Kosova ka implementuar çdo marrëveshje të Brukselit

Aktuale

Kosova ka implementuar çdo marrëveshje të Brukselit

Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 13:25
Pamje nga mbledhja

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka diskutuar për draft-marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe obligative ligjore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shefi i kabinetit të kryeministrit, Avni Arifi ka paraqitur draft-marrëveshjen, duke thënë se ajo parasheh që Serbia të njohë sovranitetin e Kosovës, të ketë drejtësi për krimet e luftës, të njihen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të sigurohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Arifi tha se në tri takimet me palën serbe, këta të fundit nuk kanë qenë të gatshëm që të zbatojnë asnjë marrëveshje.

“Qeveria e Kosovës ka implementuar çdo marrëveshje të Brukselit. Refuzimi i anës serbe ka bërë që të humbin 12 milionë euro të Brukselit. Qytetarët e Kosovës ndalen në baza ditore, në vendkalimet kufitare", tha ai.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur edhe një herë se taksa ndaj mallrave serbe nuk do të hiqet deri në njohjen e vendit tonë nga ana e Serbisë.

"Qeveria në procesin e dialogut do ta mbështesë delegacionin shtetëror. Synimi është të arrihet një kontratë përfundimtare. Tarifa që është vendos ndaj mallrave të Serbisë nuk do të ndryshojë. Kosova ka nevojë për njohjen e Serbisë. Ata kanë nevojë për tregun tonë", tha ai.

Duke folur rreth draft-marrëveshjes, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se si përfaqësues i komunitetit turk do të vazhdojnë të përkrahin interesat e shtetit të Kosovës.

“Për neve do të jetë shumë e rëndësishme se çka vendoset nga qeveria, dhe do ta përkrahim atë", tha ai.

Kabineti qeveritar ka aprovuar draft-rregulloren për shërbimin e komunikimit qeveritar me publikun. Sa i përket propozim-vendimit për themelimin e komitetit ndër-ministror për integrim në NATO, zëvendëskryeministri Hoxhaj ka kërkuar që të ndryshohet termi integrim në NATO dhe të zëvendësohet me fjalën anëtarësim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat