Bideni u premton ndihmë punëtorëve të prekur nga pandemia

Amerika

Bideni u premton ndihmë punëtorëve të prekur nga pandemia

Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 12:23
Joe Biden

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të mërkurën i premtoi një grupi të punëtorëve të goditur nga pandemia e koronavirusit se këtë kategori do të ketë më shumë përkrahje. Në anën tjetër, presidenti në largim, Donald Trump, la të kuptohet se mund të garojë përsëri për president në vitin 2024.

Ish-nënpresidenti amerikan, i cili është zotuar se do të veprojë shpejt për të ofruar më shumë burime në luftën kundër krizës shëndetësore pas inaugurimit më 20 janar, i tha një grupi të punëtorëve dhe pronarëve biznesesh se çfarëdo ndihme emergjente e ofruar nga Kongresi para se ai të vijë në pushtet do të ishte vetëm një “pagesë e ulët”.

Republikanët dhe Demokratët janë duke u përpjekur që të zgjidhin një mosmarrëveshje të gjatë në Kongres në lidhje me pakon ndihmëse për bizneset e prekura nga koronavirusi si dhe për miliona amerikanë që i kanë humbur vendet e punës.

“Ekipi im i tranzicionit tashmë është duke punuar në atë që unë do ta çoj përpara në Kongresin e ardhshëm për t’i adresuar shumë krizat me të cilat po përballemi, sidomos krizën ekonomike dhe COVID-in”, tha Bideni para punëtorëve.

“Nuk dëshiroj që ju ta humbni shpresën. Mbahuni, do t’ia dalim në këtë”, shtoi ai.

Mbi 270.000 persona kanë vdekur nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara. Kjo është shifra më e lartë në botë, bashkë me shifrën e të infektuarve, që ka shkuar në mbi 14 milionë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat