Shtetet e Bashkuara pa udhëzime federale për distancimin social

Amerika

Shtetet e Bashkuara pa udhëzime federale për distancimin social

Më: 1 maj 2020 Në ora: 18:14
SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump nuk i përtëriu udhëzimet federale për distancimin social që skaduan të enjten dhe shprehu optimizëm se shtetet mund t'i lehtësojnë kufizimet dhe të rihapin ekonominë sipas ritmit të tyre. Megjithatë, disa ekspertë të shëndetit publik janë të shqetësuar për pasojat e mundshme.

Pas një muaj mbyllje, restorantet në shtetin amerikan Xhorxhia u janë bashkuar bizneseve të tjera që tashmë u lejohet t'u shërbejnë klientëve.

"Po bëjmë maksimumin që mundemi për të ndjekur udhëzimet e përcaktuara nga guvernatori, nga presidenti", thotë Brian Mancuso, pronari i restorantit "Moe's Original BBQ".

Presidenti amerikan Donald Trump nuk zgjati udhëzimet federale të distancimit social që skaduan të enjten. Ai shprehu optimizmin se shtetet mund t'i lehësojnë kufizimet e tyre dhe se ekonomia e lënduar do të rikthehet së shpejti.

"Mendoj se do të shihni shifra ekonomike që do të jenë fantastike. E kam këtë besim të fortë", tha Presidenti Trump.

Megjithatë, shifrat e Departamentit të Punës tregojnë se që nga mesi i marsit rreth 30 milionë Amerikanë paraqitën aplikime për asistencë papunësie.

Kryetari i Rezervës Federale Jerome Powell ka një perspektivë më pesimiste se presidenti.

"Kriza e vazhdueshme e shëndetit publik do t'i kushtojë rëndë aktivitetit ekonomik, punësimit dhe inflacionit në periudhën afatshkurtër dhe paraqet rreziqe të konsiderueshme të perspektivës ekonomike për periudhën afatmesme", tha zoti Powell.

Në mes të prillit, Shtëpia e Bardhë qarkulloi udhëzime për mënyrën se si shtetet të rihapnin ekonomitë e tyre.

Plani bazohet tek rënia e rasteve të dokumentuara të koronavirusit, si dhe gatishmërinë spitalore ndër faktorë të tjerë.

"Janë rreth 30 shtete që tani janë ose në procesin e rihapjes ose duke e menduar. Ndoshta vetëm një pjesë e vogël në të vërtetë i plotësojnë kërkesat fillestare të përcaktuara nga Shtëpia e Bardhë", thotë Anand Parekh, këshilltari kryesor për mjekësinë në Qendrën e Politikave Dypartiake.

Presidenti Trump tha se administrata e tij po punon me sektorin privat për të përshpejtuar zhvillimin e vaksinave.

Eksperti më i lartë i shëndetësisë në vend thotë se një ilaç i quajtur Remdesivir po rezulton premtues.

"Shkalla e vdekshmërisë ka tendencë të jetë më e mirë, në kuptimin e më pak vdekjeve në grupin e remdesivirit. 8% përkundrejt 11% në grupin e placebo", tha Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive.

Por tani për tani, përpara se ndonjë zonë ose shtet të nxitojë të rihapet, Qendra e Politikës Bipartizane dëshiron që komunitetet të vazhdojnë të vlerësojnë progresin e tyre në mbrojtje të shëndetit publik.

“(Duhet) Rënie e rasteve ose përqindjes së testeve pozitive në një mënyrë të qëndrueshme për të paktën dy javë. E dyta është rritja e kapacitetit të testimit, për të testuar jo vetëm individët që kanë simptoma, por edhe popullsinë e prekshme. E treta është të kesh një sistem të kujdesit shëndetësor që po funksionon brenda kapacitetit të tij. Dhe e katërta është të kesh një sistem të shëndetit publik që mund të bëjë punën e rëndësishme të zbulimit dhe gjurmimit të kontakteve (të të infektuarve)", thotë zoti Parekh.

Kjo vlen edhe për shtetet që janë teknikisht ende nën masat e izolimit, ku megjithatë disa sfidojnë udhëzimet për të qëndruar në ambiente të mbyllura, siç po ndodh në plazhet e Kalifornisë Jugore./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat