Colby paralajmëron aleatët e NATO-s: Kompanitë amerikane nuk duhet të përjashtohen nga marrëveshjet e armëve

Amerika

Colby paralajmëron aleatët e NATO-s: Kompanitë amerikane nuk duhet të përjashtohen nga marrëveshjet e armëve

Nga: A.M. Më: 17 nëntor 2026 Në ora: 21:11
Elbridge Colby, nënsekretar amerikan i Mbrojtjes për Politikat, gjatë pjesëmarrjes në një takim të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, në selinë e NATO-s në Bruksel, më 17 nëntor 2026. /Foto: Reuters

Shefi i politikave në Pentagon, Elbridge Colby, u ka bërë thirrje aleatëve evropianë të NATO-s që të mos i përjashtojnë kompanitë amerikane nga marrëveshjet për blerjen e armëve, në një kohë kur vendet evropiane po rrisin shpenzimet e mbrojtjes dhe po synojnë të zvogëlojnë varësinë nga SHBA-ja.

Pas një takimi të mbajtur të martën në selinë e NATO-s në Bruksel, Colby tha se është e drejtë që popullsitë evropiane të përfitojnë nga rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, por theksoi se kompanitë amerikane prodhojnë pajisjet më të mira ushtarake në botë, shkruan Ruters.

“Ne e kuptojmë se popullsitë evropiane duhet të përfitojnë nga shpenzimet më të mëdha për mbrojtjen. Kjo është e drejtë dhe e arsyeshme”, deklaroi ai.

Megjithatë, Colby nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së industrisë amerikane në bashkëpunimin e sigurisë në kuadër të NATO-s, duke përmendur si shembull avionët luftarakë amerikanë F-35.

Ai theksoi se Uashingtoni nuk po kërkon që prodhimi i armëve të bëhet vetëm në SHBA, por kërkon një marrëdhënie pragmatike dhe të balancuar në bashkëpunimin mes industrive të mbrojtjes.

Gjatë takimit, Colby foli edhe për rishikimin në vazhdim të pranisë ushtarake amerikane në Evropë, duke shprehur shpresën se afati i 1 dhjetorit për përfundimin e këtij procesi do të respektohet.

Ai nuk konfirmoi nëse rishikimi mund të çojë në reduktimin e numrit të rreth 80 mijë trupave amerikane të dislokuara në Evropë, por theksoi se synimi është që vendet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit, duke i mundësuar ushtrisë amerikane të përmbushë edhe angazhimet e saj globale.

Colby vlerësoi përparimin e bërë nga Gjermania, vendet skandinave, Polonia dhe Holanda në fushën e mbrojtjes, ndërsa kërkoi që edhe aleatët e tjerë të shtojnë përpjekjet.

“Ne do ta pozicionojmë ushtrinë tonë aty ku është më e nevojshme për amerikanët”, tha ai, duke veçuar hemisferën perëndimore dhe rajonin Indo-Paqësor.

Sipas tij, kjo nuk nënkupton braktisjen e Evropës, por një riorganizim të marrëdhënieve me aleatët, duke iu kthyer modelit të NATO-s gjatë Luftës së Ftohtë, ku theksi vendoset te gatishmëria ushtarake.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat