Ish-analisti i Pentagonit dënohet me 2.5 vjet burg - Bota Sot
Ish-analisti i Pentagonit dënohet me 2.5 vjet burg

Amerika

Ish-analisti i Pentagonit dënohet me 2.5 vjet burg

Më: 19 qershor 2020 Në ora: 06:25
Henry Kyle Frese

Një gjykatëse federale dënoi të enjten me dy vjet e gjysmë burg një ish-analist të strukturës anti-terrorizëm të Agjencinë Ushtarake të Zbulimit i cili u kishte dhënë dy gazetarëve dokumente të klasifikuara sekrete në lidhje me sistemin e armëve të një vendi të huaj. Lajmi u njoftua nga Departamenti i Drejtësisë.

Masa e dënimit vjen pasi 31 vjeçari Henry Kyle Frese, u deklarua fajtor në muajin shkurt për një nga akuzat, atë të dorëzimit me paramendim të informacionit sekret të lidhur me fushën e mbrojtjes, një akuzë e cila parashikon një dënim maksimal deri në 10 vjet burg. Zoti Frese u arrestua në muajin tetor.

Informacioni që ai u dha gazetarëve u publikua në të paktën tetë media të ndryshme, të cilat ishin bazuar në pesë raporte të veçanta zbulimi, sipas dokumenteve të gjykatës.

Dy gazetarët, tek të cilët ai dorëzoi informacionin mes viteve 2018-2019 ishin kolegë dhe njëri prej tyre dyshohet se ishte përfshirë në një marrëdhënie romantike me zotin Fresen, thuhet në dosjen gjyqësore.

Departamenti i Drejtësisë nuk i ka bërë të ditur asnjëherë emrat e gazetarëve ose mediat që ata përfaqësojnë, megjithatë mesazhe të Twitter-it të përfshira në padi tregojnë se ata punojnë për rrjetet televizive NBC dhe CNBC, në pronësi të kompanisë "Comcast".

Dënimi i vendosur nga gjyqtarja e qarkut lindor të Virxhinias Leonie M.Brinkema ishte shumë më pak sesa nëntë vite që kishte kërkuar qeveria për dënimin e tij, por pak më shumë sesa afati që kishin kërkuar avokatët e zotit Frese, prej një viti e një dite burg.

"Publikimi në këtë rast nuk ndodhi nga ndonjë qëllim për të dëmtuar Shtetet e Bashkuara ose për shkak të pakënaqësisë së z. Frese ndaj Presidentit ose ndaj politikave amerikane”, shkruante avokati mbrojtës në fjalën e tij, duke shtuar se gjykimi i klientit të tij ishte errur nga "një përpjekje e gabuar për të shpëtuar një marrëdhënie që nuk ia vlente të shpëtohej".

Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm për Sigurinë Kombëtare John Demers tha nëpërmjet një deklarate se veprimet e zotit Frese kanë "dëmtuar rëndë sigurinë e vendit". "Dënimi i tij tregon angazhimin e Departamentit për hetimin dhe ndjekjen penale të atyre që kryejnë tradhëti", shtoi ai./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat