Shtëpia e Bardhë dhe demokratët, në polemika mbi urdhrat ekzekutivë për ndihmën ekonomike - Bota Sot
Shtëpia e Bardhë dhe demokratët, në polemika mbi urdhrat ekzekutivë për ndihmën ekonomike

Amerika

Shtëpia e Bardhë dhe demokratët, në polemika mbi urdhrat ekzekutivë për ndihmën ekonomike

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 06:39
Donald Trump

Shtëpia e Bardhë dhe ligjvënësit demokratë u përfshinë të dielën në polemika, lidhur me urdhrat ekzekutivë të Presidentit Donald Trump për të zgjatur afatin e ndihmës ekonomike për dhjetra-miliona amerikanët që kanë mbetur të papunë nga pandemia e koronavirusit dhe për të shtyrë pagesën e taksave për shumë nga punonjësit.

Kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e quajti veprimin e presidentit Trump “të dobët dhe jokushtetues”, në një intervistë me televizionin Fox News.

Ajo tha se “do të duhet kohë që paratë të përfundojnë në xhepat e amerikanëve” dhe i bëri përsëri thirrje Shtëpisë së Bardhë për kompromis, lidhur me fonde të reja për të ndihmuar mbi 30 milionë amerikanët që vazhdojnë të jenë të papunë, si edhe shtetet dhe organet lokale që kanë nevojë për ndihma shtesë.

Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin tha se urdhërat ekzekutivë të Presidentit Trump nuk kishin qenë alternativa e tij e preferuar, por fajësoi zonjën Pelosi dhe kreun e demokratëve në Senat, Chuck Schumer për dështimin e bisedimeve dyjavore për paketën e ndihmave për koronavirusin.

“U kam thënë që kurdo të kenë një propozim, unë jam i gatshëm për bisedime”, tha ai, duke shtuar se Shtëpia e Bardhë është e hapur për të dhënë më shumë ndihmë për qeverisjen e shteteve dhe qeveritë lokale, “por jo një trilion dollarë”, siç kërkojnë demokratët.

Zoti Schumer në një intervistë për televizionin ABC, i përshkroi masat e Presidentit Trump “të dobëta”, “të pazbatueshme” dhe “shumë të ngushta”, që të mund të ndihmojnë ekonominë amerikane dhe nevojat e miliona amerikanëve të papunë.

"Nëse populli amerikan i sheh këto urdhëra ekzekutivë, do ta kuptojë se ato as nuk i afrohen zgjidhjes së situatës”, tha ai.

Në negociatat e dështuara, demokratët kishin kërkuar që afati i ndihmës javore prej 600 dollarësh, të zgjatej deri në fund të vitit 2020, pasi skaduan në fund të korrikut.

Zoti Trump e shkurtoi atë shifër në 400 dollarë dhe tha se shtetet duhet të paguajnë 100 dollarë nga kjo shumë.

“Shtetet nuk kanë fonde për një gjë të tillë”, tha zonja Pelosi. Zoti Mnuchin u kundërpërgjigj duke thënë se shtetet “i kanë këto fonde nga paratë që ua kemi dhënë”, përmes legjislacioneve të mëparshme për ndihmë për koronavirusin.

Urdhërat ekzekutivë të Presidentit Trump pritet të sfidohen në gjykata, pasi sipas ligjit amerikan, Kongresi duhet të miratojë ligjet për shpenzime, megjithëse zoti Mnuchin tha se veprimet e tij ishin marrë pas konsultimit me këshilltarët ligjorë.

Presidenti Trump i nënshkroi masat ekzekutive në klubin e tij privat të golfit në Bedminster të Nju Xhersit.

"Po ndërmarr veprim për të dhënë 400 dollarë shtesë në javë. Është një shumë bujare, por ne duam të kujdesemi për njerëzit tanë. Nuk ishte faji ynë. Ishte i Kinës. Shteteve do t’u duhet të mbulojnë 25 për qind të kostos me fondet ekzistuese, si dhjetra-miliarda dollarët që kanë në dispozicion permes fondit të ndihmave për koronavirusin”, tha ai.

Të shtunën, Presidenti Trump e shpjegoi uljen e kësaj shifre, me faktin që shuma e re është ajo e nevojshme.

“Kjo është një nxitje shumë e mirë që të rikthehen në punë. Kjo është shumë më tepër nga ç’ishte rënë dakord më parë. Siç e dini, kishte vështirësi me shumën prej 600 dollarëshe, sepse në fakt është jonxitëse”.

Presidenti i referohej argumentit të republikanëve se në disa raste shuma prej 600 dollarësh në javë ishte më e madhe nga sa do të merrej nëse përfituesit e saj do të punonin.

Por shifrat e papunësisë sugjerojnë se është ende e vështirë për shumë nga ata që humbën punën nga kriza, që të ripunësohen. Nga miliona vendet e humbura të punës , vetëm 42 për qind janë rikuperuar dhe shifrat e korrikut tregojnë se punësimi u ngadalësua në krahasim me qershorin.

Presidenti Trump tha se do të shyjë dhe pagesën e taksave për punonjësit amerikanë dhe fajësoi demokratët për mosarritjen e një marrëveshjeje.

“Nuk menduam se do të na duhej ta bënim këtë, sepse menduam se demokratët do të ishin të arsyeshëm. Por jo vetëm që kanë qenë të paarsyeshëm, por edhe qesharakë”, tha ai.

Zoti Trump tha se nëse fitonte në zgjedhjet e nëntorit, ai do t’i falte këto taksa. Presidenti tha se administrata e tij do të merrte gjithashtu masa që amerikanët të mos nxirren nga shtëpitë për shkak se nuk paguajnë dot qeranë ose kredinë.

Kandidadi demokrat për president, Joe Biden, i quajti urdhrat e presidentit “masa gjysmake” dhe e akuzoi zotin Trump se po vinte pensionet në rrezik të madh, me shtyrjen e pagesës së taksave përmes së cilave financohen pensionet.

Por udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell tha përmes një deklarate se “amerikanët në vështirësi kanë nevojë për veprim tani. Meqenëse demokratët i kanë sabotuar negociatat me kërkesa absurde që nuk do të ndihmonin punonjësit, unë e mbështes Presidentin Trump në gjetjen e alternativave për t’u dhënë atyre ndihmë papunësie dhe lehtësi të tjera për ata që kanë nevojë më shumë për to”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat