Një dokumentar shpjegon punën e infermierëve në urgjencë

Amerika

Një dokumentar shpjegon punën e infermierëve në urgjencë

Më: 6 dhjetor 2020 Në ora: 20:29
Ilustrim

Një dokumentar i ri i quajtur "Në rast emergjence" është produkt i 7 viteve të intervistimit, fotografimit dhe filmimit të infermierëve në të gjithë Amerikën. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Karina Bafradzhian, filmi trajton sfidat e punonjësve të kujdesit shëndetësor në Amerikë.

Cathlyn Robinson është një nga infermieret e paraqitura në dokumentarin "Në rast emergjence". Dokumentari eksploron punën dhe sfidat e infermierëve të urgjencës.

Zonja Robinson, prindërit e së cilës janë mjekë, vendosi t'ia kushtonte jetën mjekësisë.

Dokumentari pritej të shfaqej në mars, por publikimi i tij u shty për shkak të koronavirusit.

“Ne u ndeshëm me një valë të madhe pacientësh. Kishte aq shumë pacientë sa ne pothuajse nuk mund të vazhdonim, t’i trajtonim të gjithë. Pacientët ishin shumë të sëmurë dhe kjo ishte një sfidë për ne sepse nuk jemi ndeshur më parë me këtë lloj sëmundjeje", thotë infermierja Cathlyn Robinson.

Dokumentari ndoqi infermieret që punojnë në një sërë emergjencash, duke përfshirë ato që trajtojnë pacientët që vuajnë nga dhuna me armë, abuzimi me opioidet dhe koronavirusi.

Në dokumentar paraqiten pesëmbëdhjetë infermierë të tjerë të urgjencës nga e gjithë Amerika, por regjisorja Carolyn Jones donte të gjente një infermiere që do të përfaqësonte zërin e të gjithë punonjësve shëndetësorë të urgjencës. Dhe ajo zgjodhi infermieren Cathlyn Robinson, e cila punon në një spital në Paterson të Nju Xhersit.

"Është me të vërtetë e mrekullueshme të kesh një mundësi për të folur për atë që bëjmë dhe është pak e frikshme të shohësh veten në dokumentar."

Infermieres Robinson nuk i pëlqen të flasë për pandeminë e koronavirusit, madje edhe me anëtarët e familjes së saj. Një përjashtim që ajo bëri ishte për dokumentarin "Në rast emergjence" dhe regjisoren e tij Carolyn Jones.

"Ajo është thjesht reale dhe kishte përvojë me pacientë të Covid-19. Unë i kërkova asaj t’i rijetonte ato momente, dhe barrën e botës që ishte mbi shpatullat e saj. Nuk u ndjeva mirë kur përmes pyetjeve i kërkova të përjetonte sërish ditët më të rënda të jetës së saj, por ndjeva se ishte në një farë mënyre një mundësi shërimi duke folur përsëri mbi atë që kishte ndodhur në atë mjedis”, tha regjisorja Jones.

Infermerja Robinson thotë se përkundër të gjitha vështirësive me të cilat ndeshet, ajo ende e do punën e saj dhe përkushtimi i saj ndaj profesionit mbetet i palëkundur.

"Unë mendoj se aftësia për t'u kujdesur për të tjerët është pjesë e identitetit tim. Unë kam një dëshirë të madhe për të ndihmuar të tjerët dhe është e mrekullueshme dhe emocionuese, dhe gjithmonë ka diçka të re për të mësuar; unë mësoj diçka të re çdo ditë! Dhe unë jam shumë mirënjohëse për mundësinë për të ndarë jetën me njerëz të tjerë, kur ata me të vërtetë kanë nevojë për dikë, kështu që pa dyshim unë jam në shpirt një infermiere!", tha zonja Robinson.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat