Trump: Po analizoj mënyra për të ndëshkuar Kinën - Bota Sot
Trump: Po analizoj mënyra për të ndëshkuar Kinën

Amerika

Trump: Po analizoj mënyra për të ndëshkuar Kinën

Më: 15 maj 2020 Në ora: 06:21
Donald Trump

Presidenti Donald Trump tha të enjten se po analizon mënyra për ta goditur Kinën si shpagim për mënyrën si reagoi ndaj pandemisë së koronavirusit.

"Ka plot gjëra që mund të bëjmë,” tha Presidenti Trump për rrjetin Fox News. “Mund të presim plotësisht marrëdhëniet”.

“Po t’i presim ja çfarë ndodh: kursejmë 500 miliardë dollarë,” tha presidenti, pa e bërë të qartë se si e llogariti këtë shumë.

Administrata Trump po analizon mënyra për të ndëshkuar Pekinin për atë që e ka cilësuar si fshehje informacioni lidhur me virusin në fund të vitit të kaluar dhe fillim të 2020 kur po përhapej epidemia në Wuhan, më pas në Kinë dhe pastaj në të gjithë globin.

Shtetet e Bashkuara mund t’u japin amerikanëve të drejtën të hedhin Kinën në gjyq për dëmshpërblime lidhur me pasojat e COVID-19 në ekonomi dhe në jetë njerëzish. Deri tani SHBA numëron 84 mijë të vdekur, numri më i lartë i viktimave krahasuar me çdo vend tjetër. Sipas disa parashikimeve pritet që deri në gusht të vdesin 147 mijë vetë.

ShBA mund të vendosë gjithashtu sanksione, apo ndalim udhëtimesh në Kinë ndërkohë që ua kufizon mundësinë bizneseve amerikane t’u japin kredi kompanive kineze.

“Jam shumë i zhgënjyer nga Kina,” tha Presidenti Trump.

Shtetet e Bashkuara mund të detyrojnë kompanitë kineze të ndjekin standarded amerikane të kontabilitetit para se të lejojnë shitjen e aksioneve të tyre në bursën amerikane. Aktualisht këtyre kompanive nuk u kërkohet të përmbushin standarde të tilla.

Presidenti pohoi se nëse SHBA vendosin kërkesa të tilla ndaj kompanive kineze, shumë prej tyre mund të zgjedhin të tregtojnë aksione në bursën e Hong Kongut apo Londrës.

Që nga fillimi i 2019, 156 kompani kineze me një vlerë totale prej 1.2 trilionë dollarësh tregtohen në bursën amerikane.

Në fillim të kësaj jave, Presidenti Trump dha urdhër që një fond pensionesh për punonjësit qeveritarë të tërhiqte 4 miliardë dollarë të investuara në kompani kineze, me argumentin se Kina paraqet rrezik për investime dhe për sigurinë kombëtare./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat