Çfarë do të pasojë publikimin e raportit të prokurorit Mueller? - Bota Sot
Çfarë do të pasojë publikimin e raportit të prokurorit Mueller?

Amerika

Çfarë do të pasojë publikimin e raportit të prokurorit Mueller?

Më: 20 prill 2019 Në ora: 20:42
SHBA

Demokratët në Kongresin amerikan kërkojnë një kopje të plotë dhe të paredaktuar të raportit të prokurorit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, publikimi i raportit e ka ndarë Uashingtonin dhe pjesën më të madhe të vendit në dy kampe. Në njërën anë janë mbështetësit republikanë të Presidentit Trump që besojnë se Presidenti rezultoi i pafajshëm. Në anën tjetër janë demokratët e alarmuar nga përfshirja e Presidentit në rastet e shumta të pengimit të mundshëm të drejtësisë të pasqyruara në raport.

Pas përfundimit të raportit të prokurorit Mueller, Presidenti Donald Trump u përshëndet në Florida me mbështetësit e ngazëllyer.

Zëdhënësja e tij thotë se Presidenti ka shumë arsye për të qenë i gëzuar.

“Nuk pati bashkëpunim të fshehtë që ishte edhe thelbi i hetimit”, i tha kanalit ABC, zëdhënësja Sarah Sanders.

Presidenti Trump thotë se raporti Mueller e nxori të pafajshëm, si për çështjen e bashkëpunimit të fshehtë me Rusinë, ashtu edhe për pengimin e drejtësisë.

“Ky rreng nuk duhet t’i bëhet asnjë presidenti tjetër. Nuk duhet të përsëritet më”, tha Presidenti Trump.

Por, për çështjen e pengimit të drejtësisë, raporti i prokurorit të posaçëm jep një pamje tjetër, duke radhitur përpjekjet e shumta të Presidentit Trump për të ndikuar tek hetimet.

Veprimet e Presidentit Trump ndoshta nuk do të rezultojnë në procese ligjore, por ato janë shqetësuese, thotë Ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

“Janë padyshim veprime jo të ndershme, jo etike, imorale dhe jo patriotike, dhe duhen dënuar nga të gjithë amerikanët. Kjo nuk është çështje shpagimi, por ndëshkimi”, tha Ligjvënësi Schiff.

Disa demokratë mendojnë se përmbajtja e raportit Mueller mjafton për të ngritur akuza për shkarkimin e Presidentit.

“Prokurori e bëri punën e tij. Tani i takon Kongresin të bëjë punën e vet”, tha Ligjvënësi demokrat Al Green.

Por, mbështetësit e Presidentit Trump mendojnë se hetimet e prokurorit Mueller larguan retë e zeza që qëndronin mbi Shtëpinë e Bardhë.

“Tani që u shfajësua nga ky hetim me kosto të lartë, mendoj se ai është i plotësisht i lirë dhe i pastër”, thotë Rich George, mbështetës i Presidentit nga Miçigani.

Ish-prokurori Robert Gray thotë se hapat e mëtejshëm janë tashmë në dorën e Kongresit.

“Çfarë do të ndodhë në vazhdim? I vetmi opsion është procedura hetimore për shkarkimin dhe kjo është vendimmarrje politike e demokratëve, të cilët duhet të vendosin nëse janë të përgatitur për këtë gjë”, thotë ish-prokurori Robert Gray.

Demokratët janë të dyzuar nëse duhen ngritur akuza për shkarkimin e Presidentit Trump, por duket se dëshirojnë që ai të mbajë përgjegjësitë.

“Është e vështirë të thuash se sa do të ndikojë tek perceptimi i publikut. Por, udhëheqësit tanë në Kongres dhe më gjerë kanë detyrimin përballë popullit të Shteteve të Bashkuara që ta vazhdojnë procesin derisa të zbulohet plotësisht e vërteta”, thotë David Abraham, i Universitetit të Majamit.

Raporti hetimor dhe perceptimi i publikut do të jenë padyshim pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale të 2020-ës.

“Çështja e Rusisë nuk do t’i shkaktojë humbjen në zgjedhje, por do të jenë çështje të tjera që i hasim zakonisht në proceset zgjedhore. Demokratët duhet të emërojnë një kandidat që mundet të fitojë përballë Donald Trump-it. Mendoj se duhet të jetë dikush nga kampi pragmatist progresiv dhe jo nga e majta e skajshme”, thotë Jim Kessler, i organizatës “Third Way”.

Për momentin, Presidenti Trump po feston fitoren nëpërmjet Twitter-it. Por, pikëpyetjet që mbeten për pengimin e drejtësisë ka gjasa ta ndjekin gjatë gjithë fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...