SHBA, bien kërkesat për ndihmë papunësie

Amerika

SHBA, bien kërkesat për ndihmë papunësie

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 16:44
Foto ilustrim

Në SHBA, 963 mijë persona të tjerë paraqitën javën e kaluar kërkesa për kompensim papunësie, sipas Departamentit të Punës. Megjithatë kjo ishte hera e parë që nga muaji mars që totali i përjavshëm ra nën një milion kërkesa.

Për 20 javë radhazi, më shumë se një milion të papunë kanë kërkuar ndihmën e qeverisë ndërkohë që koronavirusi sulmon komunitete të mëdha e të vogla në të gjithë vendin, duke detyruar punëdhënësit të mbyllin ose të kufizojnë bizneset dhe të pushojnë punonjës.

Por shifrat e javës së kaluar, edhe pse të larta, ishin një përmirësim, duke shënuar rënie, krahasuar me një javë më parë.

Kërkesat për kompensim në rast papunësie kanë rënë ndjeshëm që nga fundi i marsit, në ditët më të hershme të sulmit të pandemisë mbi ekonominë e SHBA, kur 6.9 milionë amerikanë kërkuan ndihmë brenda një jave të vetme. Para kësaj, java me shifrat më të larta është regjistruar në vitin 1982, kur 695,000 vetë kërkuan kompensime. Çdo javë gjatë pandemisë së koronavirusit ka qenë me shifra shumë më të larta se ajo e vitit 1982.

Edhe pse numri i kërkesave për kompensim papunësie ra javën e kaluar, rimëkëmbja ekonomike e vendit është ngadalësuar. Qeveria raportoi javën e kaluar se në korrik u shtuan 1.8 milionë vende të reja pune, shumë më pak nga 4,8 milionë vende të reja pune të raportuara në qershor.

Deri në fund të korrikut, qeveria dërgonte 600 dollarë shtesë në javë për punëtorët e papunë, përveç kompensimeve për papunësinë që janë shumë më pak se kaq. Shtëpia e Bardhë dhe demokratët e opozitës në Kongres nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje të re për ta shtrirë ndihmën tek amerikanët e papunë ose familjet, bizneset dhe administratat shtetërore dhe lokale në të gjithë vendin.

Presidenti Donald Trump fundjavën e kaluar nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke thënë se do të dërgonte 400 dollarë shtesë në javë për të papunët, nëse shtetet kontribuonin 100 dollarë të kësaj shume. Urdhri parashikonte gjithashtu shtyrjen e pagesës së taksës mbi pagat për punëtorët që fitojnë më pak se 100,000 dollarë në vit. Por detajet e ndihmës ende nuk janë njoftuar plotësisht dhe ndihma shtesë mund të kërkojë javë për tu zbatuar.

Ligjvënësit demokratë synojnë të zgjasin pagesat prej 600 dollarësh në javë deri në fund të vitit 2020, por republikanët thonë se kjo shifër është tepër e lartë. Negociatat vazhdojnë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat