Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë për rritjen e kërcënimeve nga “kundërshtarët” e Uashingtonit

Amerika

Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë për rritjen e kërcënimeve nga “kundërshtarët” e Uashingtonit

Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 11:26
Sekretari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Markwayne Mullin, drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, dhe zëvendësdrejtori i FBI-së, Christopher Raia, marrin pjesë në seancën dëgjimore të Komitetit për Sigurinë Kombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se Teherani, Pekini, Moska dhe Pheniani, e kanë shtuar veprimtarinë që kërcënon sigurinë dhe interesat e Shteteve të Bashkuara. Ata përmendën plane të mbështetura nga Irani për sulme, përpjekjet e Kinës për të vjedhur teknologji të ndjeshme dhe operacionet kibernetike që kërcënojnë infrastrukturën jetike.

Duke folur më 18 nëntor në një seancë dëgjimore të Komitetit për Sigurinë Kombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve, me titull “Kërcënimet globale ndaj sigurisë së brendshme: 25 vjet pas 11 shtatorit”, zyrtarë të inteligjencës dhe ata ligjzbatues thanë se katër rivalë të mëdhenj gjeopolitikë po përdorin metoda të ndryshme për t’i kërcënuar sigurinë dhe interesat e Shteteve të Bashkuara.

Zëvendësdrejtori i FBI-së, Christopher Raia, tha se “kundërshtarët e SHBA-së” po bëhen “më agresivë” dhe “më të aftë” në përpjekjet e tyre për t’i minuar institucionet amerikane.

Ndërkaq, drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, paralajmëroi se planet e Iranit për të kryer sulme vdekjeprurëse kundër amerikanëve, brenda dhe jashtë vendit, janë rritur ndjeshëm.

Planet e Iranit për sulme vdekjeprurëse

“Ne mbetemi të përkushtuar për zbulimin, parandalimin dhe luftimin e planeve të Iranit për sulme vdekjeprurëse”, u tha Clayton ligjvënësve.

“Këto kërcënime janë rritur ndjeshëm. Gratë dhe burrat tanë jashtë vendit, si dhe brenda vendit, në Shtetet e Bashkuara, përballen me një kërcënim të madh”, shtoi ai.

Raia tha se kundër tre operativëve të mbështetur nga Irani është ngritur aktakuzë në kuadër të një hetimi të përbashkët të zyrave të FBI-së në Nju Jork dhe Uashington, për përfshirjen e dyshuar në afro 20 sulme terroriste dhe tentativa për sulme në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Ndër planet e dyshuara ishte edhe një sulm që kishte në shënjestër një bazë ku janë të vendosur pjesëtarë të ushtrisë amerikane.

Clayton tha se një person i akuzuar në lidhje me planet e sponsorizuara nga Irani kishte vazhduar të përpiqej të organizonte sulme kundër interesave amerikane jashtë vendit, edhe gjatë kohës që ndodhej në paraburgim.

“Kjo dëshmon aftësinë e një rrjeti shumë të sofistikuar dhe global, me të cilin duhet të përballemi seriozisht, duke përdorur të gjitha mjetet që kemi në dispozicion”, shtoi ai.

Ndërkaq, Michael McCaul, republikan nga Teksasi dhe ish-kryetar i Komitetit për Sigurinë Kombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se Irani e kishte vënë në shënjestër pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani. Ai shprehu shqetësim për praninë e celulave të fjetura dhe ekipeve të atentatorëve. Po ashtu, ai pyeti nëse Teherani mund ta fuste fshehurazi ndonjë armë radiologjike në Shtetet e Bashkuara.

Kina synon teknologjinë amerikane

Derisa presidenti amerikan, Donald Trump, dhe udhëheqësi kinez, Xi Jinping, pritet të takohen në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) këtë javë, Kina zuri një vend të rëndësishëm në diskutimet gjatë seancës dëgjimore, veçanërisht lidhur me spiunazhin industrial dhe teknologjitë në zhvillim.

Përfaqësuesi demokrat Seth Magaziner ngriti pyetjen nëse qasja e Pekinit në çipat e avancuar për inteligjencën artificiale përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kibernetike të SHBA-së. Ai vuri gjithashtu në pikëpyetje qasjen e administratës amerikane ndaj kufizimit të eksporteve të çipave të avancuar drejt Kinës.

Përfaqësuesi Vince Fong, republikan nga Kalifornia, iu referua një paralajmërimi të Shtëpisë së Bardhë, sipas të cilit subjekte kineze po kopjojnë pa autorizim modelet dhe kapacitetet e avancuara amerikane të inteligjencës artificiale.

Ai pyeti se sa shpejt po përfshiheshin këto kapacitete në modelet kineze dhe tek kundërshtarë të tjerë të mundshëm, si dhe çfarë nënkuptonte kjo për kohën që kanë në dispozicion institucionet amerikane për të identifikuar dhe korrigjuar dobësitë e sistemeve të tyre.

Clayton tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të prijnë në garën për inteligjencën artificiale, por duhet ta ruajnë këtë epërsi.

“Amerika ende udhëheq. Ne duhet të vazhdojmë të jemi në krye”, tha ai.

Ai paralajmëroi gjithashtu se aktorë të huaj po përpiqen të vjedhin sekretet tregtare amerikane dhe teknologjinë e avancuar kompjuterike.

“Ka njerëz që përpiqen të vjedhin sekretet tona tregtare dhe teknologjinë tonë të avancuar kompjuterike. Një nga kërcënimet globale ndaj Amerikës është spiunazhi industrial”, tha Clayton.

Në dëshminë e tij me shkrim, Raia e identifikoi spiunazhin ekonomik kinez si shqetësim madhor. Ai tha se FBI-ja ka hetime të hapura në të 55 zyrat e saj në terren, që lidhen me përparimet amerikane në fushën e gjysmëpërçuesve, bioteknologjisë, kompjuterëve kuantikë dhe superinteligjencës.

Rusia dhe Koreja e Veriut intensifikojnë kërcënimet kibernetike

Raia i identifikoi Rusinë dhe Korenë e Veriut si disa nga shtetet që kryejnë operacione kibernetike kundër interesave amerikane.

“Koreja e Veriut, Irani dhe Rusia vazhdojnë të jenë aktive në spiunazhin kibernetik, në mundësimin e sulmeve me programe shpërblimi (ransomware), si dhe në pozicionimin paraprak në infrastrukturën kritike amerikane, me qëllim shfrytëzimin e saj në një krizë apo konflikt të ardhshëm”, tha ai në dëshminë e tij.

Në deklaratën me shkrim, Raia përshkroi përpjekjet e FBI-së për kundërzbulim, duke raportuar më shumë se 167 arrestime për veprimtari të kundërzbulimit dhe spiunazhit, si dhe afro 499 raste të pengimit të aktiviteteve të tilla.

Në mesin e të arrestuarve ishin 75 persona në raste të lidhura me Kinën, 40 me Rusinë dhe 18 me Iranin, si dhe 34 persona në raste me shtrirje globale.

Koreja e Veriut u veçua gjithashtu për kapacitetet e saj kibernetike. Përfaqësuesi Andrew Ogles, republikan nga Tenesi, përmendi vjedhjen e pretenduar të kriptovalutave në vlerë prej 6.3 miliardë dollarësh nga platforma Binance, për të cilën e fajësoi Phenianin. Sipas tij, vjedhja ishte kryer për rreth 20 minuta.

Clayton nuk e konfirmoi në mënyrë të pavarur këtë operacion të veçantë gjatë seancës dëgjimore.

Në dëshminë me shkrim të FBI-së thuhej se Byroja kishte nisur procedurat për kthimin e aseteve virtuale në vlerë prej 31 milionë dollarësh, të vjedhura nga kriminelë kibernetikë të Koresë së Veriut.

Ndërkohë, Ogles paralajmëroi se operacionet kibernetike të Koresë së Veriut, Kinës dhe Iranit kundër aleatëve të SHBA-së mund të jenë paralajmërim për kërcënime të mundshme ndaj sistemeve amerikane. Ai iu referua sulmeve që synojnë kuletat e kriptovalutave dhe shfrytëzimin e dobësive në programe kompjuterike, duke u kërkuar zyrtarëve të shpjegojnë se si po e monitorojnë veprimtarinë e këtyre shteteve jashtë vendit.

Raia tha se spiunazhi kibernetik, vjedhjet dhe sulmet, të kryera si nga shtetet ashtu edhe nga grupet kriminale, po shtohen. Ai paralajmëroi se aktorët shtetërorë po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me hakerët që veprojnë për përfitime financiare, duke krijuar një kërcënim të ndërthurur për bizneset dhe infrastrukturën kritike. / REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat