Melania Trump: Një tjetër armëpushim në Ukrainë mund të arrihet para Krishtlindjeve

Amerika

Melania Trump: Një tjetër armëpushim në Ukrainë mund të arrihet para Krishtlindjeve

Nga: A.SH. Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 13:57
Melania Trump

Melania Trump ka lënë të kuptohet se një armëpushim i ri lokal në Ukrainë mund të arrihet gjatë javëve të ardhshme, madje para Krishtlindjeve.

Bashkëshortja e presidentit amerikan, Donald Trump, ndërmjetësoi muajin e kaluar një armëpushim gjashtëditor në qytetin Oleshky, i cili ndodhet nën pushtimin rus. Gjatë kësaj periudhe, një operacion humanitar mundësoi evakuimin e qindra qytetarëve drejt territoreve të kontrolluara nga Ukraina.

Më vonë, ajo bashkoi zyrtarë ukrainas dhe rusë në Shtëpinë e Bardhë për të shënuar këtë armëpushim.

E pyetur në një program special të televizionit Fox News se çfarë dëshironte për Krishtlindje, zonja e parë e SHBA-së u shpreh se dëshira e saj kryesore ishte paqja në botë, por veçanërisht arritja e më shumë armëpushimeve.

“Epo, sigurisht që është paqja në botë, por para së gjithash, do të doja shumë që të kishte më shumë armëpushime.

Ne mund ta arrijmë këtë shumë shpejt, nëse Ukraina dhe Rusia janë të gatshme. Unë tashmë jam në bisedime.

Prandaj, ndoshta do të kemi një tjetër armëpushim para Krishtlindjeve”, deklaroi Melania Trump.

Ndërkohë, në një postim në rrjetet sociale javën e kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy bëri të ditur se Kievi ka propozuar edhe 10 zona të tjera në pjesët e rajoneve Kherson dhe Zaporizhzhia, të cilat kontrollohen nga Rusia, ku nevojitet një operacion i ngjashëm humanitar me atë të realizuar në Oleshky.

Zelenskyy ka kërkuar që edhe në këto zona të mundësohen operacione humanitare për evakuimin e civilëve dhe dërgimin e tyre në territore të sigurta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat