SHBA, një tjetër ekzekutim i dënimit me vdekje

Amerika

SHBA, një tjetër ekzekutim i dënimit me vdekje

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 17:23
SHBA

Departamenti amerikan i Drejtësisë kreu të enjten ekzekutimin e fundit të një të burgosuri federal që ndodh gjatë periudhës së tranzicionit presidencial, diçka e pashembullt në kohët moderne.

Ekzekutimi i Brandon Bernardit me injeksion vdekjeprurës ishte dënimi i nëntë me vdekje i kryer nga autoritetet federale pas një ndërprerjeje gati 20-vjeçare të praktikës. Ekzekutime të tjera priten në ditët e fundit të administratës Trump.

Bernard, 40 vjeç, ishte anëtar i një bande i dënuar për vrasjen makabre të dy pastorëve të rinj në Teksas në vitin 1999. Gjykata e Lartë amerikane mohoi anulimin e ekzekutimit të të burgosurit, i cili ishte adoleshent kur kreu krimin.

Disa anëtarë të jurisë nga gjykimi i Bernardit në vitin 2000 kundërshtuan ekzekutimin dhe i kërkuan administratës të tregonte mëshirë.

Muajin e ardhshëm, Shtetet e Bashkuara kanë në plan të ekzekutojnë Lisa Montgomery-n, gruaja e vetme që pret kryerjen e dënimit me vdekje. Montgomery mbyti një grua shtatzënë dhe i mori duke e prerë nga barku i nënës fëmijën e saj të palindur. Fëmija i mbijetoi ngjarjes është dhe tani një adoleshent.

Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara ekzekutuan 49-vjeçarin, Orlando Cordia Hall, për rolin e tij në rrëmbimin dhe vrasjen e një vajze 16-vjeçare.

Një sondazh i organizatës Gallup në fillim të këtij viti tregoi se amerikanët janë të ndarë për dënimin me vdekje, me 55% që e favorojnë atë dhe 43% që e kundërshtojnë.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka treguar se ai është në favor të heqjes së dënimit me vdekje./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat