” për Kosovën në CEFTA.

Qeveria Haradinaj kishte refuzuar të jepte ndonjë qëndrim më të detajuar lidhur me këtë letër, por kishin përsëritur se taksa qëndron dhe qëndrimet e Qeverisë janë ato të deritashmet.

Sidoqoftë, edhe Serbia do të zhvillojë takimin e njëjtë me BE’në për MSA’në. Takimi i Ana Brnabic me BE’në do të mbahet nesër.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...