FBI-ja po heton dyshimin për hakimin e bazës së të dhënave kriminale

Amerika

FBI-ja po heton dyshimin për hakimin e bazës së të dhënave kriminale

Nga: A.SH. Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 18:35
Ndërtesa

FBI-ja ka nisur hetimet lidhur me një ndërhyrje të dyshuar në bazën e saj të të dhënave kriminale, raportojnë mediat amerikane, duke cituar dy persona të informuar për çështjen, shkruan BBC, përcjell Bota sot.

Baza e të dhënave, e njohur si Qendra Kombëtare e Informacionit për Krimet (NCIC), përdoret nga organet federale dhe lokale të zbatimit të ligjit për shkëmbimin e informacioneve mbi urdhër-arrestet dhe kontrollet e të kaluarës kriminale.

Ky nuk do të ishte rasti i parë kur hakerët kanë shënjestruar FBI-në, agjencinë amerikane përgjegjëse për hetimet dhe sigurinë e brendshme. Deri më tani, institucioni nuk i është përgjigjur kërkesës së BBC-së për koment.

I pyetur për ndërhyrjen e dyshuar gjatë një interviste për Fox News të shtunën, presidenti amerikan Donald Trump tha se sapo kishte dëgjuar për hakimin.

“Do të them se kjo nuk është mirë. Nuk më pëlqen”, u shpreh Trump.

Megjithatë, ai shtoi se ndoshta nga kjo ngjarje mund të mësohen gjëra që përndryshe nuk do të zbuloheshin kurrë.

Dyshimi për sulmin ndaj bazës së të dhënave të FBI-së vjen pas një serie ndërprerjesh teknologjike që prekën sektorin bankar, kontrollin e trafikut ajror dhe fusha të tjera në SHBA javën e kaluar. Zyrtarët kanë deklaruar se këto ndërprerje nuk janë shkaktuar nga sulme kibernetike, por ato kanë nxitur shqyrtimin e çështjes nga ligjvënësit.

Ndërkohë, këtë javë u shkarkua edhe drejtori i Sigurisë Kibernetike të Shtëpisë së Bardhë, Sean Cairncross, për të cilin Trump tha se nuk ishte mjaftueshëm i aftë për detyrën.

Në shtator, FBI-ja njoftoi se po hetonte një tjetër ndërhyrje të dyshuar nga grupi kriminal kibernetik ShinyHunters, i cili pretendonte se kishte vjedhur informacione të ndjeshme për të gjithë punonjësit e byrosë, rreth 38 mijë persona.

Pas këtij sulmi, një ish-agjent i FBI-së i tha BBC-së se kishte frikë për sigurinë e punonjësve aktualë, pasi të dhënat e tyre personale mund të përfundonin në internet dhe të shfrytëzoheshin nga kriminelët apo hakerët e mbështetur nga shtete armiqësore.

Në një zhvillim tjetër, NBC raportoi për një sulm të dyshuar kibernetik ndaj Departamentit amerikan të Bujqësisë (USDA).

Sipas raportimit, punonjësit u informuan të enjten se ishte shënjestruar sistemi i pagesave për fermerët. Departamenti i Bujqësisë nuk ka dhënë ende një koment publik lidhur me rastin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat