Si do të ndryshojnë politikat për gratë nën administratën Biden

Amerika

Si do të ndryshojnë politikat për gratë nën administratën Biden

Më: 28 dhjetor 2020 Në ora: 06:30
Presidenti amerikan, Joe Biden

Anketat me zgjedhësit pasi kishin hedhur votën tregon se gratë ishin faktor i rëndësishëm në fitoren e Joe Bidenit më 3 nëntor, pasi 57% e tyre kishin mbështetur kandidatin demokrat krahasuar me 42% e grave që votuan për Presidentin Trump. Kronika në vazhdim analizon politikat e Presidentit Trump për gratë dhe premtimet që bëri gjatë fushatës zoti Biden për të garantuar barazi gjinore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara njofton.

Gratë u mobilizuan katër vjet radhazi me protesta në 2017, 2018, 2019 si dhe në fillim të këtij viti me thirrjet për të drejtat e tyre.

Presidenti Trump ka regjistruar shifra të ulëta popullariteti mes grave që kur filloi fushatën presidenciale e 2016-ës, mes akuzave për sjellje jo të përshtatshme.

“Lajmet e rreme vazhdojnë të njoftojnë se gratë në zonat periferike nuk më duan sepse nuk iu dukem i sjellshëm. Nuk kam kohë të jem i sjellshëm, kam shumë punë për të bërë për të mirën tuaj,” tha presidenti.

Presidenti u përpoq të anulonte rregulloret e miratuara gjatë administratës së Presidentit Obama kundër diskriminimit mbi baza gjinore në paga si dhe ngacmimeve seksuale në vendin e punës, që sipas administratës aktuale kishin kosto të madhe për bizneset.

Administrata e Presidentit Trump shpërbëri Këshillin e Shtëpisë së Bardhë për Gratë e Vajzat që mbështeste politika në mbështetje të gruas.

Po ashtu, Presidenti Trump ndërpreu fondet për shoqata që ofronin shërbime për planifikim familjar, përfshirë aborte, ndër to edhe për Fondin e OKB-së për Popullatën.

“Ky president mbështet nënat; ai mbështet jetën,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Aktivistët tani kërkojnë nga administrata e ardhshme t’i anulojë këto politika:

“Administrata Biden-Harris dhe të gjitha këto agjenci duhet të analizojnë se çfarë nevojitet të bëhet, çfarë nevojitet të ndalet dhe çfarë duhet të riaktivizohet. Të gjitha këto nevoja duhen parë në prizmin e përparësive,” thotë Sarah Fleisch Fink e shoqatës Partneriteti Kombëtar për Gratë dhe Familjen.

Programi i zotit Biden për gratë përfshin përmirësimin e kushteve ekonomike përmes pagës së barabartë dhe ndaljes së diskriminimit të grave shtatzëna; gjetja e balancës mes punës dhe familjes, ndër to edhe leja e lindjes dhe opsione më të mira për kopshte e çerdhe si dhe lufta kundër dhunës ndaj grave në të gjithë botën.

Zoti Biden ka emëruar një numër rekord grash dhe pakicash në poste të larta, ndër to edhe zëvendësen e tij.

"Në administratën Biden-Harris, gratë do të kenë përparësi, nevojat e tyre do të kenë përparësi,” tha zonja Harris.

Gjatë administratës së Presidentit Trump ka pasur më së shumti katër gra që shërbenin ndër 15 poste të kabinetit, shifra më e ulët ndër administratat e viteve të fundit.

Një tjetër temë e nxehtë është aborti. Zoti Biden, katolik i devotshëm, ka thënë se personalisht është kundër abortit, por se beson që e drejta e abortit është e mbrojtur nga ligji.

Ndërkaq, përkrahësit e kanë cilësuar zotin Trump “presidentin më pro-jetës”.

“Ajo që ka dalë fare qartë në këto dy cikle zgjedhore është fakti që aborti është një temat që solli mbështetje për Donald Trumpin, pasi ai premtoi të emëronte anëtarë kundër abortit në Gjykatën e Lartë,” thotë Kelly Dittmar me Universitetin Rutgers.

Zoti Biden pritet të anulojë disa nga aktet e Presidentit Trump që kufizonin të drejtën e abortit dhe politika të tjera për të drejtat riprodhuese të grave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat