SHBA, qeveria federale pritet të rifillojë ekzekutimet me vdekje

Amerika

SHBA, qeveria federale pritet të rifillojë ekzekutimet me vdekje

Më: 26 korrik 2019 Në ora: 17:02
Protestues kundër dënimit me vdekje

Në Shtetet e Bashkuara, Byroja Federale e Burgjeve pritet të rifillojë ekzekutimet me vdekje, pas një ndërprerjeje prej 16 vjetësh. Planet janë që në muajt e ardhshëm të ekzekutohen pesë të burgosur të dënuar me vdekje nga gjykatat federale.

Qendra e informacionit për dënimet me vdekje thotë se aktualisht janë 65 të burgosur që presin të ekzekutohen nga qeveria federale.

Më shumë se gjysma e shteteve amerikane kanë ligje për ndëshkimin kapital.

Një profesor i së drejtës në Universitetin e Kalifornisë thotë se njoftimi i Departamentit të Drejtësisë për rifillimin e ekzekutimeve me vdekje ishte i papritur.

Rory Little, Profesor i së Drejtës: "Nuk ka patur ndonjë kërkesë për dënimin me vdekje në asnjë nivel federal, por ka njerëz në pritje të dënimit me vdekje nga qeveria federale, njerëz të cilët kanë kryer vrasje të rënda dhe juritë kanë vendosur që ata janë objekt i ndëshkimit kapital. Pra asgjë nuk e ndalon prokurorin e Përgjithshëm ta bëjë këtë. Do të ketë ndoshta sfida ligjore ndaj këtij vendimi, si përsa i përket procedurës ashtu edhe individëve që presin ekzekutimin.”

Prokurori i Përgjithshëm William Barr, një përkrahës i zjarrtë i dënimit me vdekje, tha se Departamenti i Drejtësisë, nën administratat republikane dhe demokrate, ka kërkuar dënimin e "kriminelëve më të njohur dhe se ekzekutimet e para federale do të bëhen ndoshta në fillim të dhjetorit.

Shtetet e Bashkuara janë vendi i vetëm perëndimor ku ende ka ekzekutime me vdekje. Në Evropë, dënimi me vdekje praktikisht është hequr dhe i vetmi vend që e lejon është Bjellorusia./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat